Piktura është vetë jeta për Gazmend Freitag, piktorin i cili përmes brushës së tij sjellë gjallëri dhe jetë. Natyra dhe nudo, janë dy zhanre që kanë zënë një vend të konsiderueshëm në galerinë e artistit. Kjo qasje artistike e karakterizon botën e tij artistike. Por, duhet theksuar se pikturat e tij nudo janë profesionale dhe dashuria për to e ka shtyrë atë të ndjekë edhe studime enkas në Universitetin e Artit në Linz.
Kur flasim për krijimtarinë e tij, këtu nuk mund asnjëherë t’i anashkalojmë edhe portretet në grafikë të bëra me frymëzim e dashuri për personalitete të njohura kombëtare si: Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Shën Teraza, Ismail Kadare, Ali Podrimja e të tjerë.
Artisiti shqiptarë Freitag që jeton në Austri, përmes pikturës së tij shfaq dashurinë e tij për njeriun shqiptarë, imazhin e vendit tonë, për personalitetet e rëndësishme shqiptare, thjesht ai shfaq vendlindjen e tij në plot jetë e gjallëri duke dëshmuar kështu de dashuria për vendlindjen është një e pazëvendësueshme dhe brenda tij ka një vend të veçantë.
Së fundmi artisti ishte edhe pjesë e “Biennale Austria” në Vjenë me dy eksponate në vaj. Në këtë ekspozitë morën pjesë autorë nga vende të ndryshme që jetojnë në Austri.
“Pjesëmarrja ime me dy eksponate në vaj në "Biennale Austria" në Vjenë, ishte shumë e rëndësishme për punën time. Është privilegj të prezantohesh me artistë tjerë ndërkombëtar në një ekspozitë me karakter internacional. Seleksionimin e këtyre pikturave e kam bërë unë, duke ekspozuar një natyrë të qetë dhe një nudo, këto dy zhanre që unë i preferoj jashtëzakonisht shumë”, u shpreh artisti Freitag.
Freitag, tregoi për KultPlus edhe dashurinë e tij për pikturat nudo.
“Me zhanrin e nudos jam marrë intensivisht viteve 2013/14 saqë ndjeka edhe studime enkas në Universitetin e artit në Linz. Ka qenë një eksperiencë e bukur. Pikturat dhe grafikat e shumta të këtij lloji, të publikuara pjesërisht, i realizoj kryesisht me modele të gjalla”.
Pikturat e Gazmend Freitag janë ekspozuar në shumë qytete të Austrisë, Italisë, Sllovakisë, por jo edhe në vendlindje, por një gjë të tillë artisti e ka ëndërruar gjithmonë dhe tani më është duke punuar në këtë drejtim.
“Në të ardhmen ekziston një plan shumë i bukur për të hapur një ekspozitë personale në Tiranë, një ëndërr e imja e kamotshme, por akoma nuk është definitive. Posa të vendoset konkretisht, natyrisht se do t’i informoj lexuesit e KultPlus për këtë risi”, u shpreh Gazmend Freitag.