Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Forumi Humboldt me thesar artefaktesh dhe histori të fshehura

Në Berlin rihapja e Forumit të përfunduar Humboldt më 16 shtator është një ngjarje historike, por ka ende shumë histori të fshehura pas fasadës së pallatit të rindërtuar barok. Shumica e eksponateve në Forum vijnë nga ish-kolonitë evropiane. Një tjetër pyetje është: A janë marrë në mënyrë të paligjshme të gjitha këto objekte? Jo të gjitha, por shumica prej tyre

Krahu lindor, seksioni i fundit i muzeut të Forumit Humboldt në Berlin, që pritej të kompletohej, është përuruar më në fund. Eksponatet më të rëndësishme janë bronzet e Beninit, që konsiderohen si vepra të grabitura.

“Bronzët e Beninit janë një pjesë e gjallë e paraardhësve tanë. Janë si të thuash ajo që më lidh me babanë tim”, ka thënë kur ka folur për këto pjesë të çmuara Kate Akhadelor. Kuratorja nga Nigeria kishte ardhur në Berlin qysh një muaj më parë së bashku me kolegun e saj Joseph Alonge me të cilin ndihmuan në hapjen e ekspozitës.

Bronzët e Beninit janë artefakte prej bronzi ose fildishi, pjesë të ekspozitës të re në Forumin Humboldt.

“Qëkur kemi qenë këtu, ne kemi punuar pa u lodhur për t’i interpretuar artefaktet në funksion të kuptimit, funksionit dhe përdorimit të tyre dhe për ta bërë të kuptueshme për njerëzit historinë dhe kulturën e mbretërisë së Beninit”, ka thënë për DW Alonge.

Vitet e fundit dëshmuan për një debat intensiv lidhur me faktin nëse bronzet do të mund të ekspozoheshin apo jo, sepse përvetësimi brutal i veprave të artit është shumë mirë i dokumentuar.

Edhe Gjermania do t’ia kthejë Afrikës artefaktet e grabitura Kulturë Gjermania do t’ia kthejë Afrikës artefaktet e grabitura

Më 1897, gjatë një të ashtuquajture ekspeditë ndëshkuese të bërë nga forcat koloniale britanike ata ishin sekuestruar nga pallati i mbretit të qytetit të Beninit në Nigerinë e sotme.

Në vitet e para të shekullit XX ato u shitën në një ankand në Londër dhe kështu disa prej tyre mbërritën në Gjermani. Sot Gjermania është shteti i dytë me më së shumti pjesë nga koleksioni i Beninit.

Ka pasur shumë kërkesa për të rikthyer bronzet, por të cilat ranë në vesh të shurdhër. Me rindërtimin e Pallatit të Berlinit që strehon Forumin Humboldt, debati rreth kthimit u bë më i zhurmshëm.

Bronzet e Beninit janë huazuar

Nga fundi procesi i kthimit u shpejtua. Fondacioni Prusian i Trashëgimisë Kulturore, koleksioni i të cilit po ekspozohet në Forum, transferoi të drejtat pronësore të 512 objekteve të tij në Nigeri. Në vend të 220 objekteve që do të ekspozohen fillimisht, vetëm 40 prej tyre do të shfaqen për publikun.

Në 10 vjet kontrata e huazimit do të përfundojë dhe do të duhej të rinegociohej me Nigerinë.

Abba Isa Tijani, drejtor i Komisionit kombëtar të muzeut të Nigerisë, thotë se ky është një moment historik. “Është e vetmja mënyrë që ne mund të punojmë vërtet së bashku. Tre nga ekspertët tanë janë këtu për të ndihmuar në organizimin e ekspozitës. Nga ana tjetër, ata do të përfitojnë edhe nga përvoja e kolegëve të tyre evropianë”.

Tingëllon shumë mirë për të qenë e vërtetë: shkëmbim njohurish, bashkëpunim dhe ristrukturim. Dhe kjo gjithashtu pas një lufte shumëvjeçare, e cila u përqendrua rreth arkitekturës së Pallatit Prusian të rindërtuar në të njëjtin stil si ai i kohës së lulëzimit kolonial të Gjermanisë.

Pallati u shkatërrua në Luftën e Dytë Botërore nga ish-qeveria e Gjermanisë Lindore dhe u rindërtua si Pallati i Republikës. Pas rënies së Murit ishte e paqartë se çfarë do të ndodhte me strukturën.

Por kur u vendos që një pallat i stilit barok do të rindërtohej në qendër të Berlinit, pati kritika nga të gjitha anët: shumë i shtrenjtë, shumë pompoz, tepër i vjetërsuar.

