Kulturë

Dua Lipa me dy trofe – mbretëreshë e “Brit Awards”

Me emrin e Dua Lipës e me epitetin mbretëreshë për të është përmbyllur edicioni i 41-të i “Brit Awards”. Ka marrë dy trofe, duke u bërë artistja më e shpërblyer në ceremoninë e sivjetme, të martën mbrëma në “O2 Arena” të Londrës. Artistja nga Kosova ka triumfuar në kategorinë për artisten më të mirë britanike dhe në atë për albumin më të mirë me “Future Nostalgia”. Ka qenë e nominuar edhe për këngën më të mirë britanike, ku në garë ishte edhe DJ Regard, siç njihet artisti kosovar, Dardan Aliu. Ai ishte i nominuar për bashkëpunimin me artisten RAYE, me këngën “Secrets”. Me çmimet e fundit, Dua Lipa deri më tash ka pesë trofe të “Brit Awards”. Më 2018 mori dy trofe: atë për artisten më të mirë britanike dhe për artisten më depërtuese. Më 2019, me “One Kiss” fitoi në kategorinë për këngën më të mirë britanike

“Kjo ishte Dua Lipa – mbretëresha juaj”, ka thënë komediani britanik, Jack Whitehall, krejt në fund të edicionit të 41-të të “Brit Awards”. Këtë epitet ia ka dhënë yllit nga Kosova pasi që ajo ishte artistja më e shpërblyer në ceremoninë më të madhe britanike të industrisë muzikore. Jo pak mesazhe dha teksa pranoi trofetë. Ajo mori çmimin për albumin me të mirë britanik me “Future Nostalgia” dhe atë për artisten më të mirë. Me dy çmimet e së martës mbrëma ajo tashmë ka pesë “Brit Awards”. Njëkohësisht vërteton edhe pozitën e saj në mesin e artisteve më të rëndësishme të zhanrit pop. Ceremonia në të cilën Lipa – e cila fëmijërinë e kaloi në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë – u cilësua si ndryshim i rrjedhës, ku dominuan diversiteti e artistet.

Mesazhet dhe fitorja e dyfishtë e Lipës

“Kjo është për më shumë gra në këtë skenë, më shumë gra që fitojnë çmime dhe më shumë gra që dominojnë në botë”, kishte thënë Dua Lipa, kur më 2018 mori çmimin për artisten me të mirë britanike (Best British Female). Tre vjet më vonë dëshira e saj është plotësuar e Lipa është kryefjala në gjithë atë që nga mediat prestigjioze si “The Guardian” konsiderohet “përmbysje e një ceremonie të dominuar nga burrat”.

Image
Derisa ka pranuar trofetë, Dua ka përcjellë mesazhe të fuqishme...

Krejt kjo ka ndryshuar më triumfin e Lipës, por jo vetë. Të martën gratë morën 85 për qind të çmimeve në kategori të ndryshme, një rritje e dallueshme krahasuar me cilindo vit të shekullit 21, ku artistët çdoherë kishin fituar së paku gjysmën e kategorive.

“Nuk po më besohet që kjo po ndodh. Ky album ka shumë kuptim për mua dhe faleminderit të gjithë atyre që e kanë dëgjuar. Ky album më ka mësuar shumë, si vetëbesimin, fuqinë, kurajën dhe më ka dhënë shumë dashuri dhe miqësi dhe u jam shumë falënderuese njerëzve të mrekullueshëm me të cilët kanë punuar dhe kam krijuar një album të tillë”, ka thënë Lipa kur ka pranuar trofeun e dytë në ceremoni, atë për albumin më të mirë britanik (Best British Album).

Lipa, gjersa ka pranuar çmimin e u është drejtuar 2 mijë e 500 punonjësve shëndetësorë të cilët kanë marrë bileta për ta ndjekur këtë spektakël që pati në publik rreth 4 mijë shikues, nuk e shmangi as politikën. Çmimin për albumin me të mirë ia dedikoi Folajimi Olubunmi-Adewoles, 20-vjeçarit që vdiq duke u përpjekur për të shpëtuar një grua që kishte rënë në lumin Thames në prill. Bëri thirrje që një çmim për dëshmim të trimërisë i takon atij dhe Joaquin Garcias, të cilët nuk e njihnin njëri-tjetrin e madje as gruan që ra në lumë, por nuk hezituan që të ndihmonin. Por ky nuk ishte dedikimi i saj i vetëm.

