Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Elbenita Kajtazi e “Siparantum” e sfidojnë skenën me magjinë e zërit

Elbenita Kajtazi tashmë është emër i dëshmuar i skenave të mëdha operistike. Talenti e përvoja e bëjnë atë ta ketë një aurë të padiskutueshme në raport me publikun (Foto: Visar Kadrolli)

Elbenita Kajtazi tashmë është emër i dëshmuar i skenave të mëdha operistike. Talenti e përvoja e bëjnë atë ta ketë një aurë të padiskutueshme në raport me publikun (Foto: Visar Kadrolli)

Prej një skene si Opera Shtetërore e Vjenës, sopranoja e shquar Elbenita Kajtazi ka aterruar në Prishtinë me magjinë e zërit të saj. Prej sukseseve në metropole ka aterruar edhe “Siparantum”, kori tashmë i dëshmuar gjithandej. Emëruesi i përbashkët i tyre është magjia e zërit. E në koncertin në Prishtinë, i bashkon edhe sfidimi i kushteve që tashmë janë shndërruar në “rekuizitë” të secilës ngjarje. Kanë hapur “ReMusican”, festivalin i cili tash 23 vjet sjell emra të shquar në po të njëjtat salla

Javën e kaluar publiku në Operën Shtetërore të Vjenës është zhvendosur prapa në kohë e hapësirë. Ka parë një shfaqje që sjell Parisin e para një shekulli. Këtë e ka përjetuar nëpërmjet operës “La Bohème” libreti i së cilës nxjerr në pah marrëdhëniet midis Rodolfos dhe Mimìt, duke përfunduar me vdekjen e saj. 

Mimì (Elbenita Kajtazi) dhe Rudolfo (Saimir Pirgu) qenë dy zëra shqiptarë që pushtuan skenën në objektin e ndërtuar në vitin 1869. E, ylli i “La Bohème”, Elbenita Kajtazi, prej Vjenës ka zbritur më në jug të Evropës. Të martën mbrëma ka interpretuar në hapjen e festivalit ndërkombëtar të muzikës “ReMusica”. 

Elbenita Kajtazi tashmë është emër i dëshmuar i skenave të mëdha operistike. Talenti e përvoja e bëjnë atë ta ketë një aurë të padiskutueshme në raport me publikun. Thjeshtësia ia rrit madhështinë. Fillimisht u kërkon falje të pranishmëve që nganjëherë do të interpretojë ulur shkaku i shtatzënisë. Por pak ka rendësi se a do të jetë ulur apo në këmbë. Ajo është Elbenita Kajtazi. 

E përcjellë në piano nga Elda Laro, Kajtazi ka interpretuar disa prej arieve më të njohura të operave të Puccinit, Tchaikovkit e të Charles Gounod. Ka befasuar publikun duke interpretuar edhe arien e Mimìt. Në këtë rast ka dalë nga programi. 

“Po ta dija se do të ishte këtu edhe Rama (Ramë Lahaj v.j.) do të interpretonim dialogun”, ka thënë ajo me buzëqeshje. Monologu i Mimìt është tejet dramatik. Kajtazi ka prani të fortë në skenë, duke bërë që të mbulohen telashet e pashmangshme lokale si lëvizjet brenda sallës, zhurma e kushtet aspak profesionale për arie të tilla. Bashkë me pianisten Elda Laro, Kajtazi i ka dhënë ngjyrë të sallave evropiane të operave Ateliesë së Pallatit të Rinisë. Aso ngjyre që publiku vendor rrallë i has në të dhe për një shtet të ri, talentet si Elbenita Kajtazi janë shembull i domosdoshëm. 

Edhe “Mbrëmja e operës” me yjet që shndrisin në magjinë e zërit Kulturë “Mbrëmja e operës” me yjet që shndrisin në magjinë e zërit

Mbrëmja hapëse e “ReMusicas” për sivjet ka nisur me koncertin e yllit operistik e ka vazhduar me atë të korit “Siparantum” që në fund të muajit të kaluar doli i artë në garën e 50 koreve në Spanjë. 

Formacioni koral, i njohur edhe në botë, ka sjellë program të cilin e ka interpretuar në disa vende evropiane e përtej këtij kontinenti. Spektakli që ofrojnë rreth 50 anëtarët e korit ka marrë vëmendjen e publikut që me daljen në skenë duke interpretuar “Tshotsholoza” të Jeffery Ames. 

“Media vita” e Michael McGlyn e “Fire” e Katerina Gimon qenë midis veprave të interpretuara. Në Atelienë e Pallatit të Rinisë kanë interpretuar edhe veprën e Baki Jasharit, “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr”. “Siparantum” me vokalin e tij e bashkë me dramacitetin që u jep veprave nëpërmjet lëvizjeve koreografike, ka bërë që publiku të shohë interpretimin e korit që së fundmi në Spanjë ka marrë Çmim special për program kontemporan e interpretim në skenë. 

