Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Gjuha...” në Kuvendin e Shqipërisë kthen idenë për mbrojtjen e shqipes me ligj

Me nismën e deputetes Flutura Açka, njëherësh kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Kuvendi i Shqipërisë ka organizuar të martën veprimtarinë “Gjuha shqipe dhe identiteti i saj”. Në këtë ngjarje, është rikthyer ideja për një ligj për mbrojtjen e shqipes. Në fjalën e saj, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka theksuar se “në kushtet e globalizimit, të qarkullimit të lirë të ideve, dijeve, të përzierjes dhe bashkëjetesës së kombeve, kulturave e gjuhëve, shqipja, si të gjitha gjuhët e kombeve të vogla, po përballohet me sfida serioze”.

Nikolla ka nënvizuar se aktualisht ka një sensibilitet të lartë publik, kombëtar, akademik dhe mediatik për mbrojtjen e identitetit të gjuhës dhe vlerave të kombit shqiptar, “prej qëndrimeve nihiliste e ksenomane”.

“Si do të kontribuojmë që gjuha shqipe të mbijetojë në marrëdhëniet e gjuhëve të kombeve më të mëdha e të zhvilluara, të mbetet ashtu siç e dëshironin rilindësit: një gjuhë e pavdirë? Legjislacioni dhe masat institucionale mbrojtëse për gjuhën shqipe duhet të mbështeten nga edukimi gjuhësor i gjithë popullsisë, sidomos i brezit të ri”, citohet të ketë thënë ajo. Po ashtu, Nikolla ka theksuar domosdoshmërinë e përmirësimit të mësimdhënies së gjuhës në shkollë si dhe edukimin me përparësi të administratës publike, që gjuha e komunikimit zyrtar të njësohet me gjuhën letrare.

Ka falënderuar deputeten Açka si edhe akademikët, gjuhëtarët, shkrimtarët, artistët, botuesit, ekspertët si edhe deputetët e tjerë që kontribuuan në këtë aktivitet.

“Le të rikujtojmë porosinë plot përgjërim të Naimit: ’…Shqip të flisni përherë/ Fjesht e të papërzjerë’”, ka thënë Nikolla.

Edhe Një ligj për mbrojtjen e shqipes midis domosdoshmërisë dhe absurditetit Kulturë Një ligj për mbrojtjen e shqipes midis domosdoshmërisë dhe absurditetit

Zëvendëskryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj-Valikaj, ka thënë se institucionet në vend kanë një detyrim të madh në përhapjen e gjuhës korrekte, qoftë të folur dhe të shkruar si dhe ka nënvizuar se ligji i mbrojtjes së gjuhës është i domosdoshëm.

“Ligji do të na ofrojë standardet e duhura. Kemi nevojë që të kemi një ligj që të mbrojë gjuhën tonë. Edhe gjuha jonë rrezikohet nga globalizmi, lëvizjet e shumta demografike. Do të kontribuojmë nga pozita e ligjvënësit për mbrojtjen e gjuhës”, citohet të ketë thënë ajo. Nismë për mbrojtjen e shqipes me ligj, ka pasur disa vjet më parë edhe në Kosovë. Qe kundërshtuar nga gjuhëtarët të njohur të vendit, si një ide e moçme e cila s’e mbron gjuhën, por përkundrazi e rrezikon atë.

Edhe kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Flutura Açka, ka folur për nismën ligjore të saj për mbrojtjen e gjuhës shqipe si dhe ngriti disa pyetje në lidhje me çështjet e gjuhësisë, përdorimit dhe mbrojtjes së saj.

Akademiku Gjovalin Shkurtaj, u shpreh se të gjithë duhet të kujdesen për gjuhën shqipe duke shmangur përdorimin e fjalëve të huaja.

“Të vlerësojmë gjuhën, janë shumë pak njerëz që e dinë mirë gjuhën shqipe, që e flasin dhe e shkruajnë bukur dhe pa gabime. Po përdoren plot fjalë të huaja të panevojshme. Ta ruajmë gjuhën tonë, ta mbrojmë, ta shkruajmë e ta flasim sa më thjeshtë e sa më bukur”, ka thënë Shkurtaj.

Drejtoresha e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), Diana Kastrati, ka thënë se gjuha shqipe ka një rrugëtim të lashtë të saj dhe mbart gjurmë që e shënjuan.

Edhe Thirrje për mbrojtjen e shqipes në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare Kulturë Thirrje për mbrojtjen e shqipes në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare

Më tej aktiviteti vijoi me shfaqjen e filmit dokumentar “Shkronjat e Pavarësisë”, me në fokus historinë e alfabetit shqip në ditët e Kongresit të Manastirit.