Kulturë

“Frymë shqiptare” si një thirrje për veprat e harruara

Koncerti i dytë i edicionit të sivjetmë të “ReMusicas” shkon përtej interpretimit. “Frymë shqiptare” erdhi edhe si thirrje për nxjerrjen nga harresa të krijimtarisë muzikore shqipe. Me 17 vepra të 9 kompozitorëve nga Shqipëria e Kosova, Merita Rexha-Tërshana ka dëshmuar mjeshtërinë e saj. Po ato i ka harmonizuar si një thirrje vëmendja institucionale ndaj tyre

Tingujt muzikorë mund të dalin përtej të qenit pjesë e partiturës dhe mund të zhyten brenda vargjeve poetike për atdheun, kombinimeve të ngjyrave të natyrës. Ky ritëm mund të marrë me vete shikues të huaj dhe t’i dërgojë në lokalitetet ku tradicionalja gërshetohet me klasiken.

E në secilin nga takimet e gishtërinjve me pianon, një gjë mund të vihet re: pesha e prejardhjes në formimin e personalitetit profesional e personal.

E tëra kjo u ndje përgjatë recitalit pianistik, “Frymë shqiptare”, e cila nën interpretimin e Merita Rexha – Tërshanës solli mbrëmjen e së mërkurës një paletë veprash ndër më të njohurat të kompozitorëve shqiptarë, në edicionin jubilar të festivalit ndërkombëtar të muzikës, “ReMusica”. Qenë vepra që frymëzimin e kanë nga motivet e prejardhjes së kompozitorëve të tyre, e që janë përbashkues të melodive, fryma e të cilave portretizon muzikalisht një dedikim për krijimtarinë vendore në koncertin e dytë, i cili bëri që salla “1 Tetori” të kumbojë me klasiken, në mungesë të publikut fizik e me prani të virtuales.

Ishin Çesk Zadeja, Tonin Harapi, Kozma Lara, Feim Ibrahimi, Limos Dizdari, Aleksandër Peçi, Rafet Rudi, Fahri Beqiri dhe Ersan Januzi, ata të cilët me krijimet e tyre artistike bënë që motoja e sivjetme “Rikthimi prapa” të përmbushej plotësisht.

Në videon e shpërndarë në faqen zyrtare të “ReMusicas”, pianistja Merita Rexha-Tërshana nga monumenti NEWBORN kalon te vendi prej ku me veprën “Prelud” të Zadesë, buçasin tingujt e muzikës shijehollë.

Publiku imagjinues

Pak orë pas koncertit, Merita Rexha – Tërshana ka thënë për KOHËN se nuk e mban në mend se për sa vjet ka performuar në “ReMusica”, festivali që ajo thotë ta ketë për zemër.

“Kur i pashë fotografitë e kuptova që shpesh kisha mbyllur sytë për të imagjinuar një tjetër gjë, një sallë me publik i cili po ndante në ato çaste të njëjtat ndjesi me mua”, ka thënë pianistja, teksa ka shtuar se e ka ndier mungesën e publikut.

E në edicionin që po organizohet në formatin hibrid, me transmetimin e koncerteve në mënyrë digjitale, ndërkaq të ligjëratave në format fizik, Rexha - Tërshana u shfaq me xhubletë.

“Veshja që kisha është e frymëzuar nga kostumi tradicional çam, nga e kam prejardhjen”, ka thënë ajo për kostumin, kreacion i Ardi Asllanit.

Sipas saj, ishte tejet e natyrshme veshja e një kostumi shqiptar, teksa pikërisht luante edhe muzikën vendore.

Në anën tjetër, ajo në videon e “ReMusicas” kishe thënë se të gjitha veprat, të cilave u ka dhënë jetë përmes lëvizjes së gishtërinjve, kanë ndikuar në formësimin e saj pianistik.

“Veprat e Zadesë, Harapit, Larës më kujtojnë fëmijërinë dhe kohën kur kam qenë studente dhe vijnë tek unë me gjithë përjetimet, nostalgjinë e parfumin e asaj kohe”, thotë ajo, teksa e dëshmon lidhjen emocionale me këto krijime.

