Kulturë

Emërohet shtatëshja e ekipit vendor të “Manifesta 14” në Prishtinë

Dita-ditës “Manifesta”, që konsiderohet si një ndër bienalet më të rëndësishme të artit në Evropë, ka nisur shpalosjen e detajeve në lidhje me edicionin e ardhshëm që do të mbahet në Prishtinë. Bienalja nomade që më 2022 vjen në Prishtinë, të martën ka bërë të ditur emrat e shtatë anëtarëve të parë të ekipit vendas që tashmë kanë filluar përgatitjet. E në javët në vazhdim pritet që të bëhen të ditura edhe detaje të tjera në lidhje me organizimin që ka paralajmëruar nisjen e studimit urban të Prishtinës.

Ekipi përbëhet nga Nita Deda - koordinatore e komunikimit dhe marketingut, Rina Gurgule - koordinatore e zhvillimit, Oda Haliti - koordinatore e mediave sociale dhe digjitale, Erleta Morina - koordinatore e edukimit, Dren Maliqi - koordinator i produksionit, Teuta Hoxha Jahaj - menaxhere e zyrës, dhe Kujtim Sermaxhaj - koordinator i biznesit.

“Koordinatorët vendorë do të punojnë ngushtë me drejtuesit ndërkombëtarë të departamenteve për ngritjen e fondeve, produksionin, hulumtimin, komunikimin dhe administrimin e edicionit të ardhshëm të ‘Manifesta 14’ në Prishtinë”, është shkruar në komunikatën ku janë bërë të ditur emrat e anëtarëve të emëruar në tetor të vitit 2020.

Përvoja profesionale e Nita Dedës shtrihet në mbi dhjetë vjet përvojë pune, një mori rolesh në skenën kulturore të Kosovës dhe menaxhimin e ngjarjeve më të mëdha artistike, siç është pozita e drejtoreshës së festivalit “DokuFest”.

“Ajo vjen me një përvojë të udhëheqjes në komunikim, produksion të filmit, programim të muzikës dhe menaxhment të artit”, është shkruar në komunikatë. E Rina Gurgule është përgjegjëse për ngritjen e fondeve dhe menaxhimin e partneriteteve të organizatës. Ajo më parë ka punuar si udhëheqëse e “Creative Europe Desk Kosova”, si dhe në sektorin e Diplomacisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Është diplomuar në studimet master për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci Kulturore me fokus të veçantë në kulturë nga Universiteti Hochschule Furtwangen-Berlin.

Oda Haliti, koordinatorja e mediave sociale dhe digjitale, ka përvojë pesëmbëdhjetëvjeçare në sferën e komunikimit, menaxhimit dhe marrëdhënieve me publikun.

“Ajo do të kontribuojë në ekip me pasionin e saj artistik, vetëdijen dhe vlerësimin kulturor, si dhe përkushtimin për të kontribuar në përparimin shoqëror”, është shkruar në komunikatën ku shpalosen disa detaje për anëtarët e rinj. Aty bëhet e ditur se Erleta Morina, koordinatorja e edukimit, ka mbaruar studimet për Politika Publike e Menaxhement dhe në Marrëdhëniet Ndërkombëtare.

“Ajo ka zhvilluar një interes të hershëm për angazhimin qytetar përmes vullnetarizmit dhe punës në iniciativa të ndryshme shoqërore, kulturore dhe artistike. Konkretisht, ajo është përqendruar në zhvillimin e komunitetit përmes edukimit joformal dhe aktivizmit qytetar si organizatore e komunitetit në Qendrën Sociale Termokiss, ku ajo ishte e përfshirë në hulumtimin dhe adresimin e nevojave të komunitetit, dhe organizimin dhe menaxhimin e aktiviteteve sociale dhe kulturore”, është shkruar në komunikatë. E për Dren Maliqin, koordinatorin e produksionit, është thënë se si qëllim kryesor ka të zhvillojë një mjedis të qëndrueshëm kulturor rreth tij dhe të tjerëve, përmes punës këmbëngulëse dhe optimizmit. Ka studiuar art dhe sociologji.

E Teuta Hoxha-Jahaj ka më shumë se dhjetë vjet përvojë pune në pozita drejtuese dhe menaxheriale në organizata të ndryshme të shoqërisë civile. Ajo ka qenë e përfshirë në “Manifesta 14 Prishtina” që nga fillimi.

Kujtim Sermaxhaj, koordinator i biznesit, është shkruar se është specialist i zhvillimit të biznesit me përvojë të punës në organizata jofitimprurëse dhe firma ndërkombëtare. Ka diplomuar për ekonomi në Universitetin e Prishtinës dhe ka MBA në Universitetin e Sheffieldit.

I nënshkruar në maj të vitit 2019 midis Komunës së Prishtinës dhe bienales evropiane të artit “Manifesta 14”, protokolli i bashkëpunimit parasheh që kryeqyteti i Kosovës të jetë kryeqendra e manifestimit në kuadër të të cilit emrat më të njohur të artit dhe të arkitekturës do të realizojnë projekte enkas për qytetin, kurse urbanistë të njohur si Renzo Piano, Rem Koolhaas, Winy Maas e të tjerë do të jenë pjesë e ekipit.

“Manifesta” ishte themeluar në fillim të viteve ’90 si një përgjigje për ndryshimet politike, ekonomike dhe shoqërore pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe hapave pasues drejt integrimit evropian. Prej atëherë “Manifesta” është zhvilluar në një platformë udhëtimi, që fokusohet në dialogun midis artit dhe shoqërisë në Evropë. Është një projekt me bazë në komunitet. Sipas përshkrimit që i bëhet kësaj bienaleje, ajo varet nga bashkëpunimi ndërmjet akterëve ndërkombëtarë dhe atyre lokalë dhe përfshirjes e angazhimit të komuniteteve lokale. Më 2024 do të jetë në Barcelonë e më 2026 në rajonin Ruhr të Gjermanisë.