Arbëri

Gjoba e konfiskim të patentë shoferëve përmes kamerave të sigurisë

Kalimi i rrugës kur semafori është në të kuqen apo edhe në të portokalltën, përdorimi i telefonit, ndërrimi i shiritit në momentin e fundit, parkimet jo të rregullta janë disa nga kundërvajtjet që tani e tutje do të shqiptohen përmes kamerave të cilat janë vendosur në vende të ndryshme të kryeqytetit.

Çdo shkelje në komunikacion nga java e kaluar është duke u evidentuar përmes zyrtarëve policorë të trafikut, të cilët bëjnë monitorimin e kamerave 24 orë në ditë.

Shefi i operativës së trafikut të kryeqytetit, rreshteri Vedat Zuka thotë se janë të fokusuar në monitorimin e kundërvajtjeve që bëhen më së shumti në kryeqytet.

“Drejtoria e Policisë së kryeqytetit ka bërë vendosjen e kamerave të sigurisë brenda qytetit të Prishtinës të cilat do të shërbejnë për aspektin e sigurisë, por njëkohësisht edhe për vëzhgimin e gjendjes në komunikacion. Ne si njësi e trafikut që e bëjmë monitorimin e këtyre kamerave jemi të fokusuar në monitorimin e kundërvajtjeve që bëhen më së shumti në Prishtinë, siç është mosrespektimi i semaforit në dritën e kuqe, ndërrimi i shiritit në çastin e fundit, parkimet jo të rregullta, përdorimi i telefonit e disa të tjera të cilat ne mund t’i identifikojmë”.

Që nga java e kaluar, Zuka thotë se mesatarja e shqiptimit të tiketave përmes kësaj metode është 50 tiketa brenda 24 orëve.

“Fillimi i monitorimit të kamerave ka filluar javën që shkoi. Mesatarja e shqiptimit të tiketave për këtë fillim është 50 tiketa brenda 24 orëve, pasi monitorimi bëhet 24 orë dhe kemi staf të mjaftueshëm për monitorimin e kamerave të kryeqytetit. Ne jemi duke i zbatuar disa metoda edhe i thërrasim përmes telefonit, edhe përmes postës dhe kur i kemi njësitet policore afër i njoftojmë për t’ua shqiptuar gjobat, por kryesisht jemi të fokusuar t’ua dërgojmë me postë në shtëpi”.

Vetëm brenda një dite, përmes kamerave policia ka arritur t’i konfiskojë 12 patentë shoferë.

“Ne i kemi konfiskuar 12 patentë shoferë brenda një dite. Ne e vëzhgojmë dritën e kuqe që është kundërvajtja më e madhe që mund të bëhet në trafik. Dhe është shkaktari i aksidenteve më të shpeshta. Edhe përmes kamerave, edhe përmes mjeteve inteligjente e përmes radarëve të bëjmë matjen e shpejtësive sepse është njëra prej kundërvajtjeve më të rrezikshme pasi mund të pësojë aksidente me fatalitet. Implementimi i kamerave është në faza të caktuara megjithatë krejt qyteti është i përfshirë krejt, zonat më të ndryshme por edhe në vendet e tjera janë duke u vendosur. Rruga C, rruga B, lagjet si Kolovica etj. Pra me një fjalë krejt qyteti”.

Kamerat i kanë mirëpritur edhe qytetarët, të cilët shpresojnë të ndalen edhe aksidentet me fatalitet.
Këto kamera do të ndihmojnë edhe në aspektin e sigurisë së qytetarëve, thotë drejtori i Emergjencave në Komunë të Prishtinës, Lulzim Fushtica.

Është përfolur për ligjshmërinë e vendosjes së kamerave në kryeqytet. Megjithatë nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, thonë se gjithçka është në përputhje me ligjin.

“Përdorimi i kamerave nga Policia e Kosovës për shqiptimin e gjobave elektronike është i bazuar në Ligjin Nr. 08/L-186 për rregullat e trafikut rrugor dhe përbën përjashtim të lejuar me ligj nga rregullat e nenit 75 të Ligjit Nr. 06/L-082 për mbrojtjen e të dhënave personale. Përpunimi i të dhënave personale në këtë rast zhvillohet për ushtrimin e një detyrimi ligjor që buron nga Ligji për rregullat e trafikut rrugor, si dhe për ushtrimin e autoritetit zyrtar të përcaktuar në nenin 5 paragrafi 1.5 të LMDHP-së. Në këtë këndvështrim, Policia e Kosovës, ka bazë ligjore për të përdorur kamerat e vendosura me qëllim të shqiptimit të gjobave kundërvajtëse dhe nuk bie në kundërshtim me dispozitat e LMDHP-së”, thanë nga Agjencia. 

Kamerat e sigurisë në kryeqytet ka kohë që janë vendosur, mirëpo vetëm gjatë javës së kaluar ka filluar edhe shqiptimi i kundërvajtjeve përmes tyre.