Kulturë

Filarmonia thur rrugëtimin e Kosovës dhe thirrjen për paqe

Prishtinë, 13 qershor – Një furtunë e madhe i kishte prirë luftës. Qysh prej vitit 1989 kur Kosovës së atëhershme si krahinë në kuadër të Federatës Jugosllave iu hoq autonomia, e deri në prag të mijëvjeçarit, furtuna veç ashpërsohej për të shpërthyer me luftë në vitet 1998-1999. Pikërisht me pjesën “O Fortuna” të veprës “Carmina Burana” të Carl Orff e ka nisur koncertin solemn Filarmonia e Kosovës.

Në qendrën kulturore “Bogdani Polis” në katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, Orkestra e Kori i Filarmonisë, kanë risjellë historinë e vonë të Kosovës nëpërmjet artit. Përballë ish-sekretares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright, dhe udhëheqësve shtetërorë të Kosovës, Filarmonia qysh në fillim ka bërë të ditur se do të rrugëtojë me vepra midis të tjerash edhe nëpër tingujt e luftës. Te “Carmina Burana” furtuna sa vjen e rritet. Ritmi i kësaj vepre shkon deri në atë nivel sa që nuk lihet tjetër zgjidhje pos luftës.

Koncerti i 20-vjetorit të çlirimit, të martën mbrëma, ka vazhduar pjesën “Va Penseiro” të operës “Nabucco” të Guiseppe Verdit”. Lufta e fundit në Kosovë pos mbi 10 mijë viktimave e kishte shndërruar vendin në një burg kolektiv, ku çlirimi ishte shpresë e përpjekje. E “Va Penseiro” flet për një kor hebre që mundohet t’i largojë zinxhirët e robërisë. Një histori paralele e krejt reale ishte edhe ajo e viteve të luftës në Kosovë. Thirrjet e shqiptarëve kishin jehuar anë e kënd botës duke kërkuar ndihmë. Prej atyre që i kishin dalë ndihmë midis personaliteteve kryesore ishte edhe ish-sekretarja e ShBA-së, Madeleine Albright, e cila ka përcjellë koncertin duke qenë e pranishme në Kosovë në kuadër të festimit të dy dekadave të çlirimit. E “Ballin lart” mban titullin vepra e kompozitorit Valton Beqiri, me të cilën ka vazhduar koncerti solemn. Krenaria është aspekti kryesor i kësaj vepre.

“Njeriu me armë: Meshë për paqe” e kompozitorit uellsian, Karl Jenkins, është shkruar pikërisht më 1999, duke iu kushtuar viktimave të luftës në Kosovë.

Si nder të jashtëzakonshëm e ka përshkruar takimin me Albright, drejtori Baki Jashari. Fytyra e saj në televizor për shqiptarët në vitin 1999 ishte bërë portret shprese .

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")