Kulturë

“Galeria 17” në ish-punëtorinë e automekanikut pyet për rolin e artit

Dikur ka qenë punëtori automekaniku, afër atyre që janë monumente, si Hamami i Madh i Prishtinës a Kompleksi “Emin Gjik”. Objekti u braktis, por jo edhe legjendat për të. Njëra prej tyre thotë se brenda mund të ketë pasur ndonjë kalendar të moçëm, për shembull me portretin e Zana Nimanit, të grupit jugosllav “Zana”. Tash, një varg i një kënge të saj bëhet titull ekspozite, që bashkon pesë artiste prej vendeve që dikur i takonin ish-Jugosllavisë. Ekspozita vjen si pyetje mbi rolin e artit në komunitet, por ajo peshon edhe më, meqë me të hapet një galeri e re në kryeqytet – “Galeria 17”

Fondacioni “Shtatëmbëdhjetë”, që nga themelimi tre vjet më parë, në qendër të tij kishte krijimin e një hapësire që mund të shërbente si strehë për të thurur rrëfime të reja dhe eksperimentale, të cilat më pas mund të marrin forma të ndryshme. Me hapjen e “Galerisë 17”, misioni i tyre forcohet edhe më.

“Make me coffee make me a sandwich” është titulli i ekspozitës që nisi shkrimin e historisë së galerisë me të re në kryeqytet. Titullin e merr nga një varg i këngës “Dodirni mi kolena” të grupit të njohur në kohën e Jugosllavisë, “Zana” me Zana Nimanin si vokaliste. Rruga deri te hapja e “Galerisë 17” – afër Hamamit të Madh të Prishtinës e kompleksit “Emin Gjik” – nuk qe aspak e lehtë. Fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” kërkoi mbështetje edhe nga komuniteti. Ky i fundit do të jetë shfrytëzuesi më i madh i galerisë që mbush boshllëkun që ekziston në skenën artistike. Vjen si nevojë për krijimin e hapësirave ekspozuese ku artistët, por jo vetëm, mund ta shprehin artin e tyre.

Nita Zeqiri, bashkëthemeluese e “Shtatëmbëdhjetë”, ka thënë se galeria ka për qëllim krijimin e një hapësire ku mundësohet dëgjimi i zërave të artistëve që eksperimentojnë dhe krijojnë diskutime e dialog me publikun.

“Tentojmë që kjo galeri të mundësojë krijimin e dialogëve të shumtë përmes prezantimit të punës së artistëve dhe kuratorëve të ndryshëm, mundësinë e krijimit të një hapësire ku mund të ketë eksperimentim dhe të vërë në dialog tema të ndryshme të cilat janë të rëndësishme të trajtohen brenda dhe jashtë vendit”, ka thënë ajo.

Programi i sivjetmë i galerisë ka disa shtylla dhe nis me të parën, që është “Skanimi i regjionit”. E ekspozita “Make me coffee make me a sandwich”, që ka bërë bashkë pesë artiste, është nismëtarja e skanimit.

Koncepti kuratorial është ndërtuar duke pasur në mendje pikërisht komunitetin vibrues që e rrethon Galerinë e që epiqendër e ka fondacionin “Shtatëmbëdhjetë”.

Kuratorja malaziase, Natalija Vujoshevq, ka thënë se ekspozita vjen më shumë si një ushtrim për komunitetin për të krijuar mënyra të reja të të menduarit dhe forcim të marrëdhënieve.

“Kam vënë në pyetje se çfarë do të thotë që arti të mbizotërojë në komunitetin dhe cili është qëllimi i sotëm i artit në një komunitet. Pra, kështu kam dashur që të fokusohem në një program që përfshin artin e komunitetit, artistët, por gjithashtu në një formë të jetë një ushtrim se si ne mund të zëmë disa hapësira që sot në neolibero-kapitalizëm mund të zihen për të ndryshuar atmosferën në të cilën jetojmë”, ka thënë Vujosheviq.

Prandaj, kuratorja nisi gjithçka nga “Galeria 17”, duke krijuar një legjendë dhe duke u dhënë mundësi për të krijuar mitologji të reja.

Legjenda për “Galerinë 17” thotë se në punëtorinë e braktisur të një automekaniku, ku tani zë vend galeria, shpirti i gruas në kalendarin e murit, vinte në jetë. Sipas legjendës, fqinjët thoshin se gjatë natës mund të dëgjohej shpirti i gruas duke kërcyer, ajri mbushej me këngën e saj, e cila dikur ishte një himn i popit jugosllav, nga Zana Nimani, prej vitesh larg nga skena e jeta publike, por fort e njohur me “Dodirni me kolena” të 1982-s.

“Kam dashur që të imagjinoj një program ku njerëzit mund të shpikin mite dhe legjenda dhe të pushtojnë këtë hapësirë për të parë se si kjo mund të ndryshojë imagjinatën e komunitetit”, ka thënë ajo.

Për këtë ekspozitë, bashkë janë bërë artistet: Eljesa Beka, Azize Ferizi, Laureta Hajrullahu, Lori Lako, Milica Mijajloviq dhe Barbara Prenka.