Melodi që prekin kujtimet

Ndër të gjitha këto vepra që i mban në mend që në fëmijëri, me të cilat edhe ajo është rritur profesionalisht e shpirtërisht, pianistja veçon krijimin e Harapit.

“’Një vals i bukur’ i Harapit, është melodia e parë që kam dëgjuar ne piano, isha vetëm 6 vjeç dhe kurrë nuk do ta harroj se sa i mrekullueshëm m’u duk tingulli i pianos në atë melodi”, e thotë me emocion.

“Humoreska” me ritmin e lojën e gjallë të tingujve e “Tokata” me meloditë goditëse të Çesk Zadejës; “6 miniatura” e “Romanza si një përshkrim melodik i dashurisë, “Vals”, “Një dhimbje e vogël”, “Ja gëzimi vjen përsëri”, e “Vallja e xhuxhave” e Tonin Harapit; “Balada nr.3” e Kozma Larës; “Tokata” e Feim Ibrahimit me gjallërinë ritmike, “Peisazh dhe valle” e cila nis me tone të qeta bëhet një pasqyrim i emërtimit nga Limos Dizdari; “Valle brillante çame” e Aleksandër Peçit si një përbashkim i dy këngëve në një të muzikës klasike, “Etude nr.1” e Rafet Rudit, kujtimi për Fahri Beqirin nëpërmjet “Scherzos” së tij dhe në fund “Motive Sh’” si premierë botërore dhe porosi e Festivalit nga Ersan Januzi qenë margaritarët që ka përzgjedhur pianistja.

Sipas saj, interpretimi i veprave shqiptare përtej misionit është kënaqësi, teksa ndan edhe përvojën e saj të mbështetjes nga një emër të cilin e vlerëson tej mase.

“Nuk e kuptoja çfarë fati kisha që Çesk Zadeja vinte në koncertet e mia. Isha gocë e re sapo kisha mbaruar shkollën dhe ai kishte shkruar një artikull ku më përkrahte dhe më inkurajonte në dëshirën time për t’u bërë pianiste”, përshkroi ajo, teksa u shpreh se ndihej me fat.

Bashkim stilesh e gjeneratash

“Ne bisedim e sipër me Meritën, erdhëm me idenë që t’u dedikojmë një natë të veçantë krijuesve dhe veprave pianistike shqiptare”, ka thënë drejtoresha e “ReMusicas”, Donika Rudi.

Përbrenda rrugëtimit 20-vjeçar, sipas saj, “ReMusica” ka sjellë 400 vepra të autorëve vendorë.

Image
“Kur i pashë fotografitë e kuptova që shpesh kisha mbyllur sytë për të imagjinuar një tjetër gjë, një sallë me publik, i cili po ndante në ato çaste të njëjtat ndjesi me mua…”

Rudi ka thënë se artistët të cilët marrin pjesë në program këtë vit i konsideron “heroina e heronj”, teksa shprehet se ky i fundit ishte një koncert që i emocionoi të gjithë.

“Merita ka gjithë respektin tonë, si një interprete e jashtëzakonshme që e kemi këtu në trojet tona, por edhe për pozitivitetin që po reflekton”, ka thënë Rudi.

Sipas saj, ideja ka qenë bashkimi i stileve dhe gjeneratave të ndryshme të kompozitorëve nga Kosova e Shqipëria.

Ndërkaq interpretimi e Tërshanës u vlerësua edhe nga Rafet Rudi.

“Merita, përveç tjerash, po vendos një praktikë të mirë, që nënkupton detyrën e pedagogëve të jenë aktivë si interpretë”, ka thënë ai. Te përzgjedhja e repertorit, kompozitori i shquar, themelues i “ReMusicas”, lexon edhe një tjetër realitet.

“Veprat e kompozitorëve tanë publiku ynë nuk i njeh. Ato janë, padrejtësisht të përjashtuara nga podijumet koncertale tona”, ka thënë Rudi teksa ka veçuar shtrirjen historike të veprave, nga më të vjetrit te më të rinjtë.

