Një komedi e zezë si “Masë për masë” e Shekespeareit bëhet aktuale tek trajton çështje të përbotshme. Ndër to, fuqia, manipulimi dhe ndikimi i pushtetit. Në thelb, shfaqja nën regji të Altin Bashës – e dhënë premierë të dielën mbrëma në teatrin “Hadi Shehu” në Gjakovë si bashkëprodhim me teatrin “Bekim Fehmiu të Prizrenit – ka drejtësinë e cila nuk vjen si triumf por si ftesë për vetëreflektim
“Masë për masë” godet komplotet e jetës që vihen në shërbim të drejtësisë. Në skenën e teatrit “Hadi Shehu” në Gjakovë zbulohet përvoja personale e personazheve që ndikojnë te të tjerët nëpërmjet pushtetit. Shakespearei – në shfaqjen nën regji të Altin Bashës – i flet të sotmes. Publikun e fut nëpër skuta ngjarjesh të një kohe të shkruar, por zbërthen fenomene të përbotshme edhe katër shekuj prej se është shkruar. Vjen si avokaturë për rëndësinë e vazhdueshme në zbulim lojërash të komplikuara.
Kryepersonazhi, Duka Angjelo, që luhet nga aktori Xhevdet Doda, vendos për dënime të ashpra ndaj atyre që akuzohen për imoralitetit. Klaudio, vëllai i Izabelës, që e luan Vlera Pylla, dënohet me vdekje. Kontributi i saj për shpëtimin e të vëllait çon në zhvillime të papritura, në komplote që përfundojnë me zbulimin e mashtrimeve dhe manipulimeve. Izabelës, një murgeshë e re, i kërkohen favore personale nga Duka. Pason oferta për martesë. Vetë ajo është personifikim i guximit për të kundërshtuar dhe rebelimit ndaj pushtetit. Angjelo si i ligë është i paqëndrueshëm ndaj veprimeve të tij kur nis të bjerë në dashuri. Klaudio ishte i pari deri në atë kohë që ishte dënuar me vdekje për një faj të atillë që rrjedhimisht deri atëkohë nuk konsiderohej i pamoralshëm deri në atë pikë sa të vritej një njeri. Vendosmëria e motrës së tij, Izabelës, për të mos e vënë trupin e saj nën shërbimin e tij, bën që fillimisht vëllai të zgjedhë vdekjen, e më pas ndërron mendje. Princi Vinçento maskohet si prift për të parë të bëmat e të dërguarit të tij në detyrë. E këshillon Izabelën të ndërtojë një plan që do ta shpëtonte vëllanë duke shfaqur paturpësitë e Angjelos.
Në shfaqje shpesh mëkati lahet me mëkat. Edhe kur ndërrohet koka e Klaudios me një të vdekur. Komploti vjen kur në vend të Izabelës, për takim i shkon ish e fejuara e tij, Mariana. Kurthi që i kanë bërë nxjerr në pah mëkatin e tij. Urdhërohet vrasja. Izabela përgjërohet për faljen e tij dhe kështu vendoset që ai dhe Mariana ta vazhdojnë jetën bashkë. Në mes janë histori e rrëfenja të numërta që gjejnë emërues të përbashkët.
Aktori Xhevdet Doda ka thënë se drama me tekst të Shakespeareit ka qenë me kërkesa të shumta, për të cilin duhet përkushtim dhe disiplinë e madhe. Atij i është besuar njëri prej roleve kryesore.
“Është privilegj për secilin aktor të luajë një vepër të Shakespearit, si në rastin e produksionit tonë që na fisnikëroi edhe si shfaqje, edhe si proces me Altin Bashën, jo i lehtë, por shumë i këndshëm. Për ta punuar Shakespearin është ëndërr e secilit aktor dhe ndihem vërtet i privilegjuar të punoj me dy trupa të aktorëve të shkëlqyer të Teatrit të Prizrenit dhe atij të Gjakovës dhe ndihem i privilegjuar që kam pasur një prej roleve kryesore, për të cilin mendoj që si rol ka qenë mjaft kompleks, i cili nuk është arritur dhe aq lehtë për shkak të transformimit të tij”, ka thënë aktori Doda.
