Një kapërcim nëpër epoka, por duke u përqendruar te bashkëkohorja, ka qenë ajo që Zanë Abazi në piano e Melos Buza, kanë shpalosur në koncertin e dytë të programit qendror të festivalit ndërkombëtar të muzikës, “DAM”. Harmonia ka qenë emëruesi i përbashkët i interpretimeve e epilogu është bërë me veprën për flaut të “TAH – They are here”, të Bardh Dubovcit, e cila publikut i sjell një takim me anijet e jashtëtokësorëve që vizitojnë planetin Tokë
Kapërcimet në tone, dramaticiteti e meloditë e holla të flautit u bënë bashkë me butësitë përmes pianos. Frymëzime të cilat kanë pushtuar skenat e botës kësaj radhe zbritën në rrafshin vendor, duke e bërë publikun të shtegtojë herë në momente kulmore të ekzekutimit e ndjesisë, e herë në ujëra të qeta muzikore.
Kjo erdhi me koncertin e dytë në kuadër të programit qendror të edicionit të 16-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës, “DAM”, në recitalin e flautistes Zanë Abazi dhe pianistit Melos Buza në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, e cila solli frymën bashkëkohore me vepra ndërkombëtare e vendore.
Në përvjetorin e organizimit, i cili po përballet me vështirësi, por që fokus ka rigjetjen, riformësimin dhe dëshirën për të ekzistuar, triumfi i mbrëmjes të së premtes u shënua përmes veprave franceze, japoneze, ruse e në fund edhe shqiptare.
Ishte “Sonata për flaut dhe piano” e kompozitorit dhe pianistit francez, Francis Poulenc, ajo e cila i hapi shteg harmonisë mes dy instrumenteve. Me fille që besohet të jenë nga viti 1956, publiku i cili ishte i zhytur thellë në meloditë të cilat i sollën fuqia frymore e flautit dhe lëvizjet me gishtërinj në piano, pati rastin të shijojë “Allegretto malinconico” me elegjinë dhe dhembshurinë që përçoi, “Cantilena: Assez lent” me thellimin në butësinë melodike e “Presto giocoso” me ritmin e vrullshëm të interpretimit. Krejt bashkë dedikim për pianisten amerikane, Elizabeth Sprague Coolidge. Në 12 minuta të performimit nga Abazi dhe Buza u zbërthye ajo që kritika e cilësoi si, “hir, zgjuarsia, ironia dhe ndjenja”, si karakteristikë e këtyre veprave të cilat janë ndër më të luajturat për flaut dhe piano.

Kjo jehoi edhe te publiku kosovar. Për disa minuta duartrokitjet nuk u ndalën dhe pianisti Buza nuk mundi të largohej nga skena për mirënjohjen që ia dhanë dëgjuesit atij dhe koleges së tij, e cila vazhdoi të interpretojë vetë.
“Krejt ky recital ka ardhur shumë shpejt. Ka qenë ndjesi e papërshkrueshme, ndjenjë shumë e mirë”, ka thënë për KOHËN flautistja Abazi, e cila falënderoi organizatorët, Rreze Kryeziu dhe Dardan Selimaj, për mundësinë e performimit.
Kur në katërmurëshin e Sallës së Kuqe nisën të dëgjohen vetëm tingujt e flautit, ato dilnin si të ishin një copë rrëfimi, sa shpalosnin momente dramatike, e sa vinin krejt qetë. Ishte vepra “Mei for solo flute” nga kompozitori japonez, Kazuo Fukushima, ajo e cila solli dimensione misterioze, e që besohet të jetë tërësisht frymëzim nga kultura, filozofia dhe besimet e identitetit kombëtar të krijuesit të saj.

Për këtë vepër, flautistja e cila deri më tani ka pasur gjashtë koncerte recitale, ka thënë se është e shkruar në stilin kontemporan.
“Duke e parë mungesën e koncerteve dhe të incizimit të muzikës kontemporane në Kosovë, unë i kam marrë dy sonata të cilat janë të shkruara në shekullin XX dhe i kam marrë dy vepra të tjera të shkruara në vitin 1956”, vazhdoi laureatja e disa çmimeve në “Ars Kosova”, “Pjetër Gaci” dhe “Polyhymnia”.
Pjesa e tretë e programit të natës së dytë solli frymëzimet e kompozitorit e pianistit rus, Sergei Prokofiev, të mbështjella në “Sonatë për flaut në D-dur Op. 94”. Përgjatë këtij ekzekutimi, pianisti Melos Buza, si shumë herë të tjera, shfaqi profesionalizmin e tij, të cilin e ka ndërtuar mes qyteteve të Gjakovës, Prishtinës dhe Oslos. Në çdo frymëmarrje të Abazit e cila përkthehej në tingull flauti, Buza bënte magjinë e kombinimit instrumental të tingujve muzikorë.
Krejt në fund, skena i takoi Abazit në interpretimin e veprës shqiptare e cila u shfaq për të parën herë në prani të publikut fizik, “TAH – They are here”. Si krijim i Bardh Dubovcit, dramaticiteti i veprës arriti që të rrëmbejë çmimin e publikut në Garën e 2-të të Kompozitorëve të Ballkanit sivjet, e cila atëherë ishte paraqitur në formatin online.
“Kënaqësi shumë e madhe sidomos për shkak që pjesa është e kompozuar për flaut dhe unë kam dashur gjithsesi të jetë e interpretuar me prezencë të publikut për shkak të efekteve që ka. Dhe normalisht që përjetohet ndryshe”, ka thënë kompozitori Dubovci për KOHËN.
Kjo vepër, sipas tij, është kompozuar për flautisten e natës të së premtes, Abazin, e cila ka qenë e përfshirë në çdo pjesë të krijimit.
“Vepra është kompozuar në mënyrë të tillë që të jetë një tregim muzikor, e paraqet prezencën e disa anijeve të jashtëtokësorëve në tokë”, ka shtuar Dubovci. “Jam munduar që ta realizoj përmes teknikave të instrumentit të flautit të cilat janë të bollshme dhe kam menduar që është instrumenti më i përshtatshëm për ta dërguar atë mesazh te publiku”.
E pavarësisht që e pati të vështirë ta veçojë njërën nga veprat, sërish më e rëndësishmja për flautisten ishte pikërisht vepra “TAH – They are here”.
“Secila prej veprave e ka komplet ndryshe karakterin, ndër vepra pjesë të ndryshme janë karaktere të ndryshme. Nuk mund t’i veçoj, por kënaqësia më e madhe ka qenë të luaj veprën e kolegut tim, Bardhit”, përfundoi Zanë Abazi.
Melos Buza s’ka pranuar të flasë pas koncertit, por rrëfimin e tij me publikun e ka ndarë nëpërmjet gjuhës së tij – muzikës.