Kulturë

Ekipi i “Pa Vend” drejt Cannes, shpreson në fuqinë e tregimit unik

Premiera e produksionit të parë vendor që garon për “Palmën e Artë” është të premten. “Pa Vend” thur temën e migrimit, shpresës e mungesës së saj, diskriminimit dhe të dashurisë së paparë për sportin. “Të gjitha këto tema të kompozuara në 15 minuta besoj që audiencës do t'i japin mjaftueshëm informata për vendin tonë, për njerëzit tonë e edhe për sistemin tonë”, ka thënë regjisori Samir Karahoda pak ditë para se bashkë me producentin Eroll Bilibani, dyshen e kryepersonazheve, Jeton Mazreku e Ermegan Kazazi, dhe montazherin Enis Saraçi të zbarkojnë në festivalin e madh. “Filmi e tregon një shoqëri e cila mundohet t’i mbajë ëndrrat gjallë, një grup i njerëzve entuziastë që mundohen të mbajnë ëndrrën gjallë dhe përmes kësaj besoj që publiku do ta shohë që në Kosovë njerëzit nuk dorëzohen aq lehtë...”, ka thënë Bilibani

U kanë mbetur edhe pesë ditë në Kosovë. Ekipi i filmit “Pa vend”, më 13 korrik do të marrë rrugë drejt Cannes, qytet magjepsës në rivierën jugore të Francës. Në Festivalin e Cannes, që është hapur zyrtarisht të martën, do të shpalosin tregimin për ëndrrat dhe për ata që s’heqin dorë prej tyre, ani pse i ka harruar shteti.

“Pa Vend” i Samir Karahodës është i pari produksion vendor që garon për “Palmën e Artë” në kategorinë e filmave të shkurtër. Premiera do të jepet më 16 korrik.

Rrugën për në Cannes, përveç regjisorit e skenaristit, do ta marrin edhe dy personazhet kryesore, producenti Eroll Bilibani dhe montazheri Enis Saraçi, i cili do të niset nga Praga për në Cannes. “Pa Vend”, film i zhanrit docu-fiction përcjell përpjekjet e vazhdueshme të Jeton Mazrekut dhe Ermegan Kazazit, të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifat Rifati, që të mbajnë gjallë sportin e pingpongut duke zhvilluar gjenerata të reja sportistësh. Rrëfimi i ekipit kosovar në Cannes shtjellon suksesin e klubit më të suksesshëm të pingpongut nga Prizreni, “Lidhja e Prizrenit”, duke rikrijuar historinë nga paslufta në kontekstin e situatës së sotme.

Regjisori Samir Karahoda qysh tani e ka të qartë se do të jetë një konkurrencë e fortë.

“Jam i sigurt që të gjithë filmat në konkurrencë kanë hyrë me meritë, pasi që janë përzgjedhur në mesin e afër 3 mijë e 800 filmave. Jam i vetëdijshëm që edhe për selektorët e festivalit ka qenë një punë e vështirë”, ka thënë ai për KOHËN. Ka shtuar se duke e ditur procesin e përzgjedhjes në festivalet e mëdha i gjithë ekipi ndihet krenar. Do të bëjnë çmos që ta prezantojnë punën e tyre në formën më të mirë, dhe pastaj i mbetet jurisë që të vlerësojë e ta shpërblejë më të mirin.

“Mendoj që është një tregim unik, që nuk mund të ndodhë në çdo vend. Filmi paraqet disa shtresa apo tema, kryesisht sociale, por me fokus të veçantë luftën e heshtur të ish-lojtarëve të pingpongut, të cilët, pavarësisht sfidave të cilat i kishin, nuk u dorëzuan për të mbajtur gjallë klubin e tyre”, ka thënë ai. Ka shtuar se në film është tema e migrimit, shpresës e mungesës së saj, diskriminimit dhe dashurisë së paparë për sportin.

“Të gjitha këto tema të kompozuara në 15 minuta besoj që audiencës do t'i japin mjaftueshëm informata për vendin tonë, për njerëzit tonë e edhe për sistemin tonë”, ka theksuar Karahoda.

