Qyteti i Prizrenit pritet të jetë shtëpia e dytë për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ngaqë atje së shpejti do të zhvendosen disa departamente të kësaj ministrie.
Departamenti i Trashëgimisë Kulturore dhe ai i Kulturës, që nga muaji shkurt i vitit të ardhshëm do të funksionojnë nga ky qytet, tha për Radion Evropa e Lirë, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.
“Ne tashmë kemi një vendim të Qeverisë së Kosovës sa i përket bartjes së Ministrisë së Kulturës në qytetin historik dhe kulturor të Prizrenit. Kjo ka qenë një prej iniciativave tona të para për shkak të shumë karakteristikave që ka qyteti i Prizrenit, duke përfshirë aktivitetet kulturore që i ka ky qytet, qoftë festivaleve të ndryshme me karakter ndërkombëtar”.
“Duke u mbështetur në karakteristikat historike që ka qyteti i Prizrenit dhe një pasuri të trashëgimisë kulturore, pastaj shumë monumenteve..., dhe këto kanë qenë arsyet që kemi menduar që Prizreni meriton të ketë selinë”, theksoi Gashi.
Por, komuniteti i artistëve në vend konsideron se përkrahja për këtë kategori gjithmonë ka munguar.
Edhe
Nga sot Prizreni u bë shtëpia e dytë për Ministrinë e Kulturës
Arian Krasniqi, dramaturg dhe ish-drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës, tha se zhvendosja e institucionit nga Prishtina në Prizren nuk ka aq rëndësi, sa do të kishte përkrahja më e madhe e artistëve në Kosovë.
“Mendoj që qyteti i Prizrenit shquhet për nga vlerat kulturore dhe artistike dhe çdo angazhim institucional për ta forcuar identitetin e vet si qytet kulturor, në parim është i mirë. Këtë përpjekje e shoh më tepër si politike në këtë fazë sesa diçka që konceptohet si vizion për të ardhmen”, tha Krasniqi.
Ndërkohë, sipas ministrit Kujtim Gashi tashmë Komuna e Prizrenit do të ndajë dy objekte të parapara për Ministrinë e Kulturës.
“Ne jemi duke përgatitur zhvendosjen e ministrisë atje, dhe gjithashtu kemi biseduar edhe me zyrtarë nga Komuna e Prizrenit për ndarjen e dy objekteve ku ne po mendojmë të vendosemi. Ka pasur zëra që kanë thënë se si është e mundur që gjithë ministria të zhvendoset në Prizren, por ky institucion do të jetë në dy qytetet, e edhe në Prishtinë”.
“Stafi do të jetë i njëjtë, sidomos pjesa politike, derisa stafi i shërbimit civil me marrëveshje do të zhvendoset. Ata që nuk janë të gatshëm nuk do të shkojnë pa vullnetin e tyre”, shpjegoi Gashi.
Halil Matoshi, këshilltar politik i kryeministrit të Republikës së Kosovës, tha se tashmë është marrë vendim nga ministri i Kulturës që një pjesë e këtij dikasteri të shkojë në qytetin e kulturës, në Prizren.
“Kryeministri i mbështet të gjitha veprimet e dikastereve qeveritare që janë në funksion të ngritjes së cilësisë së jetës së qytetarëve, përkatësisht të ngritjes së kapaciteteve menaxhuese të kulturës së vendit”.
Edhe
Ministria e Kulturës pritet që të zhvendoset në Prizren
“Është një zyre atje që jep shërbime e që është më afër qytetarit, një delegim i pushtetit. Mendoj se ministri e ka paraparë që stafin ta ketë edhe nga qyteti i Prizrenit”, tha Matoshi.
Ndryshe, zhvendosja e një pjese të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Prizren, paraqet një praktikë të re, ngaqë deri më tani, Qeveria e Kosovës ka qenë e përqendruar me të gjitha ministritë, vetëm në Prishtinë.