Kulturë

“Palma e Artë” e Cannes për hakmarrjen përballë regjimit iranian

“Palma e Artë” e Cannes për hakmarrjen përballë regjimit iranian

Pasi ka marrë “Palmën e Artë” Jafar Panahi, ka përcjellë mesazhe uniteti për vendin e tij. “Ky është momenti për t’u kërkuar të gjithë iranianëve, në Iran dhe në mbarë botën, që t’i lënë anash problemet e tjera sepse gjëja më e rëndësishme është liria e vendit tonë”, ka thënë ai

Foto: Associated Press

Dilema për lirinë, një triler i tensionuar i hakmarrjes për regjimin në Iran të cilin regjisori i përndjekur Jafar Panahi e ka përthekuar në “It was just an accident”, ka marrë “Palmën e Artë” në edicionin e 78-të të Festivalit të Filmit në Cannes. Një nga temat e filmit është edhe se sa e vështirë është lufta për drejtësinë ku shteti është pengesë. Në karrierën e tij, Panahi i konsideron xhirimet e filmave si akt rezistence dhe kryesisht portretizon popullin iranian që lufton për liri.

Filmi “It was just an accident” si rrëfim imagjinar që vë në pikëpyetje kuptimin e lirisë në Iran, ka marrë “Palmën e Artë”. Me ceremoninë e ndarjes së çmimeve, të shtunën në mbrëmje, Festivali i Filmit në Cannes ka përmbyllur edicionin e 78-të. 

Nën regji e me skenar të iranianit Jafar Panahi, filmi përshkruhet si triller i tensionuar hakmarrjeje dhe përplot dilema të thella. Një nga temat e filmit është edhe se sa e vështirë është lufta për drejtësinë ku shteti është pengesë. 

Regjisori iranian është burgosur shumë herë dhe është ndaluar të bëjë filma në vendin e tij, Iran. Ndonëse veprat e tij filmike kanë qenë pjesë e Festivalit në Cannes, ai ka munguar që nga viti 2003. 
Në karrierën e tij, Panahi i konsideron xhirimet e filmave si akt rezistence dhe kryesisht portretizon popullin iranian që lufton për liri. 

Pasi ka marrë “Palmën e Artë” ka përcjellë mesazhe uniteti për vendin e tij. 

“Ky është momenti për t’u kërkuar të gjithë iranianëve, në Iran dhe në mbarë botën, që t’i lënë anash problemet e tjera sepse gjëja më e rëndësishme është liria e vendit tonë”, ka thënë ai. 

Triumfi i tij nuk qe befasues sepse filmi mori kritika pozitive. U vlerësua origjinaliteti i skenarit si dhe fuqia emocionale e filmit. Po për skenar, në vitin 2018, Jafar Panahi pati fituar Çmimin për “Three faces”. 

Juria e sivjetme është kryesuar nga aktorja franceze Juliette Binoche dhe ka pasur për anëtarë aktoren e regjisoren amerikane Halle Berry, regjisoren e shkrimtaren indiane Payal Kapadia, aktoren italiane Alba Rohrwacher, shkrimtaren marokene Leila Slimani, shkrimtarin, regjisorin e producentin Dieudo Hamadi nga Republika e Kongos, regjisorin korean Hong Sangsoo, regjisorin meksikan Carlos Reygadas dhe aktorin amerikan Jeremy Strong. 

Çmimi për Regjisorin më të mirë i është dhënë regjisorit brazilian Kleber Mendonça Filho për filmin “The agent secret”. Filmi artistik vendoset në Brazil në vitin 1977, nën diktaturën ushtarake. Tregon historinë e kryepersonazhit Marcelo, një 40-vjeçar i cili për t’i shpëtuar së kaluarës së tij, fshihet në një tjetër qytet për të filluar një jetë të re me të birin. 

Sa u përket çmimeve për aktorin dhe aktoren më të mirë, Nadia Melliti mori çmim për Aktoren më të mirë për rolin e saj në filmin “La petite derniere” të Hafsia Herzi e Wagner Moura për performancën e tij në filmin “The Secret Agent” nga Kleber Mendonça Filho. 

Çmimi i jurisë u nda midis regjisorit spanjoll Olivier Laxe për filmin “Sirat” dhe “Sound of Falling” nga regjisori gjerman Mascha Schilinski.

Kryetarja e jurisë, Binoche, e filloi ceremoninë duke i dhënë çmim special  regjisorit kinez Bi Gan për filmin “Resurrection”. 

“Kamera e Artë” u dha për filmin e parë artistik “The President’s Cake”, të regjisorit irakian, Hasan Hadi, ndërsa “Special Mention” mori “My Father’s Shadow” nga Akinola Davies. 

Çmimin për Skenarin më të mirë e ka marrë filmi “Young Mothers” nga Jean-Pierre dhe Luc Dardenne.

“Palmën e Artë” për film të shkurtër e mori filmi “I’m glad you’re dead now” nën regji të Tawfeek Barhom, ndërsa Mirënjohje speciale në këtë kategori ka marrë filmi “Ali” i regjisorit Adnan Al Rajeev. 

Sivjet Kosova nuk ka pasur film në garë, por kinematografia e vendit është prezantuar në Marché du Film, siç njihet tregu i filmit, vendtakim për produksione e producentë nga të katër anët e botës. Samir Karahoda është rikthyer në Cannes jo si garuar por duke prezantuar projektin e tij debutues në film të gjatë “Imazhe të humbura”, por Kosova atje ka prezantuar edhe projektet “Bleach” nga Kaltrina Krasniqi dhe “Symphony of Season” nga Sami Mustafa. Qendra Kinematografike e Kosovës ka vazhduar traditën me hapjen e shtandit tok me Shqipërinë.  

Në mbrëmjen e 13 majit, midis glamurit e nën moderimin e aktorit dhe regjisorit Laurent Lafitte, mbi dy mijë veta kishin marrë pjesë në ceremoninë hapëse të Festivalit. Ata i ishin bashkuar nderimit të yllit të kinematografisë, Robert de Niro. Atij i është ndarë “Palma e Artë e Nderit” për kontributin në film për disa dekada.

Pos anës formale të ceremonisë hapëse, të pranishmit kishin parë edhe filmin që ka ndezur ekranin e Cannes për sivjet, “Leave One Day” të Amélie Bonnin. Në 94 minuta në këtë film tregohet historia e personazhes Cécile, e cila është gati të hapë restorantin e saj, duke realizuar më në fund ëndrrën e saj, kur papritur i ati pëson një sulm në zemër dhe ajo thirret të kthehet në fshatin ku ishte lindur. 
Në ditët e fundit, Festivali u përball me ndërprerje të energjisë elektrike duke ndërprerë shfaqjet. Ngjarjet qenë ndaluar përkohësisht. 

“Të gjitha ngjarjet dhe shfaqjet e planifikuara, përfshirë ceremoninë e mbylljes, do të vazhdojnë sipas planit dhe në kushte normale. Në këtë fazë, shkaku i ndërprerjes nuk është identifikuar ende. Përpjekjet për ta rregulluar këtë çështje janë duke u zhvilluar”, pati njoftuar Festivali. 

Në edicionin e kaluar, çmimin kryesor të Festivalit - “Palmën e Artë” e mori filmi komik “Anora” i regjisorit Sean Bakerit. Ndërkohë me çmime speciale u patën nderuar aktorja Meryl Streep e “Studio Ghibli”.