Kulturë

Efektet e teknologjisë digjitale dhe komercializmit në sport

Në epokën e kulturës digjitale teknologjitë së bashku me platformat e komunikimit digjital, po transformojnë gradualisht mënyrat e komunikimit dhe interaksionit social të individëve dhe grupeve shoqërore.

Ky dimension hiper-realiteti teknologjik së bashku me elemente të komercializmit në sport ka afektuar fenomenin e lojës dhe ngjarjeve sportive, duke i vënë në vështirësi aspektet dhe funksionet sociale që kanë karakterizuar lojën dhe perceptimin e njerëzve mbi sportin në përgjithësi, shkruan Albert Mecini, në numrin e sotëm të Kohës Ditore.

Në librin e tij, Komunikimi, teknologjia dhe ndryshimi kulturor, Gary Krug shprehet se “të gjitha teknologjitë komunikuese kontribuojnë në objektifikimin e eksperiencës, përmes shkëmbimit gjuhësor të simboleve dhe figurave.”

Kjo në masë të gjerë ka shkaktuar fenomenin psiko-social të konsumimit të ngjarjes dhe përmbajtjes së saj, pa përjetuar dimensionin real të vetë ngjarjes. Mjafton të ndalemi në trendët e sotme të postimeve në rrjetet sociale mbi ndonjë ngjarje sportive, transferimin e lojtarëve dhe aktorëve tjerë sportivë. Për shembull përmes mediave sociale është bërë e mundur përcjellja direkt e veprimeve të sportistit që nga momenti i konfirmimit për transferim prej një klubi në klubin tjetër, e deri të detajet tjera si dhe kalimi ose jo i testeve mjekësore.

Kjo ndërmarrje komplekse e informimit dhe paraqitjes drejtpërdrejt nga vendi i ngjarjes, edhe i atyre aspekteve që nuk kanë të bëjnë me lojën, po e konsumon së tepërmi sportin dhe elementet që lidhen me dimensionet e tij. Këtu kemi të bëjmë me një virtualizim të marrëdhënies emocionale të sportdashësve dhe aktorëve kryesorë të lojës, por po ashtu edhe humbjes së elementit të surprizës në sport. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)