Fakti që një grup individësh arriti ta ndërpresë shfaqjen e filmit “Lejleku” të Isa Qosjes vetëm pse është në shqip, kallëzon shumë për paradoksin midis Kushtetutës dhe praktikës së përditshme në Mal të Zi. Shpejt shpërthyen reagimet e akuzat. Reagoi presidenti, por deri më tash jo edhe kryeministri i Malit të Zi, partitë e organe të tjera shqiptare po se po, organizatat joqeveritare. Si kundërpërgjigje ndaj ndërprerjes sikurse edhe ndaj nacionalizimit, të premten mbrëma filmi u shfaq me titra në gjuhën malazeze në kanalin e parë të Radio Televizionit të Malit të Zi, por për dikë “Lejleku” duhet të shfaqet aty ku u ndërpre si dëshmi se shteti nuk i nënshtrohet nacionalizimit
Ka mjaftuar një film në gjuhën shqipe që në Mal të Zi të çojë krye nacionalizimi. Ndërprerja e filmit “Lejleku” të regjisorit Isa Qosja në Podgoricë nuk mbetet një “incident i izoluar kulturor”. Për shumicën është dëshmi se motivet nacionaliste, të ushqyera historikisht nga Serbia, vazhdojnë të zënë vend në shoqërinë malazeze. Në një vend ku gjuha shqipe gëzon statusin e gjuhës zyrtare dhe ku shqiptarët janë pjesë e pandashme e strukturës shoqërore, fakti që një grup individësh arrin ta ndërpresë një shfaqje publike vetëm pse filmi është në shqip, kallëzon shumë për paradoksin midis Kushtetutës dhe praktikës së përditshme.
Ndërprerja e filmit ngjau të mërkurën mbrëma, në festivalin e filmit “Xhad”, shpejt shpërthyen reagimet e akuzat. Reagoi presidenti, por deri më tash jo edhe kryeministri i Malit të Zi, partitë e organe të tjera shqiptare po se po, organizatat joqeveritare.
Si kundërpërgjigje ndaj ndërprerjes sikurse edhe ndaj nacionalizimit, të premten mbrëma filmi u shfaq me titra në gjuhën malazeze në kanalin e parë të Radio Televizionit të Malit të Zi, por për dikë “Lejleku” duhet të shfaqet aty ku u ndërpre si dëshmi se shteti nuk i nënshtrohet nacionalizimit. Organizatorët e festivalit janë zotuar se do ta bëjnë këtë.
Qosja: Ndërprerja e filmit në Podgoricë me planifikime e veprime të orkestruara nga Serbia
Organizatorët e festivalit të filmit “Xhada” në Podgoricë të Malit të Zi, kanë thënë se shfaqja e filmit qe ndërprerë për shkak të pakënaqësive të shprehura zëshëm nga një grup personash ende të panjohur, të cilëve, siç thuhet, u pengoi fakti që filmi ishte në gjuhën shqipe. Sipas mediave malazeze, ky grup bëri thirrje nacionaliste e kërcënime.
Këtë akt e kanë dënuar organizatat joqeveritare dhe akterë të tjerë të cilët kanë theksuar se kjo përbën sulm të rrezikshëm ndaj lirisë së shprehjes artistike e kulturore dhe shpërfaqje të hapur të urrejtjes për shkak të përkatësisë kombëtare dhe gjuhës.
Vetë regjisori Isa Qosja ka thënë për KOHËN të premten se nuk është i befasuar nga ky veprim dhe se pavarësisht kësaj ndërprerjeje, arti shqiptar ekziston dhe do të ekzistojë gjithmonë.
“Në parim, ndërprerja e projeksionit në Mal të Zi nga nacionalistë ekstremë serbë nuk më befason aspak. Kjo është dëshmi që ata as gjuhën e një populli tjetër nuk e durojnë, e lëre më njerëzit, hapësirën, kulturën… Le të vuajnë edhe në këtë mënyrë, sepse ne jemi dhe do jemi përgjithnjë”, ka thënë ai.
Ka treguar se është ndier keq përballë pjesës malazeze që e ka admiruar filmin. Sipas tij, ndërprerja është e planifikuar dhe e orkestruar nga Serbia.
“Më vjen keq për atë pjesë të publikut malazez, të cilët me shumë admirim e kanë parë dhe përjetuar këtë film. Më janë lajmëruar shumë intelektualë dhe filmdashës e filmpunues nga Mali i Zi dhe janë të irrituar me atë që ndodhi, por të entuziazmuar me filmin. Filmi ka pasur një premierë kohë më parë në Podgoricë dhe është parë dhe pritur me ovacione. Pra, me ndërprerjen janë bërë planifikime dhe veprime të orkestruara nga Serbia”, ka thënë regjisori Qosja.
