Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

"FerFilm” ndez projektorin e edicionit sfidues

Ileana Andrea Gómez Gavinoser nga Argjentina, Diego Freitas nga Brazili, Ieva Sakalyte nga Lituania, e Daniel Pavliq nga Kroacia, janë vetëm disa nga regjisorët e huaj që destinacion kanë Ferizajn. Këta janë vetëm disa nga rreth dyzetë regjisorë nga rajoni e bota, që filmat e tyre do t’i shpalosin para publikut ferizajas.

Kështu, Festivali Ndërkombëtar i Filmit “FerFilm” të premten mbrëma ka hapur edicionin e tij të sivjetmë, të tetin me radhë.

Me logon karakteristike që paraqet një vijë të drejtë dhe pastaj të degëzuar – si simbol i bifurkacionit të lumit Nerodime – në hapësirën e improvizuar në qendër të qytetit, ku ishte vënë një projektor gjigand, festivali ka hapur ditën e parë duke e “thyer” traditën.

Ndonëse është festival i profilizuar kryesisht për filma të metrazhit të shkurtër, “FerFilm” ditën e parë e ka nisur me shfaqjen e filmit të metrazhit të gjatë “Shpia e Agës”, të regjisores Lendita Zeqiraj.

“Është një eksperiencë dhe sfidë e re për ne, sepse është aktiviteti i parë që mbahet në qytetin tonë në një ambient më masiv”, ka thënë drejtuesi i këtij festivali, Sabri Pajaziti, në një prononcim për gazetarin Kreshnik Bekteshi në “Express” të KTV-së, që ka përcjellë ceremoninë hapëse të festivalit.

Juria e përbërë nga Fatlum Haziri, regjisor, Adem Zhinipotoku, aktor, dhe Ana Jakimska, regjisore nga Maqedonia e Veriut, ka pasur para vetes 47 filma të metrazhit të shkurtër që garuan në katër kategoritë e festivalit: animacion, dokumentar, triller dhe eksperimental.

Interesimi nuk ka munguar dhe, siç shihet nga lista e programit e afishuar në faqen zyrtare të festivalit në “Facebook”, për këtë edicion kanë aplikuar edhe regjisorë nga vende si Brazili, Argjentina, Peruja, Bolivia, Afrika e Jugut, Togo, Irani, Izraeli, Polonia, Irlanda, e të tjera.

Në të vërtetë, sipas kalendarit, organizatorët kishin planifikuar që “FerFilmin” të mbahej në muajin prill. Por, rrethanat e reja, të krijuara si pasojë e pandemisë së koronavirusit, kishin bërë që ai të shtyhej për një kohë të pacaktuar.

Artikuj të ngjashëm