Producenti Eroll Bilibani duke qeshur ka thënë se shanset për ta rrëmbyer “Palmën e Artë” janë 1 me 10, pasi që në garë janë vetëm 10 filma. Ka shtuar se presin që të kenë një prezantim të denjë të Kosovës e të kinematografisë vendore, e që është edhe një vulë finale për suksesin që është arritur këto vitet e fundit.

“Filmi e tregon një shoqëri e cila mundohet t’i mbajë ëndrrat gjallë, një grup i njerëzve entuziastë që mundohen të mbajnë ëndrrën gjallë dhe përmes kësaj besoj që publiku do ta shohë që në Kosovë njerëzit nuk dorëzohen aq lehtë, por gjithmonë janë në kërkim të më të mirës dhe këta entuziastë të pingpongut edhe sot e kësaj dite mundohen të krijojnë kushte më të mira për të rinjtë tanë”, ka thënë ai.

Nga gjithsej 3.739 sa synuan garën për në kategorinë e filmave të shkurtër, selektorët kanë përcaktuar që 10 të jenë në garë. Në edicionin e sivjetmë të Festivalit, “Pa Vend” do të ketë konkurrencë filmin “North Pole” nga Maqedonia e Veriut, “In the Soil” nga Danimarka, “Orthodontics” nga Irani, “The Right Words” nga Franca, “Through the Haze” nga Portugalia, “Sideral” bashkëprodhim braziliano-francez, “All The Crows In The World” nga Hong-Kongu, “August Sky” bashkëprodhim braziliano-islandez dhe “Absence” nga Kina.

Të martën, kur edhe u hap zyrtarisht edicioni i 74-t, drejtori Pierre Lescure, president i Festivalit të Filmit në Cannes pati thënë se Cannes është rikthyer, por më e rëndësishmja është që edhe kinemaja është rikthyer. Fjalët e tij dolën të vërteta që natën e parë, kur Cannes e vërshuan yje nga e gjithë bota, si: Carla Bruni, Jodie Foster, Marion Cotillard, Adam Driver, Bella Hadid dhe Helen Mirren, por edhe artdashës.

Në këtë Festival prestigjioz, vëmendje ka marrë edhe Luana Bajrami. 20-vjeçarja nga Kosova është bërë regjisorja më e re që në një hark gjysmëshekullor të historisë së “Director's Fortnight”, organizim paralel brenda Festivalit të Cannes, do të shfaqë filmin e saj. Kështu, edhe “Luaneshat e Kodrës” do ta ketë premierën e saj në Cannes. Ajo ka mundësinë që të dalë edhe me çmim nga Festivali i Cannes, ani pse nuk është pjesë e garës zyrtare. “Caméra d’Or” (Kamera e artë) është çmim të cilin Festivali i Filmit në Cannes e ndan për një nga seksionet e tij – përzgjedhjen zyrtare, “Directors' Fortnight” apo “International Critics ëeek”.

Historia e Festivalit të Filmit në Canes dhe aktorëve e regjisorëve shqiptarë shtrin rrënjët shumë vjet më parë. Në vitin 1967, në këtë festival, filmi “Mbledhësi i puplave”, ku luan Bekim Fehmiu, kishte triumfuar duke fituar Çmimin e Madh të Jurisë dhe Çmimin FIPRESCI. Pastaj është aktorja Arta Dobroshi, e cila shkëlqeu me personazhin e Lornës në filmin madhështor “Heshtja e Lornës” në vitin 2008, rol për të cilin ishte nominuar në Festivalin e Cannes. Kësisoj, Dobroshi u bë aktorja e parë nga Kosova që eci nëpër qilimin e kuq të këtij festivali. E në vitin 2019 ishte filmi i shkurtër “The Van” (Furgoni) i regjisorit Erenik Beqiri, me aktorët nga Kosova Arben Bajraktaraj e Afrim Muçaj, i cili u shfaq premierë botërore në edicionin e 72-të të Festivalit të Cannes. Shënoi edhe një rekord për kinematografinë shqiptare, pasi që u bë filmi i parë shqiptar që konkurroi për çmimin prestigjioz, “Palma e Artë”.