Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Epoka e zemërimit

Në kulmin e demonstratave kundër kurdisjes së zgjedhjeve në Bjellorusi, Alexander Lukashenko u rrek të fuqizonte pozitën e tij me një paraqitje publike në ditën e 17 gushtit. Dhe kurrgjë nuk i shkoi mbarë. Pasi zgjodhi të udhëtonte me helikopter për t’iu shmangur protestuesve në rrugë, presidenti vizitoi atë që konsiderohet shëmbëlltyra e bastionit të tij politik: një fabrikë shtetërore për prodhimin e traktorëve në periferi të Minskut. Por, edhe atje, nuk ia doli dot të fshihej prej zemërimit mbarëpopullor. Punëtorët brohoritën “dorëheqje” derisa Lukashenko e lëshoi foltoren.

E paimagjinueshme deri para pak ditësh, skenat ilustruan përmasat e zemërimit publik në Bjellorusi për shkak të zgjedhjeve të kurdisura dhe cenimit të të drejtave të njeriut, shkruan KOHA. 

Po jetojmë në një “epokë zemërimi”, vëren autori indian, Pankaj Mishra, në librin me të njëjtin titull. Kini parasysh rrjedhën e viteve 2010: duke nisur me krizën financiare më 2008 dhe me revoltat politike që i shkaktoi; kryengritjet e Pranverës Arabe dhe rrëshqitjen e tyre në përplasje autokratike, madje edhe në gjakderdhje; ngritjen e nativistëve dhe tribunëve të tyre, erdoganët, modit dhe trumpët; sulmet terroriste, rënien e shteteve, krizën e refugjatëve, dhunën nga Ukraina deri në Jemen, Birmani e Brazil, nga lajmet e përflakura në mediat sociale në sheshe qytetesh.

Prej botimit të librit të Mishras më 2017, zemërimi vazhdon të marrë vrull. Vjet pamë dalje masive të qytetarëve në rrugët e Kilit, Libanit, Sudanit, Irakut, Iranit, Algjerisë dhe Hong-Kongut, si dhe të premtat botërore për marshet e së ardhmes.

Vazhduan edhe sivjet – për shkak se pandemia vetëm sa spikati edhe më shumë pabarazitë dhe çarjet shoqërore – në Bolivi, Bregun e Fildishtë, Afrikë Jugore dhe Izrael, gjatë demonstratave të vazhdueshme në Hong-Kong, Irak e Rusi, si dhe lëvizjen “Black Lives Matter”(BLM).

Edhe I mbijetoi për vite represionit politik në Rusi, deri kur në derë i trokitën burrat e maskuar Botë 1 d. më parë I mbijetoi për vite represionit politik në Rusi, deri kur në derë i trokitën burrat e maskuar

Protestat e përditshme vërshuan edhe rrugët e mbushura me rrënoja të Bejrutit pas shpërthimit fatal të 4 gushtit dhe mungesës së dorës së shtetit libanez, që në fakt e solli tragjedinë. Protestat e Bjellorusisë janë më të mëdhatë në historinë e vendit. Edhe Tajlanda po përballet me demonstrata të papara me brezin rinor që nxjerr dufin kundër ushtrisë dhe dorës së fortë mbretërore.

Zemërimi, duket, po mbisundon gjithkund. Po përhapet shpejt si asnjëherë tjetër, duke marrë vrull edhe më të madh nëpërmjet rrjeteve të mediave sociale, algoritmet e të cilave përherë i shtyjnë përdoruesit drejt klikimeve-zemëruese. Zemërimi merr karakter viral, por ndryshe nga koronavirusi, nuk është diçka që mund ta ruash distancën sociale. Rrënjët i ka të ngulitura thellë.