Garat e vënë në pah me të mirët. Mbi këtë parim bazohet Katedra e Regjisë së Filmit dhe e Televizionit në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Për këtë arsye, ka kohë që profesorët brenda Fakultetit të Arteve kanë diskutuar për themelimin e një festivali të studentëve ku të njëjtit do të shfaqnin projektet e tyre filmike dhe do të vlerësoheshin nga një juri profesionale. Muaji maj, del të jetë fatlum sa i përket realizimit të kësaj ideje.
Të martën, profesorët e Katedrës së Regjisë së Filmit, Sylejman Kllokoqi, Ismet Sijarina e Ekrem Xani, morën iniciativën që të organizojnë “Festivalin online studentor”. Edicioni i parë i këtij festivali pesëditësh do të nisë më 5 maj dhe filmat do të shfaqen online në kanalin e Katedrës së aranzhuar nga Rektorati i UP-së dhe i menaxhuar fillimisht nga profesori e regjisori, Ismet Sijarina. Ani pse pandemia e virusit COVID-19 këtë herë ka ndikuar që Festivali të mbahet online, kornizat kufizuese që janë sivjet organizatorët kanë thënë se nuk do të vlejnë për edicionet e ardhshme. Synimet janë që Festivali të hapet edhe për studentët e regjisë së vendeve të tjera dhe të shpërbejë si pikëtakim për bashkëpunime ndëruniversitare, shkruan sot Koha Ditore.
Drejtori i Festivalit, regjisori Jeton Ahmetaj, ka thënë se kanë diskutuar disa herë me kolegët dhe i kanë evidentuar mundësitë dhe problemet për një ndërmarrje të tillë. Sipas tij, meqenëse Katedra e Regjisë dhe Televizionit në UP prodhon rreth 25-30 filma në vit, u krijon mundësinë që të kenë një festival të nivelit të tillë.
“Qëllimi parësor është zhvillimi i nivelit profesional të studentëve dhe rrjedhimisht edhe i kinematografisë kosovare. Në të ardhmen Festivali do të jetë ndërkombëtar dhe garues gjithashtu, kështu që edhe njohja me programet e tjera universitare domosdo se është në favor të ngritjes profesionale”, ka thënë ai. Sipas tij, pa një krahasim të niveleve akademike nuk mund të pretendohet zhvillimi i mirëfilltë as i Katedrës dhe as i programeve të tyre studimore.