Kulturë

Edhe Ministria e Kulturës kishte kërkuar ridestinimin e mjeteve të sallës koncertale

Foto: Ilustrim

Ministria e Kulturës, ndërtesën e ish-Gërmisë e kishte futur në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, në kohën kur debati që në atë vend të ndërtohej salla koncertale kishte marrë hov.

Si pasojë e veprimit të MKRS-së, pas kërkesave që kishte marrë nga komuniteti i arkitektëve, ndërtesa që i takon rrymës së modernizmit në arkitekturë nuk mund të rrënohej. Pos këtij veprimi që MKRS-ja vazhdimisht e ka arsyetuar se po mbron trashëgiminë kulturore, vetë ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, kishte shkuar edhe më tej. Edhe ai kishte kërkuar ridestinim të mjeteve të zotuara për sallë, shkruan sot Koha Ditore.

“Ne kemi kërkuar që fondin ta ridestinojmë për projektin e teatrit të operës dhe baletit. Unë kam komunikuar me Ministrinë e Integrimeve, por me sa di kërkesa jonë ka shkuar edhe te BE-ja”, i ka thënë të enjten Kohës Ditore ministri i Kulturës, Kujtim Gashi. Sa i përket asaj se si e komenton faktin që shteti nuk ka mundur të sigurojë as mjetet e një donacioni për sallë koncertale, ai ka thënë se MKRS-ja nuk ka pasur projekt për një sallë të tillë.

Lexo edhe: Humbja e fondeve për sallë koncertale – dështim i institucioneve

“Donacioni nuk ka qenë për MKRS-në dhe po ashtu nuk bëjmë kompromise kur janë në pyetje monumentet dhe zbatimi i ligjit”, ka thënë Gashi. Në këtë rast i është referuar faktit që ish-ndërtesa e “Gërmisë” është pronë e trashëgimisë kulturore. Sipas Gashit, sikur Komuna e Prishtinës ta kishte përnjëmendur çështjen e sallës së koncerteve do të ofronte si propozim ndonjë tjetër lokacion e jo vetëm atë ku është ish-ndërtesa e “Gërmisë”. Por fakti që një ministër, që vjen nga Partia Demokratike e Kosovës, ia ka dhënë statusin e monumentit ndërtesës që është afër Qeverisë, pastaj një tjetër ministre e PDK-së i ka shkruar Komisionit Evropian duke propozuar ridestinim të fondeve e një tjetër ministër i PDK-së, Uran Ismaili, tashmë është duke punuar në terren si kandidat për kryetar të Prishtinës, për kryetarin aktual Shpend Ahmeti është një lojë politike.

Lexo edhe: Letra e mohuar e ministres së Integrimeve Evropiane për sallën koncertale

“Mospajtimi i PDK-së nuk është problem ligjor. Komuna e Prishtinës e ka të drejtën e caktimit të lokacioneve në Prishtine. Qeveria e ka shpronësuar ‘Gërminë’ për interesa të Komunës. Pra ai lokacion tashmë është në dispozicion të Prishtinës. Trashëgimia kulturore respektohet sipas kërkesave të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe këtë e kemi pasur në konkursin tonë që do të shpallej”, ka thënë kryetari Ahmeti. Ai ka thënë se nuk e kupton se si betejat partiake mund ta dëmtojnë interesin e qytetarëve.

“Pra, për të bërë fushatë me luftu një projekt që në fund është i Prishtinës e jo i imi”, ka thënë ai.

Më 4 korrik, Koha Ditore i kishte shkruar Zyrës së kryeministrit Ramush Haradinaj. Zëdhënësja Donjeta Gashi kishte thënë se Qeveria ka kryer punën e saj e Komuna e ka marrë përsipër pjesën tjetër. Sa i përket letrës së ministres Hoxha, ajo fillimisht ka thënë që të pyetet vetë Hoxha e më vonë ka thënë se nuk është në dijeni të letrës. E njëjta ridestinimin e mjeteve nuk e ka komentuar as të enjten, ani pse letra që e ka dërguar ministrja Hoxha në Këshillin e Evropës i është adresuar edhe shefit të saj.