Kulturë

Gjakova bashkon dy teatrot për komedinë e zezë të Shakespeareit

Mbi katër shekuj prejse është shkruar, drama “Masë për masë” e Shakespeareit korrespondon me gjendjen aktuale të shoqërisë. Nën regji të regjisorit shqiptar Altin Basha, shfaqja për kryefjalë ka njerëzit e pushtetshëm. Për inskenimin e saj janë bashkuar teatri “Hadi Shehu” i Gjakovës dhe “Bekim Fehmiu” i Prizrenit. “Është tekst politik, i takon teatrit politik, gjithsesi është i ngjyrosur me notat e komedisë. Është komedi e zezë e cila, edhe pse e ka shkruar Shakespeare qindra vjet më parë, prapëseprapë është aktuale”, ka thënë Albulena Kryeziu-Bokshi, drejtoreshë e Teatrit të Gjakovës

Teatri “Hadi Shehu” në Gjakovë dhe “Bekim Fehmiu” në Prizren janë bashkuar për “Masë për masë” të William Shakespeareit. Synimi: inskenimi i kësaj komedie të zezë pas nja një muaji.

Mbi katër shekuj pas prej kur është shkruar drama, korrespondon me gjendjen aktuale të shoqërisë. Nën regji të regjisorit shqiptar Altin Basha, shfaqja për kryefjalë ka njerëzit e pushtetshëm.

Është bashkëprodhim mes Teatrit të Gjakovës dhe atij të Prizrenit dhe pritet të jepet premierë në periudhën e fundit të muajit shtator dhe në fillim të tetorit. Gjithsej 14 aktorë do të ndërtojnë rrëfimin e shfaqjes. Mes tyre luajnë: Xhevdet Doda, Besfort Berberi, Vlera Pylla, Vlora Dervishi, Edi Kastrati, Edmond Azemi, Butrint Lumi, Edona Sopaj, Alban Çela, Alban Krasniqi e Valmir Krasniqi.

Albulena Kryeziu-Bokshi, drejtoreshë e teatrit të qytetit të Gjakovës “Hadi Shehu”, ka thënë se e kanë parë të përshtatshme bashkëpunimin me teatrin “Bekim Fehmiu” në Prizren për shkak të renovimeve në institucionin ku trupa e tyre zhvillon veprimtarinë.

“Ata janë në renovim, na u duk ide e mirë t’i bashkojmë forcat dhe të punojmë shfaqjen ‘Masë për masë’ të William Shakespeare. Premiera pritet të jetë në fund të shtatorit, eventualisht në fillim të tetorit, varësisht se si do të shkojë, sepse për momentin do të kemi një pauzë prej provave pasi dy teatrot do të shkojnë në Korçë në ‘Koko Fest’. Ende nuk e dimë datën e saktë se kur do të jepet premierë”, ka thënë Kryeziu-Bokshi në një bisedë për KOHËN.

Ka treguar se puna e aktorëve është ende në proces tavoline derisa paralelisht po bëhen gati edhe në përgatitjet e tjera për shfaqjen. “Skenografinë e shfaqjes e bën Petrit Bakalli, kostumografinë Iliriana Loxha, kompozitor është Memli Kelmendi. Provat kanë filluar në fund të gushtit, edhe pse procesi ka filluar më herët. Altini ka ardhur edhe më herët në Prizren e Gjakovë për t’i takuar aktorët. Ende janë në proces të tavolinës, ndërkohë po bëhemi gati të fillojmë edhe me skenografinë dhe me prodhimin e kostumeve për shfaqjen”, ka thënë drejtoresha e teatrit “Hadi Shehu”.

Shfaqja është komedi e zezë që trajton abuzimin nga njerëzit e pushtetshëm. “Është tekst politik, i takon teatrit politik, gjithsesi është i ngjyrosur me notat e komedisë. Është komedi e zezë e cila, edhe pse e ka shkruar Shakespeare qindra vjet më parë, prapëseprapë është aktuale, sepse Shakespeare deri më tani ka qenë i patejkalueshëm e si simbol i shfaqjeve teatrore. Vazhdon të jetë aktual dhe kurdo që punohen veprat e tij, gjen diçka aktuale në to. Vërtet është një dramë shumë e bukur”, ka thënë Kryeziu-Bokshi, e cila në janar të këtij viti mori udhëheqjen e institucionit.

“Masë për masë” (“Measure for Measure”) besohet se është shkruar në vitet e para të shekullit 17 me shfaqjen e parë më 26 dhjetor të 1604-s. Sipas shpjegimeve për shfaqjen, ajo paraqet rrëfimin për protagonistin Dukën Vincentio të Vjenës, që vëzhgon punët e qytetit nën qeverisjen e zëvendësit të tij, Angelos. Imazhi i ashpër i këtij të fundit vihet në pah si sjellje e neveritshme në detyrë. Ai shfrytëzon fuqinë për të siguruar të mira personale.

Temat kryesore të shfaqjes përfshijnë drejtësinë e me ironi edhe moralin e mëshirën në Vjenë pasi shfaqja vjen edhe si ndërlidhje e korrupsionit dhe punëve të ndyra. Siç përmblidhet shfaqja, mëshira dhe virtyti mbizotërojnë dhe se nuk ka përfundim tragjik. Dhembshuria dhe falja e përmbyllin atë. Por, tema qendrore ka të bëjë me drejtësinë në përgjithësi.

Për dramën e William Shakespeare shkruhet se përmban lojë të fjalëve dhe ironisë sikurse edhe elemente tragjike. Ajo vlerësohet si një prej dramave problematike të Shakespeare për shkak të tonit të paqartë.

Karakteret që aktorët do të luajnë në shfaqje janë: Izabela, Mariana, Franciska, zonja Overdone, Duka Vincentio, Anxhelo, Escalus, Klaudio e të tjerë.

Kjo është shfaqja e dytë premierë e teatrit “Hadi Shehu” për sivjet. Më 27 mars të këtij viti ishte dhënë premierë edhe shfaqja “Antigonat”, nën regji të Erson Zymberit. Ngjarja kishte përkuar me 24-vjetorin e ditës kur Ferdonije Qerkezit forcat serbe ia morën burrin dhe katër djemtë e saj. Aty ishte zëri i saj dhe i nënave të tjera që kishin fatin e njëjtë. Shfaqja lidhte dramën antike me atë bashkëkohore dhe në tërësi i fliste të tashmes.

Kryeziu-Bokshi ka bërë të ditur se pas shfaqjes “Masë për masë” do të vazhdojnë me shfaqjen premierë për fëmijë “Magjistari nga Ozi”.