Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
EXPRESS

Festa e librit në qendër tregtare kërkon lexuesit

Dhjetë ditë aktivitete të veçanta u kushtohen librave për të vegjël e të rinj. Ndryshe nga Panairi i Librit dhe ngjarjet e tjera të ngjashme – si ai i librit të rrallë, të vjetër dhe të përdorur – nëpërmjet organizimit të “BookFest” mëtohet të tërhiqen lexuesit me fokus në moshat e reja. Është edicioni i parë që është hapur në qendrën tregtare “Albi Mall”.

“Si librari gjithmonë kemi pasur aktivitete përmes së cilave jemi munduar që të jemi sa më pranë lexuesve. Në këtë rast ‘BookFesti” është konceptuar që të kemi një ambient më ndryshe, në një qendër tregtare në të cilën lexuesit mund të vijnë dhe ta kenë më afër librin bashkë me shumë oferta të tjera. Përndryshe, ne e shohim librin si një aset të rëndësishëm që mund të ndihmojë në emancipimin e shoqërisë, andaj jemi shumë të lumtur që edhe ‘Albi Mall’ ka shprehur kënaqësinë edhe bashkëpunimin shumë të afërt për ta realizuar këtë ‘BookFest’”, dha Idea Peja nga libraria “Dukagjini”

Festa e librit do të sjellë lexime librash, vizatime të karaktereve të preferuara, matje të njohurive dhe aktivitete të tjera, përfshirë edhe aktrimin e bazuar në libra nga aktorë profesionistë.

Në të janë mbi 1000 tituj të librave më të shitur të kohës, në mesin e të cilëve edhe ato të Botimeve KOHA.

“Në ‘BookFest’ kemi mbi 1000 tituj të cilët janë në gjuhën angleze dhe në gjuhën shqipe. Te gjuha shqipe kemi botues nga Kosova dhe nga Shqipëria. Gjatë 10 ditëve që do të mbahet ‘BookFesti’ do të kemi aktivitete të shumta që do të përqendrohemi tek leximi, aktivitetet me fëmijë. Do të kemi edhe bashkëpunime me organizata të shumta dhe mbase do të ketë edhe fytyra publike që do të vijnë dhe do të lexojnë për fëmijët.”

Në një hapësirë të tillë në të cilën kishte shumë thënie lidhur me librin dhe shprehinë e të lexuarit, edhe vetë organizatorët qëllimin e organizimit e shpjeguan nisur me një të tillë.

“Është një shprehje e një autori, Joseph Brodsky, i cili thotë që ka krime ende më të mëdha sesa djegia e librave, një prej tyre është mos me i lexu librat. Kështu që ne po mundohemi që me pru atë sa më afër lexuesve edhe me qenë të qasshme”, deklaroi Peja.

Nisma e një bashkëpunimi me “Albi Mall” lindi nga qëllimi që “BookFest” ka në qendër. Ata u bënë nikoqirë të titujve të shumtë me idenë e përhapjes sa më të madhe të shprehisë së leximit.

“Qëllimi është që librin ta bëjmë pjesë të përditshmërisë sonë dhe të ndikojmë sado pak në sensibilizimin apo vetëdijesimin e përgjithshëm qytetar që të lexojmë, ta ngjallim shprehinë e leximit. Fatmirësisht ka indikacione që është një trend në rritje sa i përket kësaj shprehie. Dhe sigurisht që ne dëshirojmë që bashkë me librarinë “Dukagjini” ta nxisim edhe më tutje një shprehi të tillë”, tha Adlum Ramadani, menaxher marketingu në “Albi Mall”.

Në tri ditët e para të “BookFestit” kishte zbritje prej 15 për qind në të gjithë librat e ekspozuar.

Organizimi i aktivitetit si pikë atraktive sociale e kulturore me librin në qendër synohet të bëhet tradicional.

Artikuj të ngjashëm