Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Flautistja Zana Abazi në Muzeun e Luftës Maqedonase

Muzeu i Luftës Maqedonase në Shkup hap dyert për muzikantë nga Kosova. Aty do të jehojnë tinguj e flautit, por jo vetëm, me koncertin recital të Zana Abazit. Do të shoqërohet nga pianisti Melos Buza, përderisa mysafir i koncertit është klarinetisti Lundrim Rexha. Koncerti do të mbahet sot (e shtunë). Sipas një njoftimi të afishuar në rrjete sociale, në repertor janë vepra të kompozitorëve botërorë, si Sergei Prokofiev, Francis Poulenc e Luciano Berio, por nuk do të mungojë as vepra shqipe. Është “TAH” nga Bardh Dubovci – fitues i çmimit të publikut të Garës së 2-të të Kompozitorëve të Ballkanit – 2021 që po ashtu është pjesë e repertorit. Do të jetë “Sonata për flaut dhe piano” e Prokofievit që do ta hapë programin.

Organizator i koncertit është festivali ndërkombëtar i muzikës “DAM”, i cili vitin e kaluar përgjatë gjithë vitit shpërndau koncerte me edicionin e 16-të, për ta finalizuar me programin qendror në fund të nëntorit.

“’Koncerti solistik i Zana Abazit, shoqëruar nga Melos Buza në piano e me mysafir Lundrim Rexhën në klarinet’, organizohet si akordim për edicionin e radhës, të 17-in, për të cilin po punojmë fort. Besoj që do të sjellim edhe një edicion të suksesshëm”, ka thënë Dardan Selimaj, drejtor artistik i festivalit “DAM”, duke u ndalur te koncerti. Ka thënë se ai vjen me një kombinim interesant veprash, por mbi të gjitha shpalos talente të jashtëzakonshme të skenës sonë si instrumentistë, por edhe në kompozim.

“Edhe vendi ku do të mbahet është goxha intrigues: një muze i luftës, e aq më shumë tash në kohët që po kalon jo vetëm Ukraina në luftë, por bota mbarë”, ka thënë ai.