“Për veprat e kompozitorëve vendorë nuk ka kush të kujdeset, askush nuk merr përgjegjësi institucionale pse ato nuk përfshihen në jetën tonë muzikore”, ka thënë ai.

Sipas Rudit, është absurde mosfutja e këtyre veprave në programe mësimore te shkollat e muzikës e në Universitet. “Duhet cekur se pengesë për realizimin e një veprimi të tillë është edhe mungesa e botimeve, meqë qasja në këtë literaturë është e vështirësuar”, ka thënë Rudi.

Mirëpo, sipas tij, “ReMusica” po arrin të aktualizojë këtë krijimtari të muzikës shqiptare. E përbrenda programit “Frymë shqiptare” ai u prezantua me veprën “Etude nr. 1”, të cilën e ka krijuar tri dekada më parë. “Është një aludim në përmbledhjen e Etydave të Chopinit, mu për atë është quajtur ‘etydë’, ka thënë Rudi. Kjo është prej veprave të para të Rudit në drejtim të përpjekjeve të tij në muzikën postmoderniste. “Mjerisht kjo vepër sikurse edhe veprat e kolegëve të mi, nuk përfshihen në programet e rregullta tonat”, ka thënë Rudi, duke rikujtuar se vepra është luajtur vetëm një herë nga pianistja, Lejla Pula.

Ishte vepra “Valle brilante çame” e Alksandër Peçit ajo e cila bashkoi njërën nga vallet çame për gra dhe këngën “Tumankuqe” në hollësinë e muzikës klasike.

“Më kujton prejardhjen e time, festat dhe gëzimet familjare, e njëjta energji që folklori i asaj treve ka. Kur pashë në fotografi dorën time që kërcente lart, m’u kujtua se në parafytyrimin tim ka qenë vallja e burrave çam, që është gjithë akrobaci dhe performancë”, ka thënë Merita Rexha-Tërshana.

E në prononcimin e tij për KOHËN, Peçi ka theksuar se “mjeshtëria është ari i artit”.

“Është pjesë e një cikli prej 32 këngësh, ‘Albanian folk dance and song’. Janë shkruar në një kohë rekord prej 6 muajsh, mes viteve 2013-2014”, ka thënë Peçi për veprën e cila është luajtur në pianodrome në New York, Romë, Trieste, Pragë, Moskë e në Prishtinë.

Edhe emërtimi kishte lindur pikërisht nga përmbajtja kompozicionale e saj.

“Veçantia e saj është sepse ka dy motive dhe krijon një gjuhë harmonike, e cila vjen nga modaliteti i këngës”, ka thënë kompozitori nga Shqipëria.

Vepra e fundit e cila u luajt në koncertin e së mërkurës ishte “Motive Sh’” nga Ersan Januzi, e cila pati premierën në edicionin jubilar, si dhe ishte porosi e Festivalit.

E ndjesi edhe më të mirë kompozitorit të ri nga Mitrovica i dha fakti i interpretimit të veprës në këtë edicion historik.

“Përmbajtja tematike e veprës sime është bazuar në opusin e gjerë të muzikës folklorike të vendit tonë, si në pjesën melodike ashtu edhe në pjesën ritmike me masën 7/8-sh”, ka thënë Jonuzi teksa ka shtuar se ndihet i kënaqur nga interpretimi i saj nga Merita Rexha – Tërshani. Përbrenda titullit “Motive Sh’”, me “Sh” bëhet lidhja simbolike me muzikën folklorike shqiptare.

“Është filluar qe tre vjet si ide, por përfundimi i veprës erdhi këtë vit në muajin gusht nën kontrollimin e profesorit tim, Drinor Zymberi”, ka thënë Januzi. Frymëzimin për këtë vepër ai e kishte gjetur kur kishte kompozuar vepra të natyrave të tjera dhe mungesa e folklorit ishte bërë muzë për të. “Vepra do të vazhdojë të ecë në interpretim e saj”, ka thënë Januzi. Tirana është destinacioni i radhës i interpretimit të veprës së tij po nga Merita Rexha-Tërshana.

Drejtoresha Donika Rudi ka riktheksuar se pikërisht me promovimin e gjeneratave të reja është arritur laramania e programit.