Kulturë

Francezët ndërtojnë kështjellë në stil mesjete me punëdore

keshtjella

Nëse vitet e para të vështira u mbështetën nga fondet rajonale, të BE-së dhe të kompanive, sot janë 7.5 milionë euro në vit nga biletat, ushqimi dhe suveniret – përfshirë shporta, shalle dhe libra të punuara aty – që i mbulojnë investimet, shpenzimet dhe 160 pagat e njërës prej atraksioneve më të mëdha të Burgundy

Kur nisi puna, më 1999 muret ishin vetëm gjysmë metri të larta dhe askush nuk e kishte as idenë më të vogël se kur – ose më saktë, nëse – “Château de Guédelon” do të përfundonte ndonjëherë. Nuk kishte ndodhur që prej rreth 750 vjetësh që dikush të ndërtonte me dorë një kështjellë të shekullit 13. Më shumë se një çerek shekulli më pas, ajo ende nuk është krejtësisht e përfunduar. Por në verën e vitit 2025 ajo është, në çdo aspekt, një kështjellë franceze e hershme e shekullit 13, me mure mbrojtëse, kulla, një sallë të madhe me harqe të gdhendura, dhoma, një kapelë, kuzhina dhe, pak më tej në pyll, një mulli mielli funksional

(The Guardian) – Ishte vera e vitit 1999 dhe, në një gurore të braktisur mes një pylli të thellë në Burgundy, një duzinë njerëzish të veshur në mënyrë krejt të pazakontë punonin pa pushim, duke çarë blloqe guri gëlqeror, duke gdhendur trarë lisash dhe duke goditur me çekan gozhda të mëdha.
Forma e asaj që po e ndërtonin fillonte të dallohej disi: një mur rrethues rreth 200 metra i gjatë dhe tre metra i trashë; kulla të rrumbullakëta, dy të mëdha dhe dy më të vogla, në katër cepat; dhe të tjerat që e rrethonin hyrjen kryesore.

Jashtë asaj hapësire po afrohej shekulli i 21-të. Brenda, ishte viti 1230, dhe duke përdorur vetëm vegla dhe teknika mesjetare, me materiale të siguruara në zonë ose të prodhuara aty, sapo kishte nisur puna për ndërtimin e kështjellës së Guilbert Courtenayt.

Asokohe, muret ishin vetëm gjysmë metri të larta dhe askush nuk e kishte as idenë më të vogël se kur – ose më saktë, nëse – “Château de Guédelon” do të përfundonte ndonjëherë. Nuk kishte ndodhur që prej rreth 750 vjetësh që dikush të ndërtonte me dorë një kështjellë të shekullit 13.

Më shumë se një çerek shekulli më pas, ajo ende nuk është krejtësisht e përfunduar. Por në verën e vitit 2025 ajo është, në çdo aspekt, një kështjellë franceze e hershme e shekullit 13, me mure mbrojtëse, kulla, një sallë të madhe me harqe të gdhendura, dhoma, një kapelë, kuzhina dhe, pak më tej në pyll, një mulli mielli funksional.

Guédelon është kthyer në një laborator të gjallë arkeologjik, arkitektonik, kulturor, historik, njerëzor dhe madje shkencor, e vlerësuar si mesjetare nga ekspertë të restaurimeve dhe profesionistë të ndërtimit të qëndrueshëm.

“Nuk jam e sigurt se çfarë prisja të ndodhte. Atëherë, ndonjëherë dukej thjesht si... argëtim me miqtë”, tregon Maryline Martin, menaxherja e projektit që prej fillimit të punës.

“Ka qenë aventura më e mrekullueshme. Dhe funksionoi në një mënyrë që nuk e kisha imagjinuar kurrë”.

Të rikthehesh në Guédelon pas më shumë se 25 vjetësh është tronditëse. Çfarë dikur ishte një hapësirë e zhveshur, e mbuluar me baltë dhe gurë, ku herë pas here shfaqej ndonjë artizan me përparëse lëkure, sot është një kështjellë e vërtetë mesjetare. Tani ka edhe parkingje, restorante, dyqane, një zyrë moderne ekologjike e po ashtu dhe 310 mijë vizitorë në vit.

Nëse vitet e para të vështira u mbështetën nga fondet rajonale, të BE-së dhe të kompanive, sot janë 7.5 milionë euro në vit nga biletat, ushqimi dhe suveniret – përfshirë shporta, shalle dhe libra të punuara aty – që i mbulojnë investimet, shpenzimet dhe 160 pagat e njërës prej atraksioneve më të mëdha të Burgundy.

“Kjo është lojë, por lojë serioze”, thotë Martin, e pandryshuar veç flokëve tashmë gri. Bashkë me Michel Guyot, i cili më parë kishte dekada që restauronte një kështjellë të rrënuar aty pranë, ajo ishte ndër themeluesit e Guédelon, e frymëzuar nga ideja e çmendur për të ndërtuar një kështjellë nga e para. Guyot tani është tërhequr nga projekti.

“Është ndërtim për të kuptuar, shpikje e së ardhmes duke e zbuluar të shkuarën”, thotë Martin. “Në fakt, është një ide krejt moderne, në përputhje me kohën që e vlerëson ekologjinë dhe natyrën. Jemi si një zog që e ndërton folenë e tij: marrim vetëm atë që na duhet, nga afër. Pothuajse politike”.

Guédelon ka gurorë, gurgdhendës, muratorë, marangozë, farkëtarë, punues tjegullash, piktorë, mjeshtër litarësh, transportues dhe punues shportash – rreth 60 artizanë në përgjithësi – që ndërtojnë mure me baltë dhe gurë, djegin tjegulla, përziejnë ngjyra natyrale, thurin litarë dhe farkëtojnë gozhda, mentesha dhe zbukurime hekuri.