Me ta pranuar çmimin për këngëtaren më të mirë britanike i është bashkuar iniciativës për t’ia dedikuar çmimin e saj dikujt tjetër, duke e ftuar kryeministrin britanik, Boris Johnson, që ta përmbushë propozimin për rritje të pagës për 1 për qind për punonjësit e vijës së parë gjatë pandemisë.

“Unë kam zgjedhur që çmimin tim ta ndaj me Elizabeth Anionwu. Ajo e ka kaluar karrierën e saj të mrekullueshme si infermiere duke luftuar pabarazitë racore. Ajo gjithashtu ka kaluar kaq shumë kohë dhe është promotere e fortë për mbrojtjen e punëtorëve të vijës së parë të frontit. Ajo gjithashtu ka thënë se ekziston një pabarazi masive midis mirënjohjes dhe respektit për punëtorët e vijës së frontit, sepse është shumë mirë të duartrokasim për ta, por ne duhet t'i paguajmë ata. Prandaj, unë mendoj se ajo që duhet të bëjmë, është që ne të gjithë duhet t’u japim një duartrokitje të madhe dhe t'i japim Borisit një mesazh që të gjithë e mbështesim një rritje të drejtë të pagave për ata të vijës së parë të frontit”, ka thënë Lipa.

74-vjecarja Elizabeth Nneka Anionwu është infermiere britanike, administratore e kujdesit shëndetësor, ligjëruese e Infermierisë në Universitetin e Londrës Perëndimore.

Performanca energjike

Dua Lipa sivjet ishte e nominuar në tri kategori. Nuk arriti të triumfonte në kategorinë për këngën më të mirë me hitin, “Physical”.

“Faleminderit shumë. Është një nder që të jem këtu dhe përsëri në skenë. Herën e kaluar kur kam qenë këtu, në vitin 2018, kam thënë që dëshiroj që të shoh më shumë gra në këtë skenë dhe tre vjet më vonë jam shumë e lumtur që po e shoh këtë”, ka thënë Lipa gjersa ka pranuar çmimin e parë, atë për artisten më të mirë britanike. Ceremonia ku ajo triumfoi u transmetua live në kanalin e “Brit Awards” në YouTube.

Lipa ishte po ashtu në mesin e muzikantëve që performuan.

Ishte “Coldplay”, grupi që bëri hapjen e ceremonisë e fill pas tyre ishte edhe performanca e Lipës. Solli këngën “Love Again” duke ecur në platonë e metrosë së Londrës, duke sjellë kështu një ndjenjë melankolie. Menjëherë pas saj solli gjallëri me hitin “Physical”, që e nisi në një tren – si video e incizuar më parë – për të përfunduar në “O2 Arena”, aty ku u zhvillua e gjithë ceremonia. Prej aty solli edhe hitet “Hallucinate” dhe “Don’t Start Now”.

Lipa për herë të parë u shpërblye në këtë ceremoni në vitin 2018, kur mori çmimin si këngëtarja më e mirë solo dhe artistja më e re që depërtoi në skenë. Një vit më pas, ajo mori përsëri çmimin për këngën më të mirë me “One Kiss”. Vitin e kaluar ajo nuk ishte në mesin e të nominuarve.

Image
E veçantë ka qenë edhe performanca me të cilën Dua Lipa ka sjellë një remiks hitesh të saj

Nata e grave

Duke u kthyer të triumfimi i grave, “Little Mix” është bëri grupi i parë në përbërje nga gratë që ka marrë çmimin për grupin më të mirë britanik. Në këtë kategori më parë kishin dominuar vetëm tri grupe, që kishin në përbërje edhe gratë: “Five Star” në vitin 1987, “Stereo MCs” në vitin 1994 dhe “Gorillaz” në vitin 2018.

“Nuk është e lehtë të jesh grua në industrinë e pop-muzikës në Britani. Në kemi parë dominimin e njerëzve të bardhë, seksizëm dhe mungesë të diversitetit. Ne jemi krenare se si kemi qëndruar së bashku, kemi rrethuar veten tonë me gra të fuqishme dhe tani po përdorim zërin tonë më shumë se kurrë”, ka thënë anëtarja e grupit, Leigh-Anne Pinnock.

