Kulturë

“Fustani i kuq” i përjetimeve lidh edhe histori refugjatësh nga Kosova

Çdo pe nëpër materialin e “Fustanit të kuq” të disenjatores, Kristie Macleod, është lidhur me rrëfime të njerëzve që e kanë qepur. Çdo rruazë, çdo dizajn që ata ia shtojnë është një pikë gjeografike. Së bashku krijojnë një hartë, pasqyrë të jetesës në këtë botë të njerëzve të margjinalizuar. Aty nuk mungon as Kosova, vuajtjet e dëshirat e shqiptarëve që u bënë refugjatë

Nisi si një vizatim në faculetë këtu e më shumë se një dekadë më parë, por është rritur në një projekt kolektiv global që ka përfshirë qindra njerëz nga e gjithë bota. Është shpalosur edhe në Kosovë, fillimisht në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, e një ditë më pas edhe në galerinë “Qahili”, të enjten mbrëma.

Quhet “Fustani i kuq” dhe nisi të marrë formë më 2009, nga artistja londineze, Kristie Macleod, e cila merret me qëndisje tash e 16 vjet.

Gjithçka filloi si një hulumtimin rreth identitetit të saj, një dëshirë për t’u lidhur me gratë nga e gjithë bota pa pasur ndonjë kufi e pengesë përpara. Tash e 12 vjet, fustani vë në pash potencialin që përmes artit të dëgjohen zëra që më parë nuk janë dëgjuar. “Fustani i kuq” tashmë mundëson komunikimin e shumë njerëzve që ndoshta asnjëherë nuk do të takohen me njëri-tjetrin.

I ekspozuar në galerinë në periferi të kryeqytetit, një vend ku më herët nuk janë ekspozuar fustane, por vetëm piktura e skulptura, fustani i qëndisur nga 231 gra e 4 burra, kthen vëmendjen nga Kosova, nga lufta, nga kujtesa kolektive dhe nga arti si mjet për t’i tejkaluar traumat.

Mes grave që qëndisën fustanin janë edhe Feride dhe Fatime Halili, të cilat të pavetëdijshme se fustani do t’i kthejë në Kosovë i kishin dhuruar atij disa zogj ngjyrë të bardhë dhe logon e hyjneshës. Të dala në Londër për shkak të luftës së fundit në Kosovë, ato do të kërkonin lirinë dhe kthimin në atdhe pasi që, siç kishin thënë vetë, derisa gjersa kishin qëndisur fustanin, “më mirë një dimër në vendlindje, sesa 100 pranvera larg saj”. Dy motrat ishin pjesë e organizatës “Sister Stiches”.

Image
Ekspozita ishte ndërtuar edhe nga disa zogj – të njëjtë si ata që i kishin vizatuar motrat Halili – punuar si skulptura nga gratë që janë pjesë e organizatës “Manchester Aid to Kosovo”

Vetë Kristie Macleod ka thënë se për shumë gra ky fustan është bërë një platformë për t’u dëgjuar e për të komunikuar me të tjerët. Mirëpo, në fillim të procesit ka treguar se ishte e vështirë që të shpjegohej se çfarë kërkonte, por që me kohë gjithçka ishte më e lehtë.

“E gjithë puna ime ka të bëjë me lidhjen në mes të njerëzve dhe rrobave, dhe është një çështje e madhe, por definitivisht përmes rrobave mund të bartësh mesazhe, të ndryshosh mënyrën se si njerëzit ndihen, mund të komunikosh e të tregosh për identitetin e dëshirat e tua. Ato që e kanë veshur këtë fustan thoshin se i bënte që të ndiheshin të lidhura me gratë e tjera, ndiheshin të fuqishme pasi që janë në mes të gjithë kësaj pune dhe këtyre zërave”, ka thënë ajo.

Ka shtuar se kjo e bën të mendojë se kjo është e fuqishme për shumë gra dhe të konsiderohet një vepër shëruese në një formë për ata që e shohin. Sipas saj, vizatimet e motrave nga Kosova janë ndër më të fuqishmet që ka fustani. Ekspozita ishte ndërtuar edhe nga disa zogj – të njëjtë si ata që i kishin vizatuar motrat Halili – në formë skulpturash punuar nga gratë që janë pjesë e organizatës “Manchester Aid to Kosovo” (MaK). Edhe në zogjtë e ekspozuar ashtu si ata në fustan ishin qëndisur fjalët si liri e paqe.