Image
Ekspozita “Ne flasim. Ti dëgjo”

Një pallat në qendër të Berlinit

Me hapjen e krahut lindor më 16 shtator të 2022- tës ka përfunduar projekti më i shtrenjtë aktual kulturor i Gjermanisë, i cili kushtoi 680 milionë euro.

Hapja u vonua për më shumë se dy vjet.

Për shkak të pandemisë, në dhjetor të 2020-s ishin të mundshme vetëm vizitat digjitale. Në pranverën e vitit 2021, oborret u bënë të qasshme ndërsa në verë dhe vjeshtë të të njëjtit vit u hapën ekspozita të përkohshme dhe disa pjesë nga koleksionet joevropiane.

Edhe Kthimi i artefakteve nga Gjermania në Nigeri hap debat për pronësinë Kulturë Kthimi i artefakteve nga Gjermania në Nigeri hap debat për pronësinë

“Ky është një moment i madh në historinë e këtij vendi, por ne nuk kemi mbaruar ende”, thotë Hartmut Dorgerloh, drejtor i përgjithshëm i Forumit Humboldt. Ai shpjegon se Forumi e përkufizon veten si një platformë për dialog global. Nuk është muze, shton ai, por në fakt një forum që u jep njerëzve mundësinë për shkëmbim dhe për të punuar së bashku në projekte. Ai duhet të jetë një proces i vazhdueshëm, gjatë të cilit dikush dëshiron të fokusohet në të ardhmen dhe të trajtojë tema si migrimi dhe ndryshimet klimatike.

Ekspozita në 40 mijë metra katrorë

Përveç objekteve nga Afrika ekspozitat përfshijnë edhe objekte nga Azia, Oqeania, Amerika dhe Berlini.

Bollëku i ekspozitave është dërrmues sepse vitrinat ndonjëherë duken të mbipopulluara. Madje edhe ndryshimi që shihet nga njëra dhomë te tjetra nga njëri kontinent në tjetrin, ngre pikëpyetjen se si mund të kenë arritur të gjitha këto gjëra në Berlin?

Në fillim të shekullit 20 midis muzeve etnologjike evropiane u zhvillua një garë për të mbledhur artefakte nga shtetet që gjendeshin jashtë Evropës. Kështu, shumica e eksponateve në Forum vijnë nga ish-kolonitë evropiane.

Një tjetër pyetje është: A janë marrë në mënyrë të paligjshme të gjitha këto objekte? Jo të gjitha, por shumica prej tyre.

Në shumë raste prejardhja e tyre - origjina e sendeve dhe mënyra se si ato zbarkuan në Berlin – nuk është e lehtë të gjurmohet.

Nuk është e zakonshme që koleksionet të shiten vullnetarisht në Evropë për t’i shpëtuar ato nga shkatërrimi. Kjo ndodhi me një grumbull artefaktesh nga Omaha në SHBA.

Pierre Elmar Merrick është pasardhës i etnologut Francis la Flesche të fisit Omaha, i cili midis viteve 1894 dhe 1897 ia shiti Muzeut Etnologjik të Berlinit një koleksion prej rreth 60 objektesh që i përkasin kulturës së tyre.

Këto objekte gjenden në ekspozitën e titulluar, “Ne flasim. Ti dëgjo”.

“Ato ishin kohë shumë të rrezikshme për njerëzit vendas të Amerikës”, ka thënë Merrick për DW, duke shtuar se kalorësia amerikane i rrahu dhe i dëboi me forcë fiset vendase.

Objektet në këtë ekspozitë janë të vetmet e llojit të tyre. Për Merrickun, mbajtja e këtyre objekteve në duar, disa prej të cilave janë të shenjta, ishte një moment i veçantë. Kur u pyet nëse ndihej i dëgjuar, siç sugjeron titulli i ekspozitës, ai tha: “Ekipi (në Forumin Humboldt) ishte më se i gatshëm të na dëgjonte”.

Koleksioni përfshin edhe një tub, por i cili u konsiderua shumë i shenjtë për t’u shfaqur në publik. Ai u hoq nga ekspozita. Tani Merrick shpreson se një ditë do të mund t’i çojë në shtëpi, në Amerikë.

Edhe Londra nën presion për rikthimin e artefakteve të grabitura Kulturë Londra nën presion për rikthimin e artefakteve të grabitura

Në Berlin rihapja e Forumit të përfunduar Humboldt më 16 shtator është një ngjarje historike, por ka ende shumë histori të fshehura pas fasadës së pallatit të rindërtuar barok.

Marrë nga DW. Përktheu: Mirjetë Sadiku