Kulturë

Galeria Kombëtare shënon Ditën Botërore të Artit me vepra nga koleksioni

Veprat e pionierëve të artit pamor në Kosovë janë ekspozuar sot në Galerinë Kombëtare të Kosovës për të shënuar Ditën Botërore të Artit.

Organizatorët kanë thënë se kanë vendosur që t’i prezantojnë veprat nga koleksioni i GKK-së për të shënuar këtë ditë me rëndësi të veçantë për komunitetin artistik të Kosovës.

Kjo ngjarje është shënuar edhe duke parë nevojën e integrimit dhe përfaqësimit të artistëve kosovarë në arenën ndërkombëtare dhe anëtarësimin në asociacione dhe shoqata në mbarë botën nën ombrellën e UNESCOS.

Kamuran Goranci, udhëheqës i Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës, ka theksuar nevojën e hartimit të ligjit për statusin e artistit në Kosovë.

Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, ka thënë se do të krijojnë një model më të avancuar të dialogut dhe të realizimit të punëve të përbashkëta.

“Jemi të lumtur që edhe ne si Kosovë jemi pjesë e kësaj ngjarjeje me synimin që të vazhdojmë edhe me hapa të tjerë të bashkëpunimit ndërkombëtarë në fushën e artit”, ka thënë Çeku.

Organizata të ndryshme në bashkëpunim me UNESCO-n themeluan Ditën Botërore të Artit, dhe për të shënuar atë zgjodhën 15 prillin, për nder të ditëlindjes së Leonardo da Vincit.