Kulturë

Elbenita Kajtazi anulon fluturimin, aterron si Violetta në Berlin

Po priste të vinte orari i fluturimit në mbrëmje drejt Kosovës, kur një mesazh ia ndërroi planet. Deutsche Oper Berlin po kërkonte Violettan për “La traviata”. Sopranoja e shquar Elbenita Kajtazi mori trenin nga Hamburgu në Berlin dhe “aterroi” në skenën Deutsche Oper Berlin. Ngriti publikun në këmbë, u rikthye në skenën që e ëndërronte dikur, pa prova paraprake por vetëm me pak udhëzime, thjeshtë shkëlqeu. “Ka qenë moment i rëndësishëm dhe emocion i papërshkruar kur gjithë salla çohet në këmbë”, ka thënë Kajtazi për KOHËN

Për paraqitjen në një rol si Violetta në operën “La traviata”, me krejt kërkesat dhe veprën madhore, do të kërkoheshin përgatitje maksimale e të gjata. Befas, brenda ditës, sopranoja Elbenita Kajtazi u bë kryepersonazhi i njërës prej kryeveprave operistike. Me udhëzime krejt minore, e gjeti veten në skenë në Berlin me barrën e përgjegjësisë së rolit. Me krejt sfidat, ajo shkëlqeu, të paktën për aq sa në fund publiku e vlerësoi dhe e duartrokiti gjatë për interpretimin e saj.

I njohur ishte roli për të. Që prej vitit 2018 kur ka debutuar si Violetta, 27 herë në skena të ndryshme është shfaqur në skenë si kryepersonazhi i operës “La Traviata”.

Të mërkurën, kur po bëhej gati të nisej për në Kosovë, një kërkesë ia ndërroi planin. Fluturimi drejt vendlindjes u anulua, sopranoja e shquar u nis prej Hamburgut në Berlin. “Aterroi” në skenën prestigjioze të Deutsche Oper Berlin.

Ishte mesazhi i menaxherit të saj Alessandro, siç ka treguar sopranoja, që e shpiu atë në shtegun e shtëpisë së operës në Berlin.

“Valixhet i kishim gati për të udhëtuar për Kosovë, fluturimin e kishim në mbrëmje por çdo gjë ndryshoi kur mora një mesazh nga menaxheri im: ‘They need a Violetta tonight in Berlin, would you sing’ ( në Berlin kanë nevojë për një Violetta sonte, a do këndoje?) dhe pa hezituar aspak i ktheva përgjigjen ‘PO’. Mbas 30 minutave çdo gjë ndryshoi, unë dhe Ardiani po bëheshim gati për Berlin”, ka treguar sopranoja Kajtazi në një postim në rrjetin “Facebook”, shoqëruar edhe me një video ku bashkë me burrin, shtyjnë nisjen drejt Kosovës.

Ka treguar se është rikthyer aty ku çdo gjë kishte filluar për të, me rolin që e kishte ëndërruar. Në Deutsche Oper Berlin kishte nisur karrierën në skena botërore. Aty ishte trajnuar për dy vjet si soprano. Ka pasur dy vjet që nuk kishte interpretuar aty. Rikthimin e ka konsideruar të jashtëzakonshëm.

“Ky kthim ka qenë i jashtëzakonshëm pasi ka qenë roli të cilin e kam ëndërruar dhe ka qenë moment shumë i rëndësishëm të kthehem aty. E kam pasur gjithmonë dëshirën të kthehem në skenën e fillimeve të mia. Ka qenë moment i rëndësishëm dhe emocion i papërshkruar kur gjithë salla çohet në këmbë”, ka thënë sopranoja Kajtazi të premten në një përgjigje për KOHËN. Tashmë ka mbërritur në Kosovë.

Sikur nga pamjet e ndara në rrjete sociale, sopranoja Kajtazi ka thënë se publiku është ngritur përnjëherësh në këmbë për të dhe ka duartrokitur gjatë. Profesionalizmin e saj e dëshmon shkëlqimi në skenën ku rolin e luan mbas një kohe të gjatë e ku takimi i parë me trupën është shfaqja para publikut.

