“BookFesti” në edicionin e parë ka ardhur me synime të qarta e me seri aktivitetesh. Në qendër tregtare bën thirrje për t’i kthyer sytë nga libri. Titujt për lexuesit e rinj janë oferta e parë. Aktivitete të shumta për kryefjalë kanë librin e ftesën për lexim. Jo pak vizitorë “BookFesti” dhjetëditor i ka bërë të ndalen te libri, që në ditën e hapjes, por organizatorët presin rritje të interesimit
Në qendra tregtare ku dominojnë dyqane rrobash, kafeteri a restorante, libraritë ose këndet e librave nuk janë fort të dukshëm. Por “BookFest” synon ta ndryshojë këtë, qoftë edhe për dhjetë ditë sa zgjat festa e hapur të premten në “Albi Mall”. Me laramani titujsh e zhanresh vjen ky aktivitet që organizohet sefte, me synimet që të bëhet tradicional e të ndikojë në shprehinë e leximit. Është ftesë për lexim dhe këtë e bën me një sërë aktivitetesh. Jo pak vizitorë “BookFesti” i ka bërë të ndalen te libri, që në ditën e hapjes, por organizatorët, libraria “Dukagjini”, janë optimistë që interesimi do të rritet dita-ditës.
“Është dita e parë, sa filluam. Mirëpo jemi shumë optimistë që do të ketë shumë vizitorë”, ka thënë Idea Peja nga libraria “Dukagjini”, teksa me entuziazëm rendiste librat në tavolinat përkatëse.
Hapësira që reflekton shumë shkronja dhe dituri është e mbushur me të tilla edhe jashtë librave. Me thënie të zgjedhura që i referohen leximit janë të shkruara shkallët që çojnë te “BookFest”, si të jetë një tendencë që lexuesit t’i josh me vargje interesante. Janë mesazhe të Joseph Brodsky si ai se “ka krime ende më të mëdha se sa djegia e librave, një prej tyre është të mos i lexosh ato”.
“BookFest” për qëllim parësor ka që njerëzit të kenë sa më shumë qasje te libri.
“Si librari gjithmonë kemi pasur aktivitete përmes të cilave jemi munduar që të jemi sa më pranë lexuesve. Në këtë rast, ‘BookFesti’ është konceptuar që të kemi një ambient më ndryshe, në një qendër tregtare në të cilën lexuesit mund të vijnë dhe ta kenë më afër librin, bashkë me shumë oferta të tjera. Përndryshe ne e shohim librin si një aset të rëndësishëm që mund të ndihmojë në emancipimin e shoqërisë, andaj jemi shumë të lumtur që edhe ‘Albi Mall’ ka shprehur kënaqësinë edhe bashkëpunimin shumë të afërt për ta realizuar këtë ‘BookFest’”, ka thënë Peja për KOHËN.
Festa e librit do të sjellë lexime librash, vizatime të karaktereve të preferuara, matje të njohurive dhe aktivitete të tjera, përfshirë edhe aktrim të bazuar në libra nga aktorë profesionistë.
Një numër i konsiderueshëm i titujve më të lexuar të kohës mund të blihen me zbritje në tri ditët e para të festës, në mesin e të cilëve edhe ato të Botimeve KOHA.
“Në ‘BookFest’ kemi mbi 1000 tituj të cilët janë në gjuhën angleze dhe në gjuhën shqipe. Te gjuha shqipe kemi botues nga Kosova dhe nga Shqipëria. Gjatë dhjetë ditëve sa mbahet ‘BookFesti’ do të kemi aktivitete të shumta, që do të përqendrohemi te leximi, aktivitetet me fëmijë. Do të kemi edhe bashkëpunime me organizata të shumta dhe mbase do të ketë edhe fytyra publike që do të vijnë dhe do të lexojnë për fëmijët”, ka thënë Peja, duke folur për mënyrën se si është organizuar festa e parë e librit.
Qendra tregtare e ka mirëpritur këtë organizim.
“Qëllimi është që librin ta bëjmë pjesë të përditshmërisë sonë dhe të ndikojmë sado pak në sensibilizimin apo vetëdijesimin e përgjithshëm qytetarë, që të lexojmë, ta ngjallim shprehinë e leximit. Fatmirësisht ka indikacione që është një trend në rritje sa i përket kësaj shprehie. Dhe sigurisht që ne dëshirojmë që bashkë me librarinë ‘Dukagjini’ ta nxisim edhe më tutje një shprehi të tillë”, ka thënë Adlum Ramadani, menaxher i “Albi Mall”. Ka thënë se pos ofrimit të blerjeve dhe shërbimeve ushqimore që qendra ofron, pjesë shtesë duan t’i kenë edhe librat dhe leximin si një shërbim ndaj konsumatorëve. Festën që erdhi me edicionin e parë, synojnë ta vazhdojnë për një kohë të gjatë në bashkëpunim.
“Synimi është që edhe në vitet në vijim të jemi pjesë e ngjarjeve të tilla dhe sigurisht t’i bëjmë edhe më madhore dhe t’i rrisim. Kjo është vetëm nisma e një bashkëpunimi. Viteve në vijim synojmë që t’i rrisim kapacitet dhe mundësitë e bashkëpunimeve”, ka thënë Ramadani.