Kulturë

Lucien Freud – realiteti i zhveshur në vizatime dhe piktura

grl

“Girl in Bed” (Vajza në shtrat) realizuar në vitin 1952 paraqitet në “Vizatim në pikturë”, e cila do të jetë ekspozita më përmbajtëse muzeale e veprave të Freudit në Britani të Madhe (Arkivi i Lucian Freud/Galeria Kombëtare e Portreteve/PA)

Një ekspozitë e rrallë me vepra të Lucien Freud, do të hapet së shpejti në Londër. Artisti konsiderohet si një nga piktorët më të mëdhenj të portreteve të shekullit të 20-të, por vizatimet e tij janë më pak të njohura për publikun

Piktori i madh, Lucien Freud, realizoi shumë autoportrete gjatë karrierës së tij që zgjati disa dekada. Piktura e vitit 2002 në teknikën vaj në pëlhurë, e titulluar “Self-Portrait, Reflection”, u përfundua kur ai ishte pothuajse 80 vjeç. Ekspozita e re e hapur në Galerinë Kombëtare të Portreteve në Londër, kthehet në fillimet e tij. Nga vizatimet shumëngjyrëshe të Freudit të realizuara në moshën dhjetë vjeçare, veprat e tij në vitet ’40, kur filloi të vlerësohej nga publiku dhe kritikët, e deri te portretet e familjes mbretërore, të porositura kur ai ishte tashmë një artist i konsoliduar i nivelit botëror.

Por nuk bëhet fjalë vetëm për pikturat e Freudit. Ekspozita ofron gjithashtu një mundësi të mirë për të parë vizatimet e artistit.

“Kjo ekspozitë i kushtohet Lucian Freudit. Titullohet ‘Nga vizatimi në pikturë’. Lucian Freud njihet gjerësisht si një nga piktorët e mëdhenj të shekullit XX, por kjo ekspozitë na jep një pasqyrë mbi një aspekt më pak të njohur të punës së tij, që është praktika e tij e vizatimit”, ka thënë Sarah Howgate, kuratore e koleksionit bashkëkohor në Galerinë Kombëtare të Portreteve.

Freudi vizatonte me obsesion që në moshë të vogël, dhe pika fillestare e ekspozitës është grumbullimi magjepsës i vizatimeve të fëmijërisë, 48 blloqeve me skica, letra dhe piktura të papërfunduara që përbëjnë arkivin e Lucian Freudin në Galerinë Kombëtare të Portreteve.

Vizatimet nuk ishin thjesht skica përgatitore për pikturat. Në shumë raste, ai e vendoste lapsin mbi letër pasi kishte përfunduar pikturën me vaj në kanavacë. Fletoret e skicave tregojnë gjithashtu një vështrim të vogël në botën e tij të brendshme.

“Mendoj se nga vizatimet shpesh mund të shohim proceset e mendimit të Lucian Freudit. Fletoret e skicave ishin si ditarë vizualë dhe përdoreshin për të mbajtur shënime, për drafte letrash dashurie, këshilla bastesh, si dhe për skica që lidhen me pikturën. Ndonjëherë ishin vizatime kompozicionale. Ndonjëherë ishin vizatime të bëra pas ngjarjes”, ka thënë Howgate.

“Portrait of a Young Man” (Portreti i një të riu) realizuar në vitin 1944, vizatim i punuar me shkumës dhe lapsa me ngjyra i Lucian Freudit, do të ekspozohet në Galerinë Kombëtare të Portreteve në Londër, së bashku me blloqe skicash, piktura të papërfunduara, vizatime të fëmijërisë dhe letra (Arkivi i Lucian Freud/Galeria Kombëtare e Portreteve/PA)
 

Praktika e Freudit u zhvillua në vizatime lineare vëzhguese me cilësi të lartë në vitet ‘40, të cilat u admiruan shumë nga kritikët e asaj kohe. Më pas, e ktheu vëmendjen te piktura dhe një qasje më e lirshme ndaj mediumit, pjesërisht e ndikuar nga miqësia e tij me Francis Baconin. Nga mesi i viteve ‘50 deri në vitet ‘70, piktura ishte preokupimi kryesor i Freudit, dhe vizatimi u bë dytësor, një aktivitet më privat i artistit. Duke nxjerrë në pah vizatimet në dialog me pikturat, ekspozita e fundit demonstron se si Freudi e përdori vizatimin jo thjesht si përgatitje, por si një mjet thelbësor për vëzhgim, eksplorim dhe kuptim të subjekteve të tij. Ai iu rikthye vizatimit seriozisht vetëm në mesin e viteve ‘70, kur piktura e tij kishte arritur pjekurinë e plotë. Në vitin 1982, pas një pauze 34-vjeçare, ai iu rikthye gdhendjes, të cilën e konsideronte si një “formë vizatimi”.

Ekspozita po ashtu e përfshin një vepër që nuk është shfaqur kurrë më parë në publik. Është një pllakë e gdhendur e Jeremy Kingut, një mik i mirë i tij. 

Howgate thotë se ia vlen të shihet nga afër. “Është kjo pllakë e gdhendur e jashtëzakonshme që ndodhej në kavaletën e Lucian Freudit kur ai vdiq. Është pothuajse e përfunduar, por jo plotësisht. Ka disa vija me shkumës. Ka një vijë me shkumës pas kokës së Jeremy Kingut, që tregon oxhakun pas tij.

Ka shenja me shkumës në jakën e xhaketës së tij, në këmishë dhe në kravatë. Ato shenja do të thoshin se Freudi do t’i gdhendte më pas ato vija, por nuk arriti ta bëjë kurrë. Dhe kështu ajo pllakë nuk mund të shtypet e të shndërrohet në një gravurë”, ka thënë ajo.

Freud pikturoi portrete të njerëzve që i donte si, Jacquetta Eliot, me të cilën pati një fëmijë.

Gjithashtu pikturoi njerëz që i takoi dhe i gjeti interesantë, si Leigh Bowery, një artist performues nga skena e klubeve londineze të viteve ‘80.

Por të pranoje të pozoje për Freudin ishte një angazhim i madh.

“Të ishe model që pozon për Lucian Freudin ishte përvoja më e vështirë, më e gjatë dhe më e dhimbshme. Duhej të ruaje të njëjtën peshë, nuk mund të shkoje jashtë vendit për t’u nxirë në diell, nuk mund të shkurtoje flokët, dhe ai pikturonte nga herët në mëngjes deri vonë në mbrëmje, dhe ti duhej të ishe gjatë gjithë kohës në studio dhe t’i përmbaheshe regjimit të tij. Përfitimi i të qenit model për Freudin, ishte se e njihje dhe e shihje nga afër njeriun prapa veprave. Dhe ai ishte një yll i vërtetë”, ka thënë kritikja e artit, Estelle Lovatt.

Për Freudin, kapja e imazhit njerëzor, me të gjitha të metat, ishte thelbësore. Ai njihej për studimin e drejtpërdrejtë dhe të papërmbajtur të trupit. Dhe Lovatt beson se ai do të ishte i pakënaqur me prirjen e mediave sociale drejt imazhit perfekt.

“Nëse Freud do të ishte gjallë sot duke bërë portrete, ai do ta urrente absolutisht përdorimin e ‘fotoshopit’. Për të, personi dhe gjithçka rreth tij ishin të rëndësishme. Jo t’i bënte të dukeshin si modele artificiale. Ai donte realitetin”, ka thënë ajo. 

Ekspozita “Lucien Freud: Nga vizatimi në pikturë” do të qëndrojë e hapur prej 12 shkurtit deri më 4 maj.