“Prova kemi pasur një orë e dhjetë minuta para shfaqjes. Nuk kam pasur prova me orkestër, thjesht e kam takuar regjisoren dhe mi ka shpjeguar disa gjëra shpejt. Por meqenëse unë e njoh rolin shumë mirë dhe nëse nuk isha e sigurt për ndonjë lëvizje, improvizoja. Të gjithë kolegët i kam takuar në skenë pasi ka qenë kohë shumë e limituar”, ka thënë sopranoja e cila mban role të mëdha prej repertorit operistik botëror.

Ka thënë se njohja me rolin e ka bërë ta përmbushë me sukses çdo pjesë që në produksionet e teatrove ndryshon.

“Violetta është rol të cilin e kam debutuar në vitin 2018, më pas e kam kënduar në vende të ndryshme. Është rol që e njoh mirë por në të gjitha teatrot, produksionet kanë qenë të ndryshme. Meqenëse kjo ka qenë thjesht një thirrje telefonike në mëngjes dhe më është dashur të hip menjëherë në tren dhe të shkoj të këndoj, ka qenë shumë sfiduese. Por unë i admiroj sfidat dhe kjo adrenalina që e përjetoj është e jashtëzakonshme. Më bën ta dërgoj veten në limite emocionale”, ka thënë sopranoja Kajtazi.

Ajo ka interpretuar si Sophie në "Der Rosenkavalier" në Teatro Municipal de Santiago, në "Hansel dhe Gretel" në Essen dhe si Pamina në "Flautin Magjik" në Semperoper Dresden gjatë vitit 2014. Në verën e vitit 2016 bëri debutimin e saj në Festivalin e Salzburgut si anëtare e Projektit të Këngëtarëve të Rinj, duke kënduar me Orkestrën e Radio Münichut.

Në sezonin 2018/19, Elbenita Kajtazi bëri debutimin e saj në Operën Shtetërore të Hamburgut si Nannetta në “Falstaff” dhe si Susanna në “Le nozze di Figaro”. Në vitin 2020 bëri debutimin e saj në “Opéra National de Bordeaus” si Violetta në “La traviata”, ndërsa në sezonin e radhës ajo rikthehet në Operën Shtetërore të Hamburgut si Gretel, Violetta dhe Adina dhe bëri debutimin e saj si Manon.

Opera “La traviata” në tri akte e ka në qendër Violettën. Roli të cilin e ka përfaqësuar Kajtazi, e shfaq atë në skena të ndryshme. Ajo fillimisht bën një festë luksoze për të festuar shërimin e saj nga një sëmundje. Shpejt shfaqet Alfredo Germont, një borgjez i ri nga një familje provinciale që prej kohësh e adhuron Violettën nga larg. Baroni Douphol është i dashuri aktual i Violettës. Protagonistja vazhdimisht ndjen telashet me shëndetin e saj. Aty shpaloset rrëfimi i dashurisë së saj me Alfredon dhe braktisja e së kaluarës së saj. Zhvillimet e mëpasshme e çojnë Violettën drejt ndarjes me të. Gjendja e saj përkeqësohet dhe vdes në krahët e Alfredos.

Por ky është veç një prej rrëfimeve që ka ndërtuar sopranoja me nam në skenat ndërkombëtare.

Këtë vit ajo ka interpretuar rolin e Micaelas nga opera “Carmen” e Georges Bizet në Paris. Në rolin e Micaelas ajo kishte debutuar edhe në Hamburg gjatë vitit të kaluar, performancë të cilën kritika e kishte vlerësuar lart.

Vitin e kaluar ajo i ka dhënë shpirt karakterit të Mimit nga opera “La Boheme” të Verdit në Dresden të Gjermanisë, sikurse edhe rolit të Manon nga opera me të njëjtin titull në Operën Shtetërore të Hamburgut.

Me ritmin e njëjtë të sukseseve pritet të jetë edhe viti në ardhje. Një prej roleve do të jetë Tatjana nga opera “Eugene Onegin” nga Tchaikovsky në Hamburg, më pas në Skoci rolin e Micaeles nga opera “Carmen” ku do ta ndajë skenën me tenorin shqiptar Saimir Pirgu.