“Kam vendosur që të ftoj artiste të cilat merren me mitologji personale, transfiguracione personale, e të cilat me veprat e tyre po kthejnë vështirësitë e përditshme të grave në fuqi. Në fakt tregojnë shoqëritë dhe qytetet e mbuluara nga një mjegull e madhe, duke menduar për këtë mallkim që disi është vendosur në shoqëri nga burrat dhe si mundemi ne në një mënyrë ta largojmë”, ka thënë Vujosheviq.

Kështu, kjo ish-punëtori automekaniku, tani galeri, është e zënë nga artiste ku secila reflekton përvojat, duke qenë pjesë e kësaj botë, duke pushtuar këtë hapësirë të sapo shndërruar. Pushtimi i tyre ndryshon karakterin e hapësirë, shpirti i tyre merr frymë dhe depërton duke forcuar komunitetin që në qendër e ka nevojën për veprime dhe nevojë për hapësirë si një vend për bashkëprodhim të dijes dhe praktikave të të jetuarit.

Artistja Azize Ferizi përmes pikturës prezanton një grua të re dhe të fuqishme e dominuese, e cila sundon hapësirën. Ajo ekspozon për herë të parë në Prishtinë, pasi që jeton në Gjenevë të Zvicrës.

“Veprat kanë të bëjnë më shumë për atë se si unë si grua ndihem në ambientet shtëpiake, por edhe në ato publike, por gjithashtu edhe se si qysh si fëmijë me prindër refugjatë, u përballëm me këto kultura të përziera. I gjithë koncepti vizual ka të bëjë me hapësirën dhe vendin që ne zëmë si vend, janë më shumë punime figurative me personazhe gra”, ka thënë ajo.

Image
Artistja Azize Ferizi përmes pikturës, prezanton një grua të re dhe të fuqishme e dominuese, e cila sundon hapësirën

Pikërisht jeta mes dy kulturave të ndryshme ka bërë që ajo të dëgjojë mitet e legjendat që i janë ngulitur në kokë.

“Janë si rrëfime që tregohen vazhdimisht dhe kanë shumë ndikime tek unë dhe në mënyrën time vizuale të të parit gratë në hapësirë dhe si përballem me atë”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër Laureta Hajrullahu, me veprën e saj “Touching systems, can’t they see? It’s all chroma-green”, nuk është larguar nga praktika e saj e dërgimit të publikut në një realitet virtual.

“Vepra vë në pyetje gjininë në videolojëra dhe si komuniteti i lojërave i trajton ato”, ka thënë ajo, duke shtuar se kufijtë mes trillimit dhe realitetit në fushën digjitale janë të paqartë.

Image
Laureta Harjullahu, me veprën e saj “Touching systems, can’t they see? It’s all chroma-green”, nuk është larguar nga praktika e saj e dërgimit të publikut në një realitet virtual

Një ekran i vogël ku zhvillohet një video-lojë ishte vepra e saj që vinte si sfidim i pozitave dominuese në pushtet dhe patriarkatit, duke ofruar një mundësi për ndërveprim.

“Mbi mjegullën, turbullirën dhe paqartësitë e tjera”, titullohet vepra e Lori Lakos. Videoja paraqet një qytet që gjatë gjithë kohës është në mjegull, por me kalimin e kohës zbulon edhe peizazhin që është përreth dhe tregon se kjo mjegull është krijuar nga dy persona që mbanin në duar një rrjetë të bardhë.

“Është një punë e cila reflekton mbi situatën historike që po kalojmë të gjithë pas COVID-it, bota, ku në një mënyrë të gjitha ato qartësitë tona filluan të turbulloheshin”, ka thënë Lako. Ka shtuar se në njëfarë mënyre, ajo vë në dukje edhe rëndësinë e këndvështrimit ose përgjegjësinë e vëzhgimit të gjithsecilit prej nesh.

“Është shumë interesante që në këtë ekspozitë, ideja e paqartësisë, e një lloj pezulli, ‘suspense’ qëndron në ajër edhe me këtë tymin që ne po shohim. Dhe ka qenë shumë interesante për mua që të njoh edhe artistet e tjera që janë pjesë e ekspozitës dhe të bëhem pjesë e ekspozitë së parë të ‘Galerisë 17’”, ka thënë ajo.

Image
“Mbi mjegullën, turbullirën dhe paqartësitë e tjera”, titullohet vepra e Lori Lakos. Videoja paraqet një qytet që gjatë gjithë kohës është në mjegull

E artistja Milica Mijajloviq në video-esetë e saj poetike në veprën “My potion, my song” përdor procesin e ringjalljes, elementet e historitë komplekse të hapësirës nga ajo vjen. Ajo sikur thërret lindjen e një karakteri të fuqishëm femëror të krijuar nga kënga dhe dhimbja, duke e shndërruar atë në një qenie fuqie e dashurie.

E kolona zanore e ekspozitës “Terminal” e realizuar nga artistja Eljesa Belka në të cilën ajo përfshin edhe vargje të poezisë, ia shton finesen ekspozitës dhe thekson multidisiplinaritetin brenda saj. Në anën tjetër, vepra e Barbara Prenkas, mungon. Në vend të saj është vendosur një shënim ku tregohet se ajo do të shpaloset më 1 dhjetor. Ekspozita është zhvillimore dhe në ditët në vazhdim do të ketë edhe takim me komunitetin, banorët e lagjes, darkë e muzikë dhe ritual vallëzimi.