Kulturë

“Galeria 17” kërkon mbështetje në nisje të rrugëtimit për ekspozita të guximshme

Një punëtori mekaniku. Këtë funksion e kishte pasur hapësira në të cilën do të nisë punën galeria më e re në kryeqytet. Është pagëzuar me emrin “Galeria 17”. Misionin e ka të qartë. “Një hapësirë për edukim, aktivizëm dhe eksperimentime artistike të guximshme. Një galeri për lagjen, qytetin dhe gjithë komunitetin artistik”, është përshkrimi që i bëhet. Për të nisur rrugëtimin e saj ka nevojë për mbështetje. Ka kërkuar ndihmën e komunitetin që të mund të mbulojë shpenzimet për të nisur punën më shpejt. I duhen 15 mijë euro. Për këtë tashmë është nisur edhe një kërkim i donacioneve në platformën “Kosova Ideas”.

Galeria është duke u hapur nga fondacioni “Shtatëmbëdhjetë”. Nita Zeqiri dhe Ajete Kërqeli, themeluese të Fondacionit “Shtatëmbëdhjetë” në Prishtinë, kanë treguar se “Shtatëmbëdhjetë”, si vazhdimësi e realizimit të misionit të vet dhe kontributit në skenën artistike po i sjell Prishtinës një hapësirë të re ekspozuese: “Galerinë 17”.

“Galeria do të ketë fokus të veçantë në çështjet sociale. Artistë dhe kuratorë do të ftohen të eksperimentojnë me konceptet, idetë dhe hapësirën, duke ofruar ekspozita të guximshme që krijojnë dialog dhe nxisin diskutime publike”, ka bërë të ditur dyshja.

Në një njoftim të publikuar nga Fondacioni “Shtatëmbëdhjetë”, ku janë bërë të ditura disa detaje për Galerinë dhe donacionin, është theksuar se “Galeria 17” do të ketë një fokus të veçantë ndaj çështjeve sociale.

“Artistët dhe kuratorët janë të ftuar të eksperimentojnë me konceptet, idetë dhe hapësirën, duke ofruar ekspozita me përmbajtje të guximshme që krijojnë dialog dhe nxisin debat publik”, është shkruar aty. Tutje është treguar se përkrahja e komunitetit do t’ia shtojë vlerë këtij projekti dhe do të ngrejë zërin për rëndësinë e institucioneve të pavarura dhe gjithëpërfshirëse, të cilat ofrojnë struktura cilësore në shërbim të infrastrukturës së munguar dhe tejet të nevojshme me synim vetëqëndrueshmërinë.

“Shtatëmbëdhjetë” është një organizatë jofitimprurëse e themeluar në Prishtinë, në vitin 2018. E përqendruar në përvojën dhe nevojën për të rifunksionuar hapësirat publike, “Shtatëmbëdhjetë” është regjistruar si një fondacion që synon të nxisë ndryshime pozitive në shoqëri përmes kulturës dhe kreativitetit. Sipas përshkrimit të fondacionit, mision i tyre është që të përmes aktivizmit kulturor të nxisin zhvillim shoqëror.

“Shtatëmbëdhjetë” ka tri programe: art dhe kulturë, aktivizëm shoqëror dhe “Project Space”. Ani pse me lokacion në Prishtine, përmes aktiviteteve të ndryshme, deri sot ka mbuluar gjithë rajonet e Kosovës.

“Shtyrë nga një skenë e pavarur artistësh të talentuar, të motivuar dhe pa përfaqësim ndërkombëtar në një sistem arti të brishtë, si dhe me një infrastrukturë minimale të artit bashkëkohor, ‘Shtatëmbëdhjetë’ ka marrë përsipër detyrën për të riartikuluar të gjithë aktivitetin, përfshirë ‘Galerinë 17’”, është shkruar në njoftimin e postuar nga Fondacioni.

Tutje është treguar se “Galeria 17” vjen si një dëshirë dhe nevojë për përfshirje dhe qëndrueshmëri të një skene artistike në fermentim, ku nevoja për hapësira të reja eksperimentimi është jetike.

“E vendosur jo në qendër, por në një nga lagjet më të vjetra të kryeqytetit, galeria mund të perceptohet si hapësirë ​​e një guaske kërmilli që lind me moluskun që rritet, përshtatet dhe transformohet në varësi të nevojave të zhvillimit, ashtu si hapësira e zakonshme publike pasqyron strukturën tonë shoqërore brenda labirinteve të përparimit urban”, është shkruar aty.

Ekipi i “Shtatëmbëdhjetë” ka thënë se sigurimi i një hapësire gjithëpërfshirëse për kërkimin, edukimin, aktivizmin, eksperimentimin artistik si dhe krijimin e kushteve për përfaqësimin e artit dhe artistëve mbetet një qëllim në vetvete. Në anën tjetër, është thënë se mision i “Galerisë 17” është që të nxisë reflektimin kritik duke identifikuar dhe mbështetur zëra të guximshëm që mundësojnë perspektiva të reja përmes praktikave të artit bashkëkohor.

Ekipi ka bërë të ditur se më mbështetjen e komunitetit, ata do të jenë në gjendje të vazhdojmë rinovimin e hapësirës që do të shërbejë jo vetëm si galeri, por edhe si hapësirë ​​eksperimentale për artistët. Galeria gjendet në rrugën “Henrik Bariç”, afër Muzeut Etnologjik.

“Mbështetja juaj përveçse do të na ndihmojë ta bëjmë hapësirën të përdorshme, në afat të shkurtër dhe afatgjatë do të kontribuojë në krijimin e kushteve për kërkime, edukim, aktivizëm dhe eksperimentime artistike”, kanë bërë të ditur ekipi i fondacionit “Shtatëmbëdhjetë”.

Dyert, dyshemetë dhe restaurimi i pllakave do të jenë vetëm disa nga aspektet që do të ndihmojnë në përshtatjen e hapësirës së galerisë. E pasi të kenë kryer ndërhyrjet e para, ekipi do të ketë nevojë për pajisje dhe instalim të ndriçimit, paneleve dhe inventarit të nevojshëm. Synim i tyre është ta bëjnë këtë hapësirë ​​funksionale me një sërë punimesh që do ta bëjnë galerinë të arritshme dhe në të njëjtën kohë do t'u përgjigjet nevojave të komunitetit artistik për të ekspozuar veprat e tyre dhe më shumë.