Po ashtu, u ekspozua edhe një tapiceri e madhe në të cilën ishin qepur rrëfimet e disa grave kosovare që janë pjesë e kësaj organizate, por edhe rrëfime të marra nga arkivi i historisë gojore të “Manchester Aid to Kosovo”, “Voices of Kosovo in Manchester” (www.vokim.org), i cili ruhet dhe është i qasshëm në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe Muzeun e Luftës Perandorake në Londër.

Pamela Dawes, pjesë e organizatës “Manchester Aid to Kosovo” ka thënë se zogjtë, por edhe tapiceria janë shfaqur në shumë vende të botës deri më tani duke shërbyer si një thirrje për të qenë të lirë.

Image
Po ashtu, u ekspozua edhe një tapiceri e madhe, në të cilën ishin qepur rrëfimet e disa grave kosovare që janë pjesë e kësaj organizate, por edhe rrëfime të marra nga arkivi i historisë gojore të “Manchester Aid to Kosovo”, “Voices of Kosovo in Manchester”

“Pas Parisit, Meksikës dhe Italisë isha e emocionuar të mësoj se ‘Fustani i kuq’ po vjen në Kosovë. Kështu, mesazhi që dëshiroj të jap është se Kosova nuk është diku në një vend të largët e të vogël, por që ju jeni në hartën e madhe edhe se artistët e krijuesit tuaj janë në të njëjtin nivel, e ndoshta edhe më lartë, kështu që le të shohim më shumë bashkëpunime ndërkombëtare me Kosovën”, ka thënë Dawes.

Sipas saj, arti mund të jetë shumë shërues, por që gjeneratat e reja nuk kanë eksperienca që lidhen me luftën, prandaj, sipas saj, duhet lënë që ata të jenë të lirë dhe të shfaqin potencialin e tyre.

Nita Qahili nga galeria “Qahili” ka thënë se historia e punimit nga “Manchester Aid to Kosovo" dhe e fustanit kombinohen shumë mirë në këtë ekspozitë. Sipas saj, ato arrijnë që të komunikojnë me publikun duke ndikuar kështu në ruajtjen e kujtesës kolektive. E kjo, sipas saj, është e veçantë, kur nuk vjen nga një pikturë, fotografi, a skulpturë, por nga një fustan të cilin gra dhe burra nga vende të ndryshme e kanë qëndisur dhe nga tapiceri e zogjtë të punuar me dorë.

“Kanë arritur të realizojnë një fustan shumë të veçantë që përmban në vete shumë kultura, tradita, kujtesë kolektive e që e bën edhe më unike e që dallon edhe prej gjërave të tjera”, ka thënë ajo.

Ka shtuar se shpresojnë që njerëzit të kuptojnë që jo vetëm në Kosovë ka ndodhur lufta dhe të lidhen edhe me rrëfimet e tjera.

“Jo vetëm në Kosovë kanë ikur njerëzit, por në çfarëdo konflikti apo periudhe njerëzit janë detyruar që të ikin dhe çdoherë ai grup i njerëzve në forma të ndryshme, përmes artizanatit apo artit, është arritur të prezantohet një pjesë shumë e veçantë e jetës së tyre që e kanë ndërtuar më pas”, ka thënë ajo.

Fustani qëndroi vetëm katër orë në galerinë “Qahili”, përballë një pikture të artistit Eshref Qahili, të realizuar në vitin 2002. Në të ai kishte shpërfaqur gjendjen në Kosovën e pasluftës: flakën që kishte marrë vendi, viktimat e humbura, por edhe shpresën për ditë të mira. Kështu vetë Galeria – që priti dhjetëra artistë që nga vitit 2013, kur u themelua e deri më tani – e veçanërisht piktura e Qahilit sikur bashkëbisedonin me “Fustanin e kuq”, i rrëfenin njëri-tjetrit përjetimet e tyre.

Image
Fustani qëndroi vetëm katër orë në galerinë “Qahili”, përballë pikturës së artistit Eshref Qahili, të realizuar në vitin 2002. Në të ai kishte shpërfaqur gjendjen në Kosovën e pasluftës