Armel Dupas ka një ritual para se t’ia nisë interpretimit: heq këpucët e çorapet dhe këmbëzbathur del në skenë. Një gjë e tillë nuk është e pazakontë. Por për të ka një domethënie tjetër.
Si një djalë i cili është rritur në qytet, me gjithë dinamikën, tani është shpërngulur në periferi i rrethuar me gjelbërim. Bashkë me stilin jetësor ka ndryshuar edhe muzika që bën. Ai është jazz-pianist nga Franca, por që sjell një kombinim të këtij zhanri me elektronikë.
Është gjithmonë në kërkim të tingujve të rinj, i hapur për eksperimentim. Natyra, jeta e përditshme dhe kujtimet nga e kaluara zënë vend të rëndësishëm në kompozimet që ka realizuar së fundmi, ndonëse jo gjithmonë inspirimin e ka gjetur në këtë formë.
Dupas njihet edhe si kompozitor i kolonave zanore të filmave. Melodive që krijon u shton një dimension tjetër, pasi që në thelb kombinon njohuritë e tij në muzikën e filmit dhe stilin e jazzit me elektronikë.
Në koncerte ai nuk ulet thjesht para pianos, por me vete ka edhe sintin, kompjuterin dhe miksetën. Futet në botën e tij muzikore, krijon ritme që përsëriten, improvizon në të njëjtën kohë në piano dhe merr me vete publikun në një rrugëtim të panjohur muzikor.
Këtë e bëri edhe në Prishtinë, kur u bë pjesë e edicionit të 13-të të festivalit ndërkombëtar “DAM”. Dupas përmes muzikës së tij shpalosi botën e brendshme ashtu siç e sheh ai... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)