Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Gara me fotografi për ajrin e ndotur

Ambasada e Suedisë në Kosovë ka ndarë çmimet për fotografinë më të mirë me tematikë për cilësinë e ajrit. Leonora Aliu ka marrë çmimin e parë, ndërsa të dytin Shqipe Maçastena. Arben Llapashtica doli i treti.

“Let’s Talk About Air” është slogani që ka mbledhur 10 fotografitë më të mira në kuadër të garës për fotografinë, që pasqyrojnë problemin me cilësinë e ajrit në Kosovë. Kjo garë u organizua nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë.

Ceremonia për shpalljen e tri fotografive më të mira është mbajtur në bibliotekën “Hivzi Sulejmani”, të premten në mesditë.

Ambasadorja e Suedisë, Karin Nernmarck Ahliny, përgëzoi pjesëmarrësit e garës dhe në fjalën e saj ka folur për gjendjen jo të mirë të ajrit në vend.

“Këtë garë e kemi mbajtur për t’i dhënë vëmendje çështjes së ndotjes së ajrit në Kosovë. Gara është realizuar me hashtagun ‘Let’s Talk About Air’ dhe e kemi hapur kampanjën që disa muaj për të inspiruar se si ta adresojmë këtë çështje dhe çfarë mund të bëjmë si qytetarë”, është shprehur ambasadorja Ahlinny.

Edhe “Dostat e Janjevës” dialog imazhesh me shkrepjet që i ndan dekada Kulturë 3 muaj më parë “Dostat e Janjevës” dialog imazhesh me shkrepjet që i ndan dekada

Pas përfundimit të konkursit, në garën e ngushtë janë përzgjedhur dhjetë fotografi të ndryshme, të cilat ekspozuar në muret e bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, aty ku edhe janë shpërblyer tri vendet e para nga vetë ambasadorja.

Çmimin për fotografinë më të mirë e mori Leonora Aliu, e cila nëpërmjet fotografisë bardhezi që ka shkrepur ajo, ka adresuar thjesht problematikën. Fotoja paraqet një djalosh teksa shëtit në rrugët afër termocentraleve në Obiliq, ku prapa tij shihen tymtarët.

Sipas fitueses së çmimit të parë, Leonora Aliu, ky konkurs ishte i nevojshëm, duke pasur parasysh që Kosova është ndër vendet me ajrin më të ndotur, jo vetëm në rajon por edhe në botë.

Image
Fotografia e Leonora Aliut që mori Çmimin e parë

“Fotografia është realizuar komplet spontanisht, kam qenë aty me punë dhe pastaj e kam shikuar lagjen sa e ndotur është dhe rastësisht kanë qëlluar disa fëmijë sikurse ky që shihet me biçikletë duke kaluar”, ka thënë Aliu.

Për të është hera e parë që merr pjesë në një konkurs të fotografisë, ndonëse pasionin e saj e aplikon tash e tre vjet

Edhe Ftohja e motit rikthen ndotjen e lartë të ajrit Arbëri 6 muaj më parë Ftohja e motit rikthen ndotjen e lartë të ajrit

Vendi i dytë i takoi Shqipe Maçastenës për peizazhin e Parkut të Gërmisë. Me një pamje në dukje të parë të zymtë, ajo ka paraqitur një nga rrugët e Parkut të Gërmisë, porse e mbuluar plotësisht me smogun e krijuar nga termocentralet.

“Derisa unë isha këtu duke realizuar fotografinë në Gërmi niveli i ndotjes së ajrit ishte në nivel shumë të lartë, prandaj dukej sikur toka po na bënte thirrje të kujdesemi më shumë për ambientin tonë”, ka thënë Maçastena.

Image
Fotografia e Shqipe Maçastenës, Çmimi i dytë

Ajo më tutje bën thirrje për vetëdijesim dhe ndërgjegjësim ndaj ambientit.

Ndërsa i treti u rendit Arben Llapashtica, që me syrin e tij artistik ka kapur një pjesë të qytetit të Prishtinës nën trysninë e ajrit të ndotur.

Edhe Rritet ndotja e ajrit gjatë dhjetorit Arbëri 7 muaj më parë Rritet ndotja e ajrit gjatë dhjetorit
Image
Fotografia e Arben Llapashticës, Çmimi i tretë

Nga kambanorja e katerdralës “Nënë Tereza”, Llapashtica ka arritur të kapë pjesën e lagjes “Dardania” të Prishtinës, teksa shihet se si smogu ka mbuluar objektet në atë pjesë.

Dhjetë fotografitë finaliste do të qëndrojnë të ekspozuara në hapësirën e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” për një muaj prej orës 08:00 deri në 19:00.