Franca do të hapë “Javët Kulturore Ndërkombëtare” në Shqipëri. Kryeqyteti i Shqipërisë do të jetë nikoqir i artistëve francezë në organizmin që sivjet mbahet për herë të parë. Prej së hënës Tirana do të fillojë të mirëpresë kultura të ndryshme.
“Nis nesër me Francën cikli i parë vjetor i javëve ndërkombëtare të kulturës, një nisëm e re e Qeverisë shqiptare që do të krijojë çdo vit hapësira të reja njohjeje e komunikimi me vendet e me kulturat e tjera, e natyrisht do të rrisë konsiderueshëm kalendarin e aktiviteteve kulturore dhe argëtuese”, ka bërë të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të dielën nëpërmjet një postimi në Facebook.
Nëpërmjet këtij organizimi shteti synon do të rrisë bashkëpunimin, shkëmbimin mes artistëve e edhe pasurimin e jetës kulturore. Disa ditë më herët ministrja e Kulturës, Elva Margariti, kishte treguar se “Javët Kulturore Ndërkombëtare” do të jetë një paradë ku marrin pjesë 18 vende, midis të cilave Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Greqia, Italia, Izraeli, Spanja, Britania e Madhe, Suedia, Egjipti, Kina, Gjermania, Japonia, Austria, Turqia, Hungaria, Emiratet e Bashkuara Arabe e Kosova.
“Do të jetë një kalendar i larmishëm kulturor, traditash, por edhe një tryezë dialogu e shkëmbimesh”, kishte thënë Margariti. Sipas saj, “Javët Kulturore Ndërkombëtare” do të bëjë bashkë akterë të një spektri të gjerë të artit e kulturës.
Kosova dhe Shqipëria qysh prej vitit 2014 nënshkruajnë kalendarin e përbashkët kulturor dhe protokolle vjetorë të bashkëpunimit. Por pavarësisht zotimeve zyrtare, implementimi mbetet një sfidë e madhe, zakonisht shkaku i financimit të aktiviteteve nga ana e Shqipërisë. Sivjet, po ashtu, janë nënshkruar disa protokolle të bashkëpunimit, përderisa edhe janë mbajtur disa ngjarje. “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” është ekspozita e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë e hapur në fund të marsit në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Nëpërmjet saj u paraqiten thesaret e trashëgimisë kulturore nga koleksioni i pasur i Muzeut Historik Kombëtar.