Në anën tjetër trioja nga Los Angeles, “Haim” fitoi çmimin për grupin më të mirë ndërkombëtar. Ky grup u bë i pari në gati dy dekada që triumfoi në këtë kategori, pas “Destiny’s Child” që mori këtë çmim në vitin 2002.

Billie Eilish fitoi çmimin për artisten më të mirë ndërkombëtare, e këngëtarja Griff atë për yllin në ngritje.

20-vjecarja Arlo Parks mori çmimin për artisten depërtuese, pasi që ka lansuar një nga albumet më të mira të këtij viti deri më tash. Debutoi me “Collapsed in Sunbeams”, duke gërshetuar stilin “trip-hop” dhe “soul” në këngë të mbushura me rrëfime prekëse.

Taylor Swift u bë gruaja e parë që fitoi “Global Icon Award”, që më herët ishte fituar nga David Bowie, Elton John dhe Robbie Williams.

“Ka kaq shumë artistë të mrekullueshëm në këtë dhomë sonte dhe shumë njerëz të tjerë që po shohin e që kanë qëllime dhe ambicie për veten e tyre. Unë kam nevojë që ju të më dëgjoni: nuk ka asnjë rrugë që vjen pa pasur pëshpërima negative. Nëse keni hasur në rezistencë, kjo me shumë mundësi do të thotë që jeni duke bërë diçka të re. Nëse jeni duke përjetuar turbulencë, kjo me shumë mundësi do të thotë që po ngriheni dhe mund të ketë raste kur vendosni gjithë zemrën dhe shpirtin tuaj në diçka dhe ajo ndeshet me cinizëm ose skepticizëm”, ka thënë Swift.

Solidarizimi dhe rregullat e reja

“Brit Awards” është mbajtur çdoherë në shkurt, mirëpo për shkak të pandemisë këtë vit është shtyrë për në maj. Sivjet, me rregullat e reja edhe artistët që kanë jetuar për më shumë se pesë vjet në Britani kanë pasur mundësinë që të nominohen për çmimet. E gjithë kjo u bë falë artistes Rina Sawayama, së cilës i ishte thënë se “nuk ishte mjaftueshëm ‘britanike’” për të pasur mundësinë që të jetë pjesë e “Brits” dhe “Mercury Prize”. Këngëtarja që jeton në Britani për më shumë se 26 vjet, këtë vit ishte e nominuar për artisten më të mirë në ngritje, ani pse nuk triumfoi. Lipa u pa duke u fotografuar së bashku me të dhe fotografia e dyshes u shoqërua nga “The Guardian” me përshkrimin “fraternising”, që i bie vëllazërim.

Por në listën e të nominuarve ka qenë edhe një tjetër shqiptar. Bëhet fjalë për DJ Regard, siç njihet 27-vjeçari nga Ferizaj, Dardan Aliu. Me “Secrets” në bashkëpunim me artisten RAYE, ishte i nominuar për këngën më të mirë. Konkurrente e kishte edhe Dua Lipën me “Physical”, por triumfoi Harry Styles me këngën e tij “Watermelon Sugar”. Çmimin për artistin më të mirë e mori J. Hus.

Image
DJ Regard dhe Dua Lipa në “Brit Awards”. Të dy artistët nga Kosova kanë qenë të nominuar për këngën më të mirë (Foto: DJ Regard/Instagram)

Në ceremoninë më shumë se dyorëshe nuk kishte si të mos binte në sy Michelle Obama. Ishte pikërisht gruaja e ish-presidentit amerikan, Barack Obama, që ndau çmimin për artistin më të mirë ndërkombëtar për The Weeknd. Në fjalët e saj theksoi ndikimin e The Weeknd, siç njihet Abel Tesfaye, jo vetëm si muzikant dhe performues, por edhe për bamirësinë e tij gjatë pandemisë, mbështetjen e lëvizjes “Black Lives Matter”, e që ndihmoi me ushqim në Etiopi e shumë e shumë të tjera.

“Në një vit të vështirë ai dha një dritë që ishte goxha e ndritshme dhe na dha të gjithëve një arsye për të vallëzuar”, ka thënë Michelle Obama.

Arsye për të festuar, ka pasur edhe Dua Lipa të martën mbrëma. Bashkë me adhuruesit e saj.