Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Durrësi, qyteti i radhës që promovon turizmin kulturor

Ani pse tashmë ka nisur sezoni veror, Durrësi ka kthyer sytë edhe nga turizmi kulturor me qëllim që të shpalosë edhe pasuritë në fushën e trashëgimisë.

Në kuadër të sezonit turistik veror dhe në zbatim të politikave të Ministrisë së Kulturës për promovimin e vlerave të kulturës, artit dhe trashëgimisë kulturore, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Durrës ka nisur fushatën për rinovimin e tabelave informuese, transmeton Koha Ditore. 

Ditët e fundit DRKK Durrës, si rezultat i bashkëpunimit të Bashkisë së Durrësit dhe Drejtorisë së Rrugëve vendosën tabela për lokalitetet arkeologjike dhe monumentet e qytetit, për një orientim më të mirë të turistëve dhe vizitorëve gjatë këtij sezoni turistik.

“Të gjithë duhet të përkujdesen që t’i mirëmbajnë këto tabela, pasi u ofrojnë shërbim shumë herë më të mirë turistëve, të cilët duan të njihen me historikun dhe vlerat e trashëgimisë sonë kulturore”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë Rajonale e të Kulturës Kombëtare në Durrës.

Sipas DRKK në Durrës, kujdesi, mirëmbajtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore është një mision i përbashkët për t’i përçuar këto pasuri në mënyrën e duhur edhe tek brezat e ardhshëm.

Autoritet shtetërore shqiptare çdo ditë e më shumë po synojnë që vendi të promovohet edhe si destinacion i turizmit kulturor.

Një projekt të ngjashëm për shenjëzimin e monumenteve e ka përfunduar muajin e kaluar edhe qyteti i Vlorës. Pos kësaj, javën që shkoi është paralajmëruar se brenda qershorit do të përfundojë restaurimi i 68 monumenteve në Qendrën Historike të këtij qyteti.

Edhe Shqipëria fuqizon promovimin e turizmit kulturor Kulturë Shqipëria fuqizon promovimin e turizmit kulturor

“Një moment i rëndësishëm për Vlorën, që nuk do të njihet vetëm për bregdetin e saj, por edhe për Qendrën Historike. Së bashku me zëvendësministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli, dhe kryetarin e Bashkisë, Dritan Leli, inspektuam punën në rrugën ‘Justin Godard’ dhe atë të ‘Hebrenjve’, ku po punohet në disa fronte: në infrastrukturën rrugore, unifikimin e fasadave dhe nxjerrjen në dritë të hijeshisë së ndërtesave historike”, kishte thënë ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti.

Ndryshe, Durrësi është qytet i pasur me monumente të trashëgimisë kulturore, ani pse jo rrallë autoritetet lokale janë akuzuar se me projekte infrastrukturore e kanë shkatërruar në masë të konsiderueshme.

Amfiteatri i Durrësit është më i madhi dhe më i rëndësishmi jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan, dhe është ndërtuar në fillim të shek. II të erës sonë gjatë sundimit të perandorit Trajan. Ai ka vlera të veçanta arkitekturore dhe artistike dhe, sipas studiuesve, mund të krahasohet me monumentet e kësaj periudhe të Pompeit dhe Kapuas në Itali. Amfiteatri ka trajtë elipsi me diametër 136 metra dhe lartësi rreth 20 metra. Amfiteatri i Durrësit është zbuluar në vitin 1966 nga bashkëpunëtori i vjetër shkencor Vangjel Toçi. Mozaiku i Orfeut është një tjetër monument i shekujve II - III të erës sonë.