“Kam një gjë që unë edhe nuk e përmend. ‘Rosos proksimos’, ‘Konsulli rus’ u përkthye në greqisht në vitin 1991. Dhe asokohe grekët – unë e kam lexuar atë skenar – synuan vetëtimthi ta realizojnë filmin ‘Rosos proksimos’ me mjete të Bashkimit Evropian, por synuan që ta xhirojnë në Prizren, në Gjakovë, pra në Kosovë. Aty ku zhvillohet ngjarja...”, ka thënë shkrimtari serb Vuk Drashkoviq, në romanin e të cilit bazohet filmi serb “Konsulli rus” të cilin, sipas tij, Slobodan Milosheviqi e ndali të xhirohej në Kosovë, jo për shkak të skenarit
Filmi serb “Konsulli rus” që shpalos ëndrrën për Kosovën Serbi e spastrimin e serbëve, ishte planifikuar të xhirohej aty ku zhvillohet ngjarja: në Kosovë. Shesh xhirime ishte synuar të bëheshin Prizreni e Gjakova, aty ku zhvillohet ngjarja e vitit 1973 me shqiptarë zullumqarë ndaj serbëve. Por ka qenë krimineli serb, Slobodan Milosheviq, që e kishte ndaluar këtë. Jo për shkak të skenarit, por për të tjera të arsye.
Filmi i dhënë premierë në fillim të marsit në Beograd, bazohet në romanin e viteve ’80 me të njëjtin titull të shkrimtarit e politikanit serb Vuk Drashkoviq. Ka qenë vetë Drashkoviqi që ka risjellë në vëmendje detaje si këto, fill pas premierës, në një intervistë në kanalin televiziv “N1” tok me regjisorin e filmit, Miroslav Lekiq, pjesë prej së cilës janë risjellë tash kur filmi po jepet në disa kinema në Serbi. Kastës së aktorëve i janë bashkuar edhe aktorët shqiptarë: Enver Petrovci, Mensur Safqiu e Visar Vishka. Kur u botua romani, kishin qenë grekët ata që synuan ta shndërronin në film në fillim të viteve ’90.
“Kam një gjë që unë edhe nuk e përmend. ‘Rosos proksimos’, ‘Konsulli rus’ u përkthye në greqisht në vitin 1991. Dhe asokohe grekët – unë e kam lexuar atë skenar – synuan vetëtimthi ta realizojnë filmin ‘Rosos proksimos’ me mjete të Bashkimit Evropian, por synuan që ta xhirojnë në Prizren, në Gjakovë, pra në Kosovë. Aty ku zhvillohet ngjarja. Ti, Miroslav Lekiq, tash nuk do të mund ta xhiroje në Prizren e Gjakovë, sepse nuk ngjajnë në Prizrenin e Gjakovën e viteve ’70”, ka thënë Drashkoviq. Ai ka qenë ministër i Punëve të Jashtme i Serbisë prej vitit 2004 deri në vitin 2007. Ka shërbyer edhe si zëvendëskryeministër i Serbisë prej janarit deri në prill të vitit 1999 në një qeveri më gjithëpërfshirëse në kohën kur pas negociatave për ndaljen e dhunës në Kosovë, bota perëndimore përdori forcën për të ndalur vrasjen e civilëve shqiptarë.
“Asokohe nuk u ndryshoi gjë dhe për fat të keq Milosheviqi e ndaloi xhirimin e filmit në Kosovë, jo për shkak të grekëve, as për shkak të skenarit, por për shkak të autorit të romanit. Dhe ky nuk është rasti i vetëm që letërsia ime përherë ka qenë e dënuar për shkak të qëndrimeve të mia politike”, ka thënë Drashkoviq.
“Ruski konzul” ishte dhënë premierë më 3 mars në përmbyllje të edicionit të 52-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Beograd. Nxjerr në pah telashet midis Serbisë dhe Kosovës. Bëhet fjalë për vitin 1973, një vit para se Kosova të bëhej njësi konstituive në kuadër të Federatës Jugosllave.
Edhe
“Konsulli rus” për “Kosovën serbe”, nis fushatën në Hollywood
“Një rrëfim që përshkruan fillimin e krizës në Kosovë”, është një prej përshkrimeve që i bëhet filmit. Personazhi kryesor i filmit, psikiatri serb Ilija Jugoviq, që portretizohet nga aktori Nebojsha Dugaliq, pas vdekjes së pacientit të tij në Beograd shkon në Prizren të Kosovës duke iu përmbajtur një lloj dënimi të Partisë. Atje punësohet si mjek i përgjithshëm në një spital lokal.
“Atje ai takohet me profesorin e historisë, Ljubo Bozhoviq (Zharko Lausheviq), të vetëshpallurin ‘Konsull rus’, një pacient me sa duket në psikiatri, i cili pretendon se së shpejti ‘Rusia do të bëhet përsëri Rusi dhe Kosova do të bëhet sërish serbe’”, sqarohet në faqen online të “Fest 24”. Sqarimi nxjerr në pah se kundër “konsullit” të tij kthehen fuqishëm shqiptarët vendës, “separatistë të fshehur, gjithashtu anëtarë të Partisë Komuniste dhe kuadro me poste”.
“Më i fuqishmi prej tyre, Halit Berisha (Visar Vishka), që i dëbon serbët nga Kosova me presione të ndryshme mizore: ushtron dhunë ndaj fëmijëve serbë nëpër shkolla, e frikëson popullatën vendëse, i pengon ata të marrin kujdesin shëndetësor, i ngacmon familjet, u fut atyre pasiguri dhe ankth”, shkruhet në sqarim. “Pra, radha i ka ardhur Ljubo Bozhoviqit, të cilin Berisha po tenton ta nxjerrë nga shtëpia dhe ta largojë nga Kosova. ‘Konsulli rus’ refuzon ta shesë shtëpinë dhe përplaset me Berishën. Doktori Ilija Jugoviq qëndron nën mbrojtjen e tij”, shkruhet në sqarimin që jepet për filmin.
Të pranishëm në premierën e filmit kishin qenë edhe Enver Petrovci e Visar Vishka. Petrovci, profesor i Aktrimit e personalitet i njohur në Beograd, i kontaktuar nga KOHA të martën nuk ka dashur të flasë për filmin e as për premierën. Kishte preferuar se në rast se filmi do të jepet në Prishtinë më pas do të flasë për të. Aktori shqiptar Visar Vishka në një intervistë për tabloidin serb “Kurir”, i pyetur se përse ka pranuar ta luajë rolin e paragjykuar të shqiptarit negativ, ka thënë se fillimisht ka kërkuar ta lexojë skenarin. Ka treguar se ka refuzuar role sidomos në Maqedoni.
“Ky film nuk ishte aspak i njëanshëm. Unë u befasova këndshëm. Një film i mrekullueshëm njerëzor dhe më vjen mirë që isha pjesë e këtij ekipi”, citohet të ketë thënë ai.
Edhe
“Konsulli rus” me ëndrrën për Kosovën Serbi e spastrimin e serbëve
KOHA kishte marrë vesh se ekipi kishte lëshuar zëra se do të provojnë ta japin filmin edhe në Kosovë. Po ashtu, ka konfirmuar se edhe aktorë të tjerë shqiptarë kishin pasur oferta të luanin në film. Njëri prej tyre kishte refuzuar me të lexuar skenarin.