Të paktën 18 persona janë arrestuar pasi një valë kërcënimesh me bomba shkaktuan evakuime në të gjithë Francën.
Pallati i Versajës, shkolla, aeroporte dhe spitalet janë vënë në shënjestër.
Ata që qëndrojnë pas kërcënimeve janë kryesisht të mitur, thonë autoritetet.
Kërcënimet vijnë në një kohë tensioni të shtuar në Francë, pasi një mësues u ther për vdekje nga një xhihadist i dyshuar, javën e kaluar në një shkollë në qytetin Arras, raportoi BBC.
Frika nga bombat ka bërë që Pallati i Versajës të evakuohet katër herë këtë javë.
Një numër aeroportesh rajonale u evakuuan të mërkurën, duke përfshirë atë në Lille, Nantes, Nice dhe Toulouse, dhe 11 aeroporte gjithashtu të enjten.
Franca u vendos në gjendjen më të lartë të alarmit kundër terrorizmit javën e kaluar pas vrasjes së mësuesit 57-vjeçar. I dyshuari, një ish-nxënës, është një shtetas rus me origjinë çeçene.