Kulturë

Filarmonia bashkon veprat që shkruajnë historinë me nota muzikore

Koncerti i Filarmonisë së Kosovës ka qenë ndër ngjarjet kryesore në agjendën zyrtare të shënimit të përvjetorit të 13-të të Pavarësisë së Kosovës. Niveli i koncertit është njëra anë. Ana tjetër – veprat që janë interpretuar premierë: “Simfonieta in K: Kosova vatra atërore” për recitator kor dhe orkestër e Vinçenc Gjinit dhe “Rrugëtimi” e Valton Beqirit. Që të dyja vijnë në stile të ndryshme, por tok i shtohen historisë muzikore të këtij vendi e historia i lidh edhe në një tjetër aspekt

Në përvjetorë si ai i Pavarësisë a kremtime të arriturash, personazhet historike zënë vend qendror. Historia shtjellohet nëpërmjet bëmave të tyre. Ose të lëvizjeve që u prijnë. E historia muzikore e Kosovës është pasuruar me dy vepra të cilat janë “prodhim” i ndodhive të këtyre anëve.

Të interpretuara nga Orkestra dhe Kori i Filarmonisë së Kosovës, “Simfonieta in K: Kosova vatra atërore” për recitator, kor dhe orkestër e Vinçenc Gjinit dhe “Rrugëtimi” e Valton Beqirit, emërues të përbashkët kanë historinë. E para i kushtohet krejtësisht Kosovës. E dyta zbërthen histori gjashtëshekullore.

Të ulur përballë dirigjentit Gridi Kraja, anëtarët e Korit dhe ata të orkestrës së Filarmonisë së Kosovës, koncertin e së martës mbrëma e kanë nisur me himnin e shtetit të Kosovës me autor Mendi Mengjiqin. Fill pas kësaj, i ka ardhur radha veprës së Vinçenc Gjinit e cila vitin e kaluar ka fituar çmimin “Niketë Dardani” që ndahet nga Ministria e Kulturës.

Vepra që hyn në kuadër të atij që njihet si romantizëm nacional nis vetëm me interpretim të Orkestrës, e Kori i bashkohet më vonë bashkë me recitatorin që kësaj radhe ishte baritoni Shaban Behramaj. Kosova, shteti më i ri i Evropës është në qendër të veprës e cila ndjek melodi me frymë vendore e herë pas here merr edhe ngjyrime bashkëkohore. Me gjithë numrin e vogël të të pranishmëve në sallë dhe pamundësisë që anëtarët e Filarmonisë të kenë ambient të përshtatshëm, interpretimi ka bërë që rrugëtimi muzikor të marrë përmasa të tjera. Është krijuar një ambient feste, ku muzika klasike “rrëshqet” në burim frymëzimi e krenarie për shtetin e ri.

Në koncertin festiv në kuadër të agjendës shtetërore për shënimin e 13-vjetorit të Pavarësisë, Filarmonia e Kosovës, pos lojës së nivelit të lartë, u ka dhënë jetë veprave që prekin pikat kryesore të historisë së vendit.

Pas Sinfonietës, ka qenë radha e “Rrugëtimit” për të rrumbullakuar një mbrëmje që do të mbetet ndër më të rëndësishmet jo vetëm për përvojën e institucionit më të lartë muzikor në vend.

E ndarë në gjashtë kohë, “Kastriotit”, “Rilindjes”, “Qëndresës”, “Mallit”, “Lirisë” dhe “Jetës”, rrëfimi vjen me bazë në melosin e këtyre anëve. E lëvizja me ritëm e ngjyra është mjeshtëri e kompozitorit. Kur krejt kësaj i shtohet edhe interpretimi i Filarmonisë së Kosovës, vepra shkon përtej zbërthimit të historisë. Është një përjetim që ecën prej kohës së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut e deri në ditët e sotme. Rilindja, lufta për çlirim, malli për atdheun e liria vijnë nëpërmjet ngjyrave muzikore. Ndjesia forcohet edhe më kur, Kori nis të interpretojë vargje të Naim Frashërit, Adem Gashit, Jusuf Gërvallës e Ilir Shaqirit.

