Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Cine UP” – inkurajim për studentët e nderim për artistët vendorë

Me qëllim të inkurajimit të studentëve të Regjisë së Filmit, në edicionin e parë të festivalit ndërkombëtar të filmit studentor “Cine UP” janë ndarë gjithsej 43 çmime. Pas pesë ditëve të Festivalit, që ka bërë bashkë filmat e studentëve të drejtimit Regji Filmi në Degën e Arteve Dramatike në Fakultetin e Arteve të universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina” në version online, juria ka thënë fjalën e fundit. I paralajmëruar si festival ndërkombëtar, sivjet ka pasur vetëm pjesëmarrës vendorë. Shfaqja e filmave studentorë ka filluar me ata të studentëve të klasës së regjisorit Ismet Sijarina e më pas nisi edhe “Cine UP”. Në ceremoninë online të ndarjes së çmimeve, regjisori Jeton Ahmetaj, njëherësh drejtor i “Cine UP”, ka thënë se Drejtimi i Regjisë është shndërruar në një lloj fabrike të filmave të shkurtër e dokumentarë. Sipas tij, çdo vit prodhohen deri në 50 filma të shkurtër.

“Është Festivali i parë i filmit të studentëve. Qëllimi i Festivalit është avancimi i stafit akademik dhe i studentëve. Studentët tanë kanë nevojë që vlerat e tyre të krahasohen me vlerat internacionale të kinematografisë”, ka thënë Ahmetaj. Sipas tij, planifikohet që Festivali të ketë jetëgjatësi.

Juria, në përbërje të anëtarëve Luan Daka, Sylejman Kllokoqi, Arbnesha Nixha-Grabovci, Arian Krasniqi e të kryetarit Enver Petrovci, ka vlerësuar mbi 30 filma duke ndarë çmime në katër kategori, sa janë edhe vitet e studimit për regji filmi. Çmimet janë emëruar me emrat e personave që kanë lënë gjurmë në kinematografi e teatër. Çmimi për filmin më të mirë mban emrin e aktorit shqiptar në nam botëror, Bekim Fehmiu. Në kategorinë e filmave të diplomës ky çmim i ka takuar filmit “Thundra” me regji të Shkëlzen Sylejmanit. Për filmat e vitit III laureat i këtij çmimi është Elhami GJelu me filmin “The last cigarete”, për vitin II, Doki Qerimi me filmin “Rrota”, për vitin I, Dita Shaqiri me filmin “Orchestra”. Këto çmime janë ndarë nga ministrja në detyrë e Kulturës, Vlora Dumoshi.