E vetmja gjë moderne janë çizmet mbrojtëse për të gjithë, syzet për ata që punojnë me gurë dhe litarët për ata që ngjiten në skelat e drurit të stilit mesjetar (që gjithashtu duhet të miratohen nga standardet e sigurisë).

“Duket si një klishe, por është ‘kthim në të ardhmen’,” thotë Emmanuel de Tissot, drejtori i ri menaxhues.

“Është një kërkim kolektiv për besnikëri, për saktësi. Për të vërtetën, mendoj. Guédelon e angazhon trupin, zemrën dhe mendjen. Edhe vizitorët.”

Në vitin 1999, menaxherja Maryline Martin mendonte se kështjella do të ishte gati “nga viti 2020”. Tani ajo beson se ndoshta “brenda pesë ose gjashtë vjetëve” kulla kryesore, 30 metra e lartë, ende nuk është përfunduar, ndërsa disa pjesë të tjera kërkojnë punë. Por, në të vërtetë, përgjigjja është: kurrë. Shumë shpejt, muri verior, i pari që u ndërtua, do të ketë nevojë për restaurim

Një vizitë tipike zgjat pesë orë. Një turmë e magjepsur e dëgjon Florian Renuccin, mjeshtrin ndërtues, teksa shpjegon se secili tra i tavanit të sallës së madhe është prerë nga një degë e vetme, duke e respektuar “zemrën” e drurit. Marangozët e Guédelon e kanë dhënë ndihmën e tyre edhe në rindërtimin e katedrales “Notre Dame” pas zjarrit.

Metoda e Guédelon, thotë Renucci, është t’i studiojnë mbetjet e kështjellave dhe ndërtesave të epokës së mbretit Filip Augusti, të konsultohen me shkencëtarë, historianë, arkeologë dhe arkiva e pastaj të ecin përpara me logjikë dhe, më shpesh, me prova e gabime, derisa ta gjejnë zgjidhjen.

Këtë verë, sfida kryesore është ura lëvizëse.

“E dimë – e shohim – që kishte hapje të vendosura në mënyrë strategjike në muret e portës” thotë ai.

“E dimë që litarët dhe rrotullat ekzistonin. Por kaq. Si në vitin 1250, dy njerëz mund të ngrinin dhe ulnin një urë të rëndë 400 tonëshe?”

Ndonjëherë duhen vite. Furrën për pjekjen e tjegullave e çmontuan dhe e rindërtuan pesë herë derisa funksionoi: nuk kishte asnjë furrë origjinale të shekullit 13 për ta marrë shembull. Kur muratorët nuk arritën të krijonin llaç të papërshkueshëm nga uji për cisternën, morën mostra nga një kështjellë në jug të Francës dhe i analizuan në një laborator universitar. Dhe të gjithë e humbën gjumin duke menduar si të vendosnin gurin kyç në çatinë e kapelës.

“Një ekosistem i tërë kërkimesh arkeologjike dhe shkencore, dhe eksperimentimesh praktike është zhvilluar rreth nesh”, thotë Renucci, “me aq shumë aplikime për tani dhe për të ardhmen. Restauruesit vijnë të mësojnë të krijojnë materiale që nuk mund t’i blesh më; ndërtuesit për të parë teknika miqësore me natyrën që janë zhdukur dekada më parë”.

Ata që punojnë këtu e duan këtë punë.

“Kam mundësinë të krijoj gjëra që do të zgjasin, me duart e mia”, thotë Matthis Lacroix, 22-vjeçari farkëtar. Simon Malier, 26 vjeç, marangoz që ka studiuar inxhinieri materialesh, vlerëson “kohën për ta bërë punën siç duhet, ndjesinë se po bën diçka që është bërë prej mijëra vitesh, dijen e thellë njerëzore që e fiton”.

Jo të gjithë janë staf i përhershëm. Brittany Joyner, 42 vjeçe, aktore dhe marangoze me hobi, nga Los Angeles, po i kalonte tre muaj aty, mes punëve.

“Ajo që më pëlqen më shumë është se puna me dorë të mëson ta lexosh drurin”, thotë ajo. “Mëson ta respektosh materialin. Veglat elektrike e shkatërrojnë plotësisht këtë ndjesi”.

Disa kanë dekada aty. Duke prerë një tra, Nicolas Touchefeu, 44 vjeç, thotë se ky është viti i tij i 26-të, “sepse është mënyra si dua të punoj me duart e mia. Ka kaq shumë thjeshtësi në këtë”. Të tjerë qëndrojnë vetëm disa ditë, si një nga 8-10 vullnetarët që Guédelon i pranon çdo javë.

“E lodhshme, por jashtëzakonisht kënaqësi”, thotë infermieri Philippe Beghdali.

Në vitin 1999, Martin mendonte se kështjella do të ishte gati “nga viti 2020”. Tani ajo beson se ndoshta “brenda pesë ose gjashtë vjetëve” kulla kryesore, 30 metra e lartë, ende nuk është përfunduar, ndërsa disa pjesë të tjera kërkojnë punë. Por, në të vërtetë, përgjigjja është: kurrë. Shumë shpejt, muri verior, i pari që u ndërtua, do të ketë nevojë për restaurim.

Gjatë kësaj kohe, thotë Martin, kanë lindur 50 fëmijë të punonjësve të Guédelon. Por koha, siç shkroi “The Guardian” mbi një çerek shekulli më parë, është relative kur ndërton një kështjellë mesjetare me dorë.

“Ky është luksi ynë i vërtetë”, thotë ajo. “Kemi kohën për të provuar, për të gabuar, për të provuar sërish. Dhe deri tani, gjithmonë kemi gjetur një zgjidhje”.