Doda është njëri prej aktorëve të trupës së teatrit “Bekim Fehmiu” të Prizrenit që ka bashkuar forcat bashkë me teatrin “Hadi Shehu” të Gjakovës dhe aktorë të tjerë të pavarur. Ky ka qenë bashkëpunimi i parë mes dy teatrove, sikurse edhe bashkëpunimi me regjisorin Altin Basha, i cili është vlerësuar si mjeshtër në inskenim të Shakespeareit.

Sipas regjisorit, shfaqja nuk ka qenë e lehtë pasi ka qenë e ngarkuar me shumë cilësi dramaturgjike dhe me personazhe komplekse.
“Sigurisht se nuk ka qenë e lehtë puna pasi është shumë e ngarkuar, me shumë cilësi dramaturgjike në personazhe komplekse, por ka qenë përvojë e mrekullueshme për të gjithë dhe shpresoj se kjo, po e quaj formulë mes teatrove, këto bashkëpunime, ta rrisin cilësinë e produksioneve, por nga ana tjetër edhe në shkëmbimin e eksperiencave mes aktorëve, përvojave të tyre. Jam i kënaqur me procesin dhe shpresoj që rezultati i tyre të shihet edhe tek kënaqësia e publikut”, ka thënë regjisori Altin Basha.
Basha e ka vlerësuar tematikën si aktuale në Kosovë e Shqipëri.
“Vepra në thelb ka drejtësinë, mënyrën se si jepet dhe si ushtrohet ajo nëpërmjet pushtetit. Ka tundimin e pushtetin se si mundet, si ndryshojnë mendimet e individëve, natyrisht kjo nëpërmjet personazheve mjaft komplekse, të vëna në një situatë të errët. Mendoj se këto çështje e shqetësojnë publikun në Kosovë sot dhe në Shqipëri, që mundohen të gjejnë në çfarë të reflektojnë”, ka thënë Basha më tej.
Provat për shfaqjen kishin nisur në fund të muajit gusht, periudhë të cilën drejtoresha e teatrit “Hadi Shehu”, Albulena Kryeziu-Bokshi, e ka vlerësuar si tejet të ngjeshur.
“Puna u konsolidua, publiku e priti mirë, e duartrokiti gjatë, prandaj besoj se ekipi ka bërë një punë të jashtëzakonshme në krye me Altin Bashën. Ka qenë periudhë e ngjeshur me prova, jo proces shumë i lehtë, por kur kurorëzohet me sukses, gjithçka harrohet dhe tash po presim pjesën që na ka mbetur – suksesin”, ka thënë Kryeziu-Bokshi.
Drejtori i teatrit “Bekim Fehmiu”, Burim Mustafa, e ka konsideruar bashkëpunimin si mundësi për ta mbajtur publikun të lidhur me trupën e këtij teatri.
“Duke marrë parasysh se teatri ynë prej vitit të kaluar ka filluar rinovimet, për të mos e ndalur aktivitetin dhe humbur potencialin e trupës, kemi filluar me shfaqje në hapësira alternative në Prizren, por gjithashtu kemi filluar koproduksionet me teatrot që kryesisht kanë punuar në shfaqje të mëdha. Në fillim të vitit kemi dhënë shfaqjen ‘Fausti’ në bashkëpunim me Teatrin e Gjilanit dhe Teatrin Kombëtar”, ka thënë Mustafa.
Muzika përcjellëse i ka dhënë peshë e dinamikë. Autori i saj, kompozitori Memli Kelmendi, ka thënë se muzikën për teatër e bën në atë mënyrën që të ruhet atmosfera e shfaqjes.