Producenti Gjuroviq: Shteti dhe shoqëria, fajtorë për ndërprerjen e filmit
Në lidhje me ndalimin e filmit, ka dhënë koment edhe bashkëproducenti malazias i filmit, Ivan Gjuroviq. Ai ka theksuar se fajin për këtë e kanë shteti dhe shoqëria, meqë gjithnjë janë ushqyer me “mite të rreme”. Ka kujtuar se “Lejleku” para së gjithash është një film i shkëlqyeshëm i cili edhe në Mal të Zi është pritur mahnitshëm nga publiku e kritika, një vepër që flet për gratë pa të drejta, migrimet e për fshatrat që shuhen.
“Shfaqja u ndërpre sepse disave u pengon gjuha. Por ata nuk janë fajtorë. Fajtorë janë shteti dhe shoqëria që kurrë nuk ndërtuan një kornizë qytetare, por lejuan që të ringjallen mitet e rreme, nacionalizmi dhe ndasitë. E gjithë kjo me një qëllim: të fshihen krimi dhe korrupsioni. Prandaj unë nuk i gjykoj ata njerëz, por i ftoj ta shikojnë filmin. Nëse i provokon aq më mirë. Sepse provokimi është thelbi i artit.”, ka thënë ai në një përgjigje për KOHËN. Ka thënë se ka gabuar në një rast.
“Në një moment kam qenë optimist dhe kam besuar se kjo çmenduri nacionaliste e zgjuar do të marrë fund. Në qershor madje u nënshkrua një marrëveshje mes partisë më të fortë shqiptare tek ne dhe partisë proserbe klerofashiste dhe më është dukur se ky mund të ishte themeli i pajtimit të malazezëve dhe serbëve, ashtu edhe i të gjitha pajtimeve të tjera. Por që atëherë gjithçka vetëm është intensifikuar. Nga ngritja e një monumenti për kriminelin dhe xhelatin e Luftës së Dytë Botërore e deri te provokimet e reja, të vazhdueshme, që na ndajnë edhe më thellë”, ka shtuar ai. Gjuroviqi ka thënë se tash mbetet një pyetje thelbësore. “Në një vend ku na shkatërrojnë korrupsioni dhe hajnia a do të na provokojë filmi dhe gjuha që është edhe gjuhë zyrtare në Mal të Zi?”, ka pyetur ai.
Kur e ka përshkruar filmin ka thënë se “Isa Qosja i rrëfen ato fate me hidhërim të ëmbël, në gjuhën e tij – e vetmja me të cilën ky rrëfim mund të marrë frymë”. “Ky nuk është një film për çështje kombëtare, por për çështje njerëzore, universale – prandaj u mbështet nga ‘Eurimages’ dhe nga katër dhe katër vende e për të punuan autorë të njohur botërisht”, ka thënë ai.

Presidenti kërkon shfaqjen e filmit, Qeveria hesht
Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, njëherësh edhe ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe kryetar i partisë “Alternativa Shqiptare”, Nik Gjeloshaj, ka thënë se ndërprerja e dhunshme e shfaqjes së filmit në shqip është një çështje shtetërore, jo vetëm një çështje e komunitetit shqiptar atje.
“Ndoshta shqiptarët nuk duhet të jenë të parët që reagojnë, sepse është logjike dhe e drejtë që të tjerët të mbrojnë vlerat elementare dhe Kushtetutën, ose ndoshta mesazhi është se Kushtetuta nuk vlen për të gjithë. Fatkeqësisht, reagimi i tyre mungon. Dhe kur institucionet heshtin, kjo heshtje kuptohet mirë në shoqërinë tonë dhe dihet si ta lexosh atë.”, ka njoftuar ai duke thënë se dhuna dhe urrejtja nuk duhen lejuar të diktojnë jetën publike.
Përderisa Qeveria nuk ka dalë me ndonjë reagim, kabineti i presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka kërkuar që filmi “Lejleku” i Qosjes të jepet sërish për publikun, pasi dhënia e tij më 3 shtator u ndal me forcë.
“Presim që policia dhe Zyra e Prokurorit t’i identifikojnë autorët dhe t’i ndjekin penalisht. Është e rëndësishme të mundësohet sërish shfaqja e filmit”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga kabineti i Millatoviqit.
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Malit të Zi, Ilir Çapuni, ka thënë se kjo ndërprerje është një akt i turpshëm dhe i papranueshëm. Sipas tij, ky është edhe një sulm ndaj themeleve të Malit të Zi si shtet multietnik.
“Si përfaqësues i popullit shqiptar në Kuvendin e Malit të Zi, me indinjatë dhe zhgënjim të thellë e dënoj incidentin e ndodhur në Podgoricë, kur gjatë shfaqjes së filmit ‘Lejleku’ të regjisorit tonë Isa Qosja, një grup individësh ndërprenë këtë ngjarje kulturore me thirrje, fyerje dhe fishkëllima, vetëm pse filmi ishte në gjuhën shqipe. Ky akt është i turpshëm dhe i papranueshëm. Nuk bëhet fjalë vetëm për sulm ndaj një vepre artistike dhe lirisë së krijimtarisë, por edhe ndaj themeleve të Malit të Zi multietnik dhe qytetar, ku secili gjuhë dhe kulturë duhet të gëzojë respekt të barabartë”, ka shkruar deputeti shqiptar në rrjete sociale.
