Studiuesi i letërsisë e shkrimtari Emin Kabashi është laureati i sivjetshëm i çmimit letrar “Esad Mekuli” për krijimtari të përgjithshme. Çmimin që e ndan Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, Kabashi e ka pranuar të hënën në amfiteatrin e madh të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në kuadër të takimit letrar të këtij viti që e ka organizuar LShK-ja.
Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Shyqri Galica, përderisa ka lexuar arsyetimin për çmimin, ka thënë se tash e 50 vjet Kabashi është pjesë e letërsisë. Sipas Galicës, krahas prozës ai ka pasuruar letërsinë edhe me vepra në dramë. “Shquhet edhe me publicistikë e eseistikë”, ka thënë Galica, shkruan sot Koha Ditore.
Ai u lind më 23 janar 1949 në fshatin Drini të Rahovecit, ku edhe përfundoi shkollën fillore. Gjimnazin e filloi në Prizren dhe e përfundoi në Rahovec. Ka studiuar në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës. Studimet pasuniversitare i ka ndjekur po në Degën e Letërsisë dhe ka magjistruar me temën “Poetika e Lasgush Poradecit” në vitin 1979. Në vitin 1989 ka mbrojtur tezën e disertacionit të doktoratës me titull “Poetika e poemave të Jeronim de Radës” në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës.
“Njerëz dhe rrugë”, “Dimri i Drinisë”, “Gjaku i shprishur”, “Dashuri në kohë robërie”, “Poetika e poemave të Jeronim de Radës”, “Jeronim de Rada – poetika e poemave” e “Përtej grilave” janë disa nga veprat e Kabashit, i cili është hulumtues i pavarur shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës.
Në këtë takim letrar, ku si çdo vit janë lexuar poezitë konkurrente, janë ndarë edhe çmimet për poezi.
Edhe
Shaip Beqiri, laureat i çmimit “Esad Mekuli”
Midis një gare prej më se 50 poezive, juria në përbërje të Arsim Berishës, Hamdi Hasukës e Hysen Matoshit ka ndarë tri çmime. Me vendin e parë, “Bardi I” është vlerësuar poezia “Etisdiku” e poetit Shaban Pllana. Çmimi “Bardi II” i është dhënë poezisë “Ekzil” me autor Sylejman Dërmakun. Çmimi i tretë është ndarë dy herë. Këtë çmim e ka ndarë Instituti Albanologjik për poezinë “Poeti” me autore Myrvete Kabashi-Leku, kurse në emër të LShK-së fituese ishte poezia “E madhërishmja tokë” me autore Trandafile Molla-Bajra, duke pranuar çmimin “Bardi III”.
Takimi letrar “Esad Mekuli” ka filluar me sesionin letrar “Poetika e Fatos Arapit”.....(Më gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)