“Nëse flasim për një situatë të lëvizjes paqësore nuk ka nevojë për temp të shpejtë, por për një vijë melodike që përkon me atë periudhë. Por kur flasim për luftën e çlirimin kemi tjetër temp”, ka thënë Valton Beqiri . Emërtimi i veprës ka përkuar me një rrugëtim historik të popullit shqiptar.

Image

Në koncertin festiv në kuadër të agjendës shtetërore për shënimin e 13-vjetorit të Pavarësisë, Filarmonia e Kosovës, pos lojës së nivelit të lartë, u ka dhënë jetë veprave që prekin pikat kryesore të historisë së vendit


“Gjithmonë kemi nevojë për një Gjegj Kastriot që të na bashkojë dhe të na çojë përpara”, ka thënë Beqiri i cili në kohën e fundit të veprës, “Jetës”, jep mesazhe paqeje dhe përsërit nevojën për një figurë unifikuese. Për dallim nga arte të tjera, muzikës ia ka numëruar një përparësi, atë të depërtimit më të shpejtë te emocionet e njerëzve. Dhe ia ka dalë me këtë.

Muzikologia Rreze Kryeziu, ka thënë se Valton Beqiri vazhdon të jetë karakteristik në stilet që punon. Sipas saj, Vinçenc Gjini i ka qëndruar besnik romantizmit nacional të vonuar, siç e njeh muzikologjia shqiptare.

“Vërejtëm edhe tendenca drejt bashkëkohores. Që të dyja veprat na sollën një lloj pluralizmi stilistik. I ka bashkuar kauza e Kosovës që ofron jo pak inspirim me tematikat që vijnë me tingujt e kompozitorëve tanë”, ka thënë ajo. Sipas Kryeziut, veprat e kompozitorëve si ato të dyshes Gjini e Beqiri, duhet të jenë pjesë e repertorit të Filarmonisë, por edhe orkestrave të tjera.

E diela e 17 shkurtit të vitit 2008 njihet për alamet feste. Po ashtu, kujtohet edhe për temperatura të ulëta. Ndjesia e asaj kohe i është përsëritur violinistit, Festim Fanaj.

“Me të vërtetë është një ndjenjë e mirë. Kam qenë edhe në koncertin e parë kur është shpallur Pavarësia. Kësaj radhe me më pak publik shkaku i situatës, por u rikthyem në atë emocionin e veçantë”, ka thënë ai.

Koncerti festiv, është i dyti radhazi i Filarmonisë së Kosovës që dirigjohet nga Gridi Kraja pas atij të vitit të ri që iu kushtua Nexhmije Pagarishës.

“Ishte një koncert i shkëlqyer me dy vepra të frymës patriotike, por me muzikë të zgjedhur. Tema është shqiptare, por e sjellë në kohë. Ishte një koncert i veçantë”, ka thënë Kraja.

Programi i Filarmonisë së Kosovës për shënimin e përvjetorit të Pavarësisë ka kohë që ka nisur të përgatitet. Shkaku i masave të marra për të ndalur shpërndarjen e koronavirusit, anëtarët e këtij institucioni janë duke mbajtur prova në grupe të vogla.

“Vinçenc Gjini sjell një vepër të kompozuar pikërisht për t’u interpretuar në përvjetorin e Pavarësisë. Vepra e Valton Beqririt është mjaft interesante dhe vjen si rrugëtim që nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu duke sjellë një retrospektivë historike nëpërmjet tingujve muzikorë”, ka thënë Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë së Kosovës. Sa i përket anës organizative, ai ka thënë se në Sallë të Kuqe të Pallatit të Rinisë janë bashkuar grupet që kanë mbajtur prova në objektin e Filarmonisë. “Shpresojmë që edhe ky pak publik që u lejua brenda, të jetë ndarë i kënaqur me këtë program të veçantë”, ka thënë ai.

Historia e Kosovës shtet është pasuruar me shumë gjëra. Shpesh më shumë i ka dalë nami për lajme jo fort të mira. Por, për ata që marrin mostra të një niveli shtetëror, hapësira më e mirë janë institucionet kulturore.

E Filarmonia e Kosovës, edhe me veprat e interpretuara të martën mbrëma e ka dhënë edhe një dëshmi që është prej adresave kryesore.