Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Filmi “Gardhi” i Lendita Zeqirajt, pjesë e garës zyrtare në festivalin e Palm Springs

Filmi “Gardhi” nga Lendita Zeqiraj, është përzgjedhur të jetë pjesë e garës zyrtare të edicionit të 24 të “Palm Springs International Short Film Festival & Film Market”, ku njëherësh edhe do të ketë premierën botërore.

Festivali mbahet prej 19 – 25 qershor 2018 në Palm Springs, ndërsa shfaqja e parë e filmit “Gardhi” me prezencë të autores, është planifikuar më datën 21 qershor 2018.

Palm Springs International ShortFest është festivali më i madh dhe më i rëndësishëm i filmit të shkurtër në Amerikën Veriore, me më shumë se 5000 aplikime çdo vit, nga 100 shtete të ndryshme të botës. ShortFest njëherësh është edhe festival kualifikues për çmimet Oscar, BAFTA dhe Los Premios Goya, dhe deri tash ka prezantuar mbi 100 filma të shkurtër të cilët janë nominuar dhe/ose shpërblyer me çmimin Oscar.

Festivali poashtu organizon të ashtuquajturin “ShortFest Forum”, me një varg panelesh, punëtori dhe diskutime, të dizajnuara për filmbërës që t’ju ofrojnë njohuri të reja nga industria e filmit botëror.