Nuk bëhet fjalë veç për një vepër të njohur botërisht për historinë që shtjellon, temat që ndërlidh e porositë që dërgon. “Carmina Burana” është edhe spektakël. Me madhështinë skenike që ofron, shkon përtej një interpretimi të muzikës klasike. Bën bashkë klasiken që prek nuanca moderne, horizonte sentimentale, brishtësinë e momentet shpërthyese i ka unike.
Për krejt këtë janë bërë bashkë Kori i Filharmonisë së Kosovës, Orkestra Simfonike e Kori i Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit, Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura, Konservatori Shtetëror i Salernos nga Italia dhe Kori i Zërave të Bardhë i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Me mbi 200 veta në skenë, publiku ka nisur rrugëtimin nëpër magjinë e “Carmina Burana” të Carl Orffit.
Vepra nis me shpërthim, ku loja e krejt të pranishmëve bashkë me madhështinë e skenës dhe dritave ka bërë që salla e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë të transformohet krejtësisht.
Shkaku i përmasave të veprës, atyre estetike e madhështisë së një spektakli, publiku ka duartrokitur shpesh gjatë interpretimit të kantatës.
Dirigjenti Jacopo Sipari di Pescasseroli ka thënë se “Carmina Burana” është vepra më spektakolare muzikore që mund të performohet. Sipas tij, nuk është spektakolare veç për ata që luajnë, por edhe për publikun.
“Mendoj që misioni i muzikantëve është ky: Që të japim emocione te njerëzit dhe me këtë lloj muzike kjo është shumë e lehtë. Sonte ndjeva diçka speciale. Nuk ishte veç energji, por një lidhje midis publikut, Orkestrës e Korit. Ishte diçka magjike. Kjo nuk ndodh shpesh. Jam shumë i lidhur me Shqipërinë. Pastaj bashkëpunimi me Korin e Kosovës, që është i mirënjohur në botë, na ka dhënë këtë rezultat të madh”.
Filharmonia e Kosovës dhe Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit kanë shpeshtuar bashkëpunimin kohëve të fundit. Sidomos për veprat si “Carmina Burana” që është bazë për sukses.
“Bashkëpunimi sidomos nga viti i kaluar është intensifikuar shumë. Për dallim prej fillimeve të vitit të kaluar sivjet do të kemi edhe ardhjen e TKOB në Prishtinë për bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës. Ky bashkëpunim është shumë i rëndësishëm për këmbimin e përvojave dhe hapjen e shtigjeve të reja për mundësinë e paraqitjeve tona, aq më tepër në këtë sallë madhështore që i mungon Prishtinës”, deklaroi Baki Jashari.
Dirigjenti i Korit të Filharmonisë së Kosovës, Hajrullah Syla, i cili është marrë me përgatitjen e këtij ansambli, ka thënë se performanca ishte një finale shumë e mirë, megjithëse ka pasur shumë pak prova të përbashkëta.
“Megjithatë u arrit një rezultat i mirë dhe mendoj se jemi të kënaqur me atë që e pamë sonte. Bashkëpunimet e tilla janë mjaft të rëndësishme. Të them të drejtën këto bashkëpunime i kemi filluar vonë, por po vazhdojnë. Tash në mes të këtij bashkëpunimi na ka mbetur që ta kemi TKOB-in në Prishtinë”, tha Syla.
Drejtoresha e TKOB-it, Abigeila Voshtina, ka thënë se institucioni që ajo udhëheq bashkë me Filharmoninë e Kosovës janë bërë si një trupë e vetme në raste kur veprat kërkojnë profesionistë e masivitet më të madh.
“Sidomos për këto programe që janë vokale-simfonike dhe janë të dedikuara në një shkallë vështirësie nga 1 te 10, në numrin 10 për sa i përket Korit. Nuk po them që Orkestra nuk ka peshën e saj. Siç e patë ishte një orkestër madhështore në të gjitha elementet”.
Baritonit Armando Likaj koncerti i ka dhënë ndjesi të mrekullueshme.
“Brenda pak minutash vepra vjen sa sentimentale, e brishte e po ashtu e fortë e shpërthyese herë pas here. Treguesi më i fortë ishte publiku që na mirëpriti sonte. Ishte jashtëzakonisht i zjarrtë e shumë i dashur. Na ngrohu dhe na dha emocionet që kjo vepër meriton, por edhe na tregoi punën që kemi bërë”deklaroi Likaj.
Në fund të qershorit të vitit të kaluar Filharmonia e Kosovës e kishte përmbyllur sezonin me “Carmina Burana”. Qe një interpretim që bashkoi mbi dy mijë veta në koncert, në ambient të hapur, duke bërë që Prishtina të marrë pamjen e ndjesinë e një qendre evropiane. E në Tiranë ky përjetim u arrit në ambientet e Teatrit të Operës në kohën kur bota po përballet me konflikte të egra. Mesazhet e veprës janë sa të qarta ashtu edhe unike, ku nëpërmjet artit njerëzimit i bëhet thirrje të kthejë sytë nga paqja.