Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Gjeniu i ngjyrave

Në kohën kur krejt bota kishte kthyer me habi sytë kah Shqipëria, derisa shqiptarët po vrisnin njëri-tjetrin pas shpërthimit të skemave piramidale të marsit 1997, Ibrahim Kodra në anën tjetër të Detit Adriatik po i sfidonte të gjithë me “Shqipërinë fantastike”.

Atë pranverë, Shqipëria kishte shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Plumbat fluturonin mbi kokat e qytetarëve në dritë të diellit midis shesheve. Trazirat, e nxitura prej humbjes së kursimeve, ua morën jetën rreth katër mijë shqiptarëve, shkruan sot Koha Ditore.

Në Shqipëri ra shteti. Por në kohën e hallakamës së madhe, piktori Kodra po jetësonte Shqipërinë e tij – atë të tolerancës, me plot ngjyra. Piktura kishte shumë elemente të jetës kulturore shqiptare. Në shpatinat mesdhetare strehonte fshatrat. Vend të veçantë i kishte rezervuar edhe asaj me të cilën krenohen për shekuj me radhë shqiptarët: diversitetin.

Në “Shqipërinë fantastike” ka kishë e xhami. Nuk harron as jetën e qyteteve të gurta, ku shqiptarët u mbrojtën tradicionalisht prej armiqve. Pamja mëngjesore me fytyrë kah perëndimi demonstron fillimin e një dite të mbarë. Por në kohë trazimesh të mëdha, artisti nuk e fsheh dot dhimbjen e tij të madhe për vendlindjen.

Në sy bie gruaja e përlotur me lahutë, instrument me të cilin rapsodët kanë shprehur heroizmat dhe vuajtjet e popullit. Por miqtë dhe njohësit e jetës dhe veprës së Kodrës, vlerësojnë se ai vazhdon “të jetë i largët” për shqiptarët. Shumica, gishtin e drejtojnë kah institucionet komuniste të kohës. Përpjekje të mëdha nuk u bënë as në kohë demokracie. E megjithatë, ata që e takuan disa herë, thonë se Kodra e donte vendlindjen. E thotë edhe vetë Kodra në kujtimet e veta, ani pse u desh të kalonin dekada derisa Kosova e Shqipëria t’ia hapnin dyert piktorit kubist që po ekspozonte më 1953 veprat e veta nëpër ekspozita barabar me Picasson, Chagallin, Mattisen, Modiglianin në Ekspozitën e Universitetit të Parisit. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)