Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“EU4Culture” në Shqipëri fuqizon artizanët dhe kuzhinën tradicionale

Një nismë e ndërmarrë në kuadër të projektit “Eksploro – Përjeto – Nxit Turizmin Kulturor në zonën e pas tërmetit”, ka nisur si një rrugëtim kulturor me evidentimin e disa prej bizneseve si restorante, agroturizëm, kantina, artizanëve e të tjera.

Ky program, që ka për qëllim përkrahjen e nxitjen e këtyre pikave të interesit, është pjesë e “EU4Culture” të financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës të Shqipërisë, për thirrjen e parë të projekteve “Recraft the Past, Build up the FUTURE” dhe zbatuar nga Instituti i Politikave Publike dhe Private (IP3), si një nga përfituesit e programit.

Ministria e Kulturës e Shqipërisë e ka paralajmëruar si një nismë për promovimin e turizmit kulturor dhe fuqizimin ekonomik. Janë katër qytete që do të mund të përfitojnë nga ky program.

“Programi i ‘EU4Culture’ fton për të shijuar ushqimin tradicional dhe produktet lokale, pasi duke ndërvepruar me banorët vendas mund të përjetoni atmosferën vendase, historinë, traditat dhe zakonet, veçanërisht në rajonet e Durrësit, Krujës, Kavajës dhe Rrogozhinës, ku është përqendruar ky projekt”, shkruhet në paralajmërim.