Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“First Cut Lab Balkans” në Prishtinë hap dyert për kinematografinë e rajonit

Programi “First Cut Lab” i dizajnuar për mbështetjen e filmbërësve gjatë fazës së montazhit është i vendosur që ta përmbushë rolin e vet edhe këtë vit. Ka hapur thirrjen për punëtoritë që do të mbajë gjatë kësaj verë.

Në mesin e tyre është edhe punëtoria “First Cut Lab Balkans” që këtë vit shënon edicionin e saj të parë dhe do të mbahet në Prishtinë. Në kuadër të saj do të përzgjidhen tre filma nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia Veriore. Punëtoria realizohet në bashkëpunim mes Qendrës Kinematografike të Kosovës, Agjencisë së Filmit në Maqedoninë Veriore, Qendrës Kombëtare të Filmit të Shqipërisë dhe Qendrës së Filmit të Malit të Zi, shkruan KOHA.

Afati i fundit për aplikim për punëtorinë “First Cut Lab Balkans” është 15 maji. Fakti se industria e filmit ofron disa punëtori që fokusohen në projekte filmike në faza të hershme, si shkrimi i skenarit e bashkëproduksioni, por mungojnë punëtori që i dedikohen fazës së montazhit, kishte bërë që drejtori i “First Cut Lab”, Matthieu Darras, të krijonte një punëtori të tillë në vitin 2015.

Që atëherë më shumë se 40 projekte janë përkrahur në vende të ndryshme si Lituani, Poloni, Slloveni, Ukrainë, Rusi, por edhe në Kosovë. Vitin e kaluar në Prishtinë qe mbajtur “First Cut Lab Kosovo” mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe ishte enkas për filmbërësit kosovarë. Drejtori i Qendrës së Kinematografisë së Kosovës, Arben Zharku, ka thënë se ai beson që ky zgjerim do ta bëjë me të fortë kinematografinë.

“Të bindur me suksesin e punëtorisë së vitit të kaluar dhe duke besuar që kjo eksperiencë do ta bëjë më të fortë industrinë tonë, ne kemi zgjeruar bashkëpunimin me shtetet fqinje me të cilat kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm në të kaluarën”, ka thënë ai.

Datat e punëtorisë “First Cut Lab Balkans” do të konfirmohen në javët në vazhdim. “First Cut Lab” në një komunikatë për media ka shkruar se do të jetë i kujdesshëm në organizimin e punëtorive në linjë me situatën e krijuar nga koronavirusi dhe se do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm që t’i mbajë të sigurt bashkëpunëtorët dhe pjesëmarrësit.

Për çdo vendim që do të marrin, kanë thënë se do t’i njoftojnë ndjekësit përmes faqeve të tyre në rrjetet sociale. E sa i përket “First Cut Lab Balkans” është thënë se qëllim primar ka fuqizimin e potencialit artistik. “Qëllimi kryesor është të ushqejë potencialin artistik të të përzgjedhurve gjatë fazës së editimit dhe në të njëjtën kohë të rrisë potencialet e filmit që të ketë më shumë shitje, pjesëmarrje nëpër festivale”, është shkruar në njoftimin e “First Cut Lab”.

Ekipet e zgjedhura të producentëve dhe regjisorëve do të shfaqin montazhin e parë të filmave të përzgjedhur në një shfaqje private dhe do të marrin përshtypjet, këshillat dhe rekomandimet nga tre profesionistë të lartë ndërkombëtarë të filmit si prodhues, krijues, programues të festivaleve, agjentë të shitjes, e të tjerë.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar.

Artikuj të ngjashëm