Partia e parë politike shqiptare në Mal të Zi, Lidhja Demokratike në Mal të Zi ka shprehur indinjatë dhe shqetësim të thellë për ndërprerjen e filmit.
“Ky veprim është një shfaqje e hapur e nacionalizmit antishqiptar dhe një sulm i drejtpërdrejtë ndaj të drejtave kushtetuese të shqiptarëve në Mal të Zi, ku gjuha shqipe ka statusin e gjuhës zyrtare. Mohimi i kulturës dhe i artit në gjuhën shqipe është mohim i vetë identitetit tonë kombëtar dhe cenon themelet e një shoqërie demokratike e multietnike”, shkruhet në faqen zyrtare të kësaj partie.
Edhe Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi ka dalë me reagim. Aty shkruhet se sa herë që ka ngjarje ose aktivitete që lidhen me shqiptarët, shpeshherë shfaqen aktet e urrejtjes, si dhe forma të ndryshme të mostolerancës etnike, të cilat nuk kufizohen vetëm në veprime të drejtpërdrejta.
“Veprime të tilla përbëjnë një shkelje të rëndë të lirisë së shprehjes dhe të drejtave kulturore, si dhe të drejtave të pakicave. Gjuha shqipe, si gjuhë zyrtare e garantuar me Kushtetutë në Malin e Zi, duhet të respektohet dhe trajtohet me nderim nga të gjithë qytetarët dhe institucionet, si pjesë e së drejtës së pakicave për të ruajtur dhe zhvilluar identitetin e tyre kulturor”, ka shkruar kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika.
Në një deklaratë të përbashkët kanë reaguar edhe tri institucione malazeze. Ministria e Kulturës dhe Medias, Kinoteka Malazeze dhe Qendra e Filmit e Malit të Zi kanë theksuar se arti, sidomos filmi, ka qenë gjithmonë dhe duhet të mbetet një hapësirë për dialog, liri të shprehjes e përballje me sfidat e shoqërisë në të cilën jetojmë.
“Janë pikërisht gjuhët e përdorura në film që pasqyrojnë atë që është Mali i Zi – pasurinë e gjuhëve dhe historive autentike që mund të lindin vetëm nga një mjedis shumetnik. Ne jemi veçanërisht krenarë për këtë. Pikërisht për këtë arsye është e papranueshme që në një vend që mikpret një nga takimet më të rëndësishme rajonale të filmit dhe në një vend që krijon kushtet për bashkëpunimin dhe bashkëprodhimet më të forta të mundshme ndërkombëtare, transmetimi i filmit të ndërpritet në këtë mënyrë”, thuhet në reagimin e këtyre institucioneve.
“Lejleku” – produkt i pastër kinematografik
Festivali i filmit “Xhada” mbahet qe dhjetë vjet dhe është festival ndërkombëtar i filmit debutues. Të gjithë filmat dhe dokumentarët shfaqen kryesisht në hapësira të hapura në Podgoricë.
Filmi i gjatë “Lejleku”, i regjisorit kosovar Isa Qosja, u shfaq premierë në shtator të vitit 2024 në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “PriFest” në Prishtinë. Ngjarja e filmit zhvillohet në fshatin e braktisur Vuthaj, vendlindjen e regjisorit Qosja, të banuar me popullsi shqiptare, në kufirin malazezo-shqiptar. Tema e emigracionit rrëfehet përmes historisë së tre brezave të grave fatkeqe. Midis dramës e komedisë “Lejleku” mbi të gjitha ka rol të dokumentimit. Mbetet produkt i pastër kinematografik.
Kasta e aktorëve ka përfshirë artistë si: Shkumbin Istrefi, Arta Dobroshi, Flonja Kodheli, Donat Qosja, Doresa Rexha e Arben Bajraktaraj. Për skenar të këtij filmi, përveç Qosjes, ka punuar edhe Ballsor Hoxha, ndërkaq producentë të filmit janë: Festim Bajgora, Ivan Gjuroviq, Bajrush Kajtazi, Vanco Mirakovski, Igor Mitriq, Snezhana Nikçeviq, Florenc Papas, Marija Vlahoviq.
Ky është projekti i parë malazez që u mbështet nga fondi evropian i filmit “Eurimages”, me 80 mijë euro. Filmi u realizua nga kompania “Artikulacija” e Podgoricës, në bashkëpunim me ABHO Film dhe ABA Film nga Mali i Zi, si edhe me shtëpi të tjera produksioni nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.