“Siparantum” i njohur edhe në botë, ka sjellë program të cilin e ka interpretuar në disa vende evropiane e përtej këtij kontinenti. Spektakli që ofrojnë rreth 50 anëtarët e korit ka marrë vëmendjen e publikut që me daljen në skenë duke interpretuar “Tshotsholoza” të Jeffery Ames (Foto: Visar Kadrolli)

“Dy koncertet ishin ide e qëlluar me diversitet, por me lidhje të përbashkët që ishte vokali. Ishte e mrekullueshmja Elbenita Kajtazi që po na bën krenarë në botë e po ashtu ’Siparantum’ që po na bën krenarë në gjithë botën duke sjellë medalje të arta”, ka thënë ish-drejtori i Filharmoinisë së Kosovës, Baki Jashari, njëherësh kompozitor i “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr”. Ka treguar se kjo vepër daton qysh nga vitit 1986 kur ishte ende në Slloveni dhe veprën e ka shkruar me motivim të profesorit Rafet Rudi që atëherë ishte dirigjent i Korit të RTP-së. 

“Orientimi im ishte të bëj diçka kombëtare dhe gjeta poezinë e Din Mehmetit që përshkruan vuajtjet e popullit tonë dhe aspiratat për liri. Teksti tregon se kemi qenë nën okupim dhe kërkohet një dalje nga ajo gjendje. Për herë të parë është interpretuar më 1988 në Sallën e Kuqe nën interpretimin tim”, ka kujtuar Jashari. Sipas tij, vepra nën interpretimin e “Siparantum” vjen e adaptuar me koreografi duke i dhënë qasje më bashkëkohore që i shkon fort për shtati formatit muzikor të këtij kori. 

Dirigjenti i korit “Siparantum”, Memli Kelmendi, ka thënë se me modesti duhet të kujtojë se kohëve të fundit janë mësuar të interpretojnë në skena të mëdha e shumë të përshtatshme për muzikë korale. 

Edhe Bis në skenat kulmore për zërin me të cilin jehon edhe Kosova Kulturë Bis në skenat kulmore për zërin me të cilin jehon edhe Kosova

“Rikthimi në Prishtinë e në këtë festival është ndjesi e veçantë pasi interpretojmë para publikut vendës dhe emocionet janë krejtësisht të tjera, energjia është ndryshe e kujdesi është më i madh”, ka thënë ai. 

Ka shtuar se kanë bërë më të mirën brenda vetes por akustika është shumë telashe pasi ndodh që anëtarët e korit me vështirësi ta dëgjojnë njëri-tjetrin. 

“Uroj që në koncertin e radhës të jemi në një skenë më të mirë. Vendi ynë përballet me këtë problem vazhdimisht. Kemi zgjedhur një program që kemi interpretuar në disa vende. Jam thellësisht i lumtur që këtë mbrëmje e kemi ndarë me kolegen time që është inspirim për secilin artist, Elbenita Kajtazin”, ka thënë ai. 

Problemet me ambientet ku mbahen koncertet i kanë përmendur edhe organizatorët në hapje të festivalit. Përballë kanë pasur edhe kryetarin e kryeqytetit, Përparim Rama, e ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Kanë apeluar për kushte më të mira dhe kanë thënë se do të ndihmonin procesin për një sallë të re. 

“Përkundër që xhaketa e këpucët na rrinë të ngushta duhet të vazhdojmë”, ka thënë producenti i Festivalit, Viktor Berishaj, pas koncerteve që kanë hapur edicionin e 23-të. Sa i përket natës hapëse ka thënë se kishte program tejet kualitativ. 

Edhe “ReMusica” hapet me yllin operistik e korin e artë EXPRESS “ReMusica” hapet me yllin operistik e korin e artë

“Po më duket që treguesi më i mirë ishte reagimi i publikut pas dy koncerteve. Më mbarë nuk do të mund të niste. Ishte një nismë e mbarë”, ka thënë ai. 

“ReMusica” sivjet bashkon emra të mëdhenj të muzikës klasike nga vendi e bota duke zhvilluar program shumë të ngjeshur deri në ditën e tetë të këtij muaji, kur do të interpretojë edhe kori i Filharmonisë së Kosovës e në skenë do të jetë edhe kitaristi Petrit Çeku. Do të shënohet 75-vjetori i kompozitorit e dirigjentit Rafet Rudi duke përmbyllur edicionin e sivjetmë të Festivalit.