Kulturë

Giuffredi e Nicoletta me harmoninë e klarinetës dhe pianos

Kohët e fundit, skena klasike e vendit është përqendruar në aktivitete të shumta, duke shënuar një rritje të dukshme në interesin dhe përfshirjen e publikut në ndjekjen e saj. Festivalet e destinuara ekskluzivisht për instrumente të caktuara janë tregues i mirë i nevojës së tyre në skenën e muzikës klasike në Kosovë. Festivali Ndërkombëtar i Klarinetës në Kosovë është një prej tyre. Kurorëzimi i këtij edicioni iu besua klarinetistit Italian, Corrado Giuffredi, virtuozit të njohur globalisht me talentin e tij të jashtëzakonshëm dhe zotimin që i bënë klarinetës. Udhëtimi i Giuffredit në botën e muzikës klasike është jo më pak se një itinerar i jashtëzakonshëm. Me një karrierë që shtrihet në dekada, ai është i angazhuar dhe si profesor i klarinetës në “Istituto Musicale Superiore” të Modenës, si dhe profesor në kurset e specializimit të “Città di Castello”, krahas statusit si artist në “Backun”.

Por, për publikun kosovar performanca e tij, e cila u shënua nga një kombinim i rrallë i shkëlqimit teknik dhe kuptimit të hollë të muzikës, iu bashkua dhe Federico Nicoletta, pianist italian, i përkushtuar me pasion në muzikën kamertale. Nicoletta, gjithashtu është profesor i pianos dhe i shoqërimit pianistik në konservatorët dhe institutet e larta të muzikës në Adria, Reggio, Emilia, Ravenna, Lucca dhe Bergamo, shoqëroi në piano lojën e klarinetës si një marrëdhënie e natyrshme simbiotike.

Mbrëmja nisi me një fantazi koncertale me “Rigoletton” e Verdit, nga Luigi Bassi, e cila paraqitej si një dinamizëm që lejonte klarinetën e Giuffredit dhe pianon e Nicolettës të prezantonin ornamente e variacione të ndryshme tingullore. E pas duartrokitjeve dhe përshëndetjes që ua bëri të pranishmëve Giuffredi, radha qe për aktin e dytë me një fantazi tjetër, por këtë radhë me “Tosca” të Puccinit nga Michele Mangani e cila njëherësh qe dhe premierë dhe homazh për nder të 100-vjetorit të vdekjes së kompozitorit Giacomo Puccini.

Një pushim disaminutësh erdhi si një intermezzo për të paralajmëruar pjesën e dytë të koncertit, për të cilën qenë rezervuar vepra të shekullit XX. “Sonata për Klarinetë dhe Piano” e Francis Poulenc, nisi si një kompozicion i muzikës kamertale që i dha ngjyra errësirës që po mbizotëronte në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Pjesa e parë, e shënuar me “Allegro tristamente”, u hap me një melodi të ndjeshme të klarinetës, e cila më pas bashkohej me një lojë ritmike të pianos. “Romanza”, e dyta me radhë, zhvillohej nën parametrat striktë të lirikës, ndërkaq fundi me “Allegro con fuoco”, solli njëfarë intensiteti më ritmik, i cili pasqyronte mirë kontrastet që përdor Poulenc, si një luftë mes humorit e seriozitetit që krijuan në sallë një dialog mes melankolisë e gjallërisë.

“Rhapsody in Blue” nga George Gershwin qe sinjali se koncerti ishte drejt fundit, por jo një fundi dosido. Përmes kësaj vepre, Giuffredi e Nicoletta transportuan për disa minuta publikun e pranishëm, në New Yorkun e viteve ‘20, me një përqafim të klasikes, jazzit e bluesit. Vepra del si një kakofoni e orkestruar mjeshtërisht me briliancën e Gershwinit, i cili arrin që të kombinojë zhanret lehtësisht derisa krijon një peizazh muzikor të sofistikuar.

E kjo prurje e cila veç tjerash simbolizon dhe dinamizmin kulturor të fillimshekullit XX në SHBA u pëlqye mjaftueshëm nga publiku, pasi që i detyroi performuesit të kthehen në skenë tri herë radhazi nga duartrokitjet e ovacionet.

“Ishte një eksperiencë e mrekullueshme, është hera ime e parë në Kosovë. U kënaqa shumë me njerëzit dhe entuziazmin e tyre”, u shpreh vetë Maestro Giuffredi teksa shtoi se synimi i një muzikanti është ta bëjë muzikën të dashur dhe t’i sjellë njerëzit rreth saj, gjë të cilën në Prishtinë e arriti me sukses.

Për repertorin e kësaj mbrëmjeje, ai vetë ishte përkujdesur që të sillte diçka më speciale.

“Ky repertor që luajtëm sonte, është i parapëlqyeri im, sepse jam italian, andaj zakonisht e filloj koncertin me Opera fantasy me “Rigoletton” e Verdit. Kjo natë ishte speciale edhe për arsyen se luajtëm premierë “Tosca” nga Michele Mangani, sepse këtë vit është 100-vjetori i vdekjes së Puccinit. Ndërsa në pjesën e dytë e trajtoj klarinetën me stilin e shekullit të kaluar, pastaj më pëlqen e gjithë muzika e shkruar për klarinetë, e cila i pëlqen dhe audiencës e rrjedhimisht dhe mbrëmja e sontme ishte spektakolare”, ka thënë klarinetisti Corrado Giuffredi pas performancës.

Edhe për Federico Nicolettën, si shoqërues i denjë e i arrirë në piano, Prishtina qe e ngrohtë që në fillim, e edhe salla ku luajti. “Ishte fantastike dhe në fakt edhe salla me këto drita që i shkojnë pjesës së fundit që luajtëm ‘Rhapsody in blue’. Gjithashtu ishim të entuziazmuar të luajmë për herë të parë ‘Tosca’ nga Michele Mangani, është gjithmonë një mister të prezantosh një pjesë të re, sepse nuk e di se a do ta pëlqejë audienca apo jo, por mendoj që u pëlqye, shpresoj!”, u shpreh Nicoletta

Ndërkaq Malbora Krajku nga Festivali Ndërkombëtar i Klarinetës në Kosovë, u shpreh e kënaqur me këtë edicion të katërt, si dhe me faktin se në këtë mbrëmje kishte publik dhe nga vendet e rajonit.

“Jemi shumë të lumtur që natën përmbyllëse të edicionit të katërt të International Kosova Clarinet Fest, kemi arritë me e bë me një koncert fantastik të dyshes nga klarinetisti i mirënjohur, Corrado Giuffredi, me shoqërim në piano nga Federico Nicoletta. Giuffredi vjen për herë të parë në Kosovë për të performuar dhe është mirëpritur nga publiku në të cilin kemi pasur mysafir dhe nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe nga Sllovenia, që kanë ardhur enkas për të dëgjuar Giuffredin. Veçantia e kësaj mbrëmjeje, veç tjerash ishte dhe luajtja e një vepre për herë të parë në karrierën tij, e që zgjodhi ta luante pikërisht në Kosovë”, përfundoi ajo duke thënë se kjo mbrëmje do të jetë një shtytje për një organizim më të madh në edicionin e radhës.