Filmi “Gardhi” me regji nga Lendita Zeqiraj, përveç suksesit të arritur në Palm Spring ku fitoi çmimin e filmit më të mirë të shkurtër, fitore kjo që i siguroi edhe pjesëmarrjen në garë për OSKAR, tani do të marrë pjesë edhe në një festival tjetër.
Bëhet fjalë për Festivalin e 26-të të filmit “Hamptons” i cili do të mbahet në datat 4 deri më 8 tetor.
Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi në faqen zyrtare të filmit në Facebook ku shkruhet se “Jemi të ngazëllyer pasi kuptuam se “FENCE” i Lendita Zeqiraj është përzgjedhur për të qenë pjesë e Festivalit të 26-të të filmit Hamptons, i cili do të zhvillohet nga 4 tetori deri më 8 tetor”.
Filmi “Fence” apo “Gardhi”, që po arrin suksese të mëdha ndërkombëtare, është realizuar me bashkëpunimin e shtëpisë filmike kosovare N’art, Sacrebleu Productions nga Franca dhe Woof Films nga Kroacia si dhe ka pasur përkrahje financiare nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Cinema Fondacioni – Region Ile De France, si dhe mbështetjen e Komunës së Prishtinës.
Aktorët që luajnë në këtë film janë: Arti Lokaj, Ilire Vinca, Adriana Matoshi, Rozafa Celaj, Melihate Qena, Xhejlane Godanci, Kumrije Hoxha, Arta Selimi, Alketa Sylaj, Edita Dula, Timur Urqan, Norik Xhemajli dhe qenushja Nina.