“Është hera e parë që bashkëpunoj me Altinin dhe natyrisht se nuk ka qenë edhe e lehtë prej anës së tij dhe times për të gjetur ngjyrat e përafërta, por mendoj se e kemi gjetur shpejt. Menjëherë pas diskutimeve të para në fazat e fillimit të kompozimit të muzikës, veçse kemi qenë në rrugën e drejtë. Ka pasur ndryshime eventuale që janë bërë, mirëpo çdoherë unë mundohem të shkruaj muzikë për teatër duke e ruajtur atmosferën e shfaqjes, që në një formë ajo të jetë lidhshmëri me emocionet mes audiencës dhe skenës”, ka thënë kompozitori Kelmendi.
Sipas Kelmendit, i gjithë ekipi i përfshirë ka sjellë një shfaqje të suksesshme. “Një shfaqje jashtëzakonisht komplekse, jo e lehtë pasi kemi të bëjmë me një shfaqje që është krejtësisht delikate, mirëpo jam jashtëzakonisht i kënaqur me atë që e kemi arritur dhe mbi të gjitha jam munduar të përmbush kërkesën regjisoriale. Dua ta falënderoj për besueshmërinë ndaj meje. Natyrisht kjo nuk do të mund të realizohej pa qenë edhe energjia e aktorëve dhe ekipit që ka bërë një punë dhe energji fantastike, eksperiencë jashtëzakonisht e bukur”, është shprehur ai.
“Masë për masë” shpërfaq edhe zotësinë për t’i ikur ndëshkimit. Këtë e bën Pompeu në shfaqje, rol të cilin e luan Edi Kastrati.
“Një tregtar i grave në njëfarë kohe që pas ndërrimit të pushtetit kupton se do të mbyllen bizneset e tilla. Mundohet që në kohë të shkurtër të shpëtojë, por është e kotë pasi bie në burg dhe mandej mundohet që me dredhitë e tij të shpëtojë. Në një moment vjen një xhelat që e kthen nga i burgosi në profesionin e tij dhe ai shpëton. Kjo na bën të kuptojmë se i përdor mjeshtëritë e tij, dredhitë e tij dhe shpëton”, ka thënë Kastrati, sipas të cilit është fat për aktorët të luajnë me tekstet e William Shakespeareit.
“Gjatë procesit të provave secili aktor gjen diçka shumë të madhe të tij që është e fshehur në rreshtat e tij. Sidomos kur punojmë me një regjisor të nivelit të Altin Bashës e që është mjeshtër i Shakespearit, aty mandej fillon të shohësh që është shumë e nevojshme për secilin aktor”, ka thënë Kastrati.
Kuratorja e artit e kritikja e letërsisë, Migena Arllati, që është edhe pjesë e Bordit Drejtues të teatrit “Hadi Shehu” në Gjakovë, ka thënë se këto lloj shfaqjesh vihen në skenë për të risjellë ngjarjet që janë vazhdimësi dhe për të dhënë mesazhe morali.
“Pjesët e gjenive të letërsisë, sikurse është Shakespeare, rivihen në skenë, risillen në aktualitetet e reja për të dhënë mesazhe morale në këto kohë të reja, pavarësisht se veprat u përkasin kohërave të vjetra. Në një mënyrë shoqëria ka gjithmonë nevojë për mesazhe morale, për të njëjtat pikërëndesa për të kuptuar më shumë nga bota, nga lavdia, nga mëkati, nga dëshira për t’u pasuruar, për të dashuruar dhe për gjithçka tjetër”, ka thënë Arllati.
Regjisori Lirak Çelaj ka thënë se veçse priste një punë kaq të madhe si shfaqja “Masë për masë”.
“Kam pritur një shfaqje të mirë dhe ashtu ishte. Ishte një punë shumë e mirë, ishte arritur që trupa të jetë kompakte, që të jenë një energji pozitive dhe ajo reflektoi edhe te publiku. Kishte skenografi, kostumografi e muzikë të qëlluar dhe ajo vërtet reflektoi edhe te publiku”, ka thënë Çelaj.
Në rolet e tjera luajnë edhe aktorët: Besfort Berberi, Edmond Hafizademi Edona Sopaj, Valmir Krasniqi, Alban Çela, Alban Krasniqi, Vlora Dervishi, Butrint Lumi, Valmira Hoti dhe Altina Kusari.