Prishtinë, 28 gusht – Tetë ditë pasi është anëtarësuar në Lëvizjen Vetëvendosje, Flamur Maloku është shkarkuar nga pozita e anëtarit të Këshillit të Librit. Shkarkimi i tij është bërë të martën nga Kujtim Gashi, ministri i Kulturës në detyrë. Maloku ishte emëruar në këtë pozitë nga vetë Gashi në fund të vitit 2017.
Menjëherë pasi ka marrë lajmin se është shkarkuar nga Këshilli i Librit – organ ky anëtarët e të cilit emërohen e shkarkohen nga ministri i Kulturës – Maloku ka thënë se veprimi i Gashit është hakmarrje politike. Sipas Malokut, që midis të tjerash është ligjërues në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”, shihet qartë se “ky vendim tepër i nxituar dhe i pabazë është tërësisht një hakmarrje politike që ngjet fill pas aderimit të tij në Lëvizjen Vetëvendosje”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Asnjë presion i pushtetit, sado i dhunshëm qoftë, nuk do ta ndalë të drejtën e popullit që të pozicionohet kah kauza anti-krim, që ka vënë në zgrip të sotmen dhe ardhmërinë e shtetit të Kosovës. Asnjë pushtet, që bart vulën e krenarisë boshe, nuk mund ta ndalë revoltën e popullit për më shumë drejtësi e mirëqenie”, ka shkruar Maloku në Facebook. Anëtarët e Këshillave Drejtuese të institucioneve të kulturës dhe të Këshilli të Librit emërohen nga ministri i Kulturës.
Por ministri i Kulturës në detyrë, Kujtim Gashi, ka thënë se Maloku është dashur që vetë të japë dorëheqje nga pozita e anëtarit të Këshillit të Librit pasi është bërë pjesë e politikës.
Në vend të Malokut, në këshillin që për kryesuese ka Sabile Keqmezi-Bashën, Gashi ka emëruar Albulena Blakaj-Gashin, e cila ligjëron letërsinë gjermane në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
(Më gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")