Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Franca i bën rigoroze kontrollet e sigurisë në ngjarje kulturore

Disa ditë përpara se të hapet ngjarja tjetër në kalendarin e panairit të artit, “Paris+ par Art Basel”, shefi ekzekutiv i panairit, Noah Horowitz, informoi se do të rriste protokollet e sigurisë. “Si organizatorë të panairit, siguria e ekspozuesve, vizitorëve dhe stafit tonë është e një rëndësie të madhe”, ka thënë Horowitz në një deklaratë.

Njoftimi vjen pasi kryeministrja e Francës, Élisabeth Borne, ngriti alarmin kundër terrorizmit në gjendjen më të lartë të shtunën, pas vrasjes tragjike me thikë të një mësuesi në Arras të Francës. Sulmuesi, një burrë me origjinë çeçene, për të cilin policia kishte thënë se dihet se është i përfshirë në ekstremizmin islamik, është kapur dhe aktualisht është në paraburgim. Vrasja vjen pothuajse saktësisht tre vjet pasi një mësues tjetër, Samuel Paty, u vra dhe iu pre koka nga një refugjat çeçen i radikalizuar 18-vjeçar, i cili ishte i panjohur për shërbimet e inteligjencës përpara sulmit dhe mori përgjegjësinë për vrasjen në mediat sociale.

Masat e shtuara të sigurisë të panairit përfshijnë instalimin e detektorëve metalikë dhe kontrolle të zgjeruara të çantave, instalimin e barrierave të automjeteve rreth “Grand Palais Éphémère” dhe personel shtesë sigurie për të patrulluar perimetrin e panairit.

Horowitz i quajti sulmet e Hamasit në Izrael “të tmerrshme” dhe ka thënë se “rritja e numrit të vdekjeve të civilëve në Gaza, Izrael dhe Bregun Perëndimor është thellësisht shqetësuese, siç është edhe perspektiva e një tragjedie të zgjatur humanitare në rajon”.

“Ky përshkallëzim i fundit i dhunës na pikëllon jo vetëm si individë, por si anëtarë të një komuniteti kulturor global, vlerat thelbësore të njerëzimit, respektit të ndërsjellë dhe dialogut janë në thelbin e tij”, shtoi ai, duke e vlerësuar Qeverinë franceze për veprimin “me shpejtësi dhe vendosmëri, duke zbatuar masa të forta sigurie në të gjithë vendin”.

Edhe Dhjetëra të arrestuar për kërcënimet me bomba në Francë Botë Dhjetëra të arrestuar për kërcënimet me bomba në Francë

Franca ka qenë vendi i rritjes së dhunës dhe sulmeve terroriste vitet e fundit: hera e fundit që niveli i sigurisë i vendit ishte në nivelin aktual ishte pas sulmeve në zyrat e “Charlie Hebdo” dhe masakrës në teatrin “Bataclan” më 2015.

Muzeu i Louvrit dhe Kështjella e Versajës u evakuuan me shpejtësi dhe përfundimisht u mbyllën gjatë fundjavës “për arsye sigurie” pasi zyrtarët muzeorë deklaruan se kishin “marrë një mesazh me shkrim që thoshte se ekzistonte një rrezik për muzeun dhe vizitorët e tij”. “Associated Press” raportoi se evakuimet u nxitën nga kërcënimet me bombë.