Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Drama e dëshirës për të jetuar: Disa refleksione mbi librin “Ridënimi” të Fatos Lubonjës

Ky shkrim do të trajtojë librin e kujtimeve me titull “Ridënimi” të Fatos Lubonjës, i botuar sivjet nga grupi KOHA.

Në fakt, këtu do të flasim edhe për vetë autorin në një masë. Kjo sepse, siç rëndom ndodh në librat me elemente autobiografike, e edhe më shpesh në ata të kujtimeve, duke folur për autorin, jetën e tij, shpjegojmë edhe librin e tij, idetë që ai paraqet.

Pa frikë se mos rrëshqasim në subjektivizma, mund të themi që Fatos Lubonja është një nga publicistët, shkrimtarët dhe personalitetet publike më të spikatura dhe më me peshë në shoqërinë shqiptare. Nga regjimi komunist i Shqipërisë është akuzuar dhe arrestuar për agjitacion dhe propagandë kundër regjimit për shkrimet që iu gjetën të fshehura, dhe për to u dënua me 7 vite burgim. Në vitin 1979 u arrestua sërish dhe u dënua edhe 16 vite të tjera burgim, me akuzën se ishte pjesëtar i një organizate kundër-revolucionare. Nga burgu u lirua në vitin 1991, pas shtatëmbëdhjetë vitesh.

Burgu politik në historinë e botës së shekullti XX na ka njohur me rrëfime të dhunës dhe terrorit po aq sa na ka njohur me histori të mbijetesës, histori të lirisë që kapërcen kufizimet politike. Shumë afër nesh kemi pasur historinë e Antonio Gramshit i cili nga burgu politik i fashizmit nxori vepra që i flasin sot botës për një model të pikërisht kësaj lirie. Një model i tillë lirie, në realitetin shqiptar, janë padyshim veprat e Fatos Lubonjës.

Në të vërtetë, gjatë gjithë historisë së njerëzimit, shkrimtarët e kanë pasur të ndërlikuar raportin me politikën, sidomos me diktaturat. Lubonja është një nga ata që i ka jetuar në lëkurën e tij këtë lloj raporti.

Edhe “Ridënimi” i Fatos Lubonjës, rrëfehen gjykimet arbitrare mbi dëshmi të shpikura Kulturë “Ridënimi” i Fatos Lubonjës, rrëfehen gjykimet arbitrare mbi dëshmi të shpikura

Ky libër trajton dramën e jetës së Fatos Lubonjës dhe bashkëvuajtësve të tij në burgun e Spaçit. Dhe pikërisht aty ku nuk mund të mendohej, në burg, njerëz akoma të lirë gjejnë guximin të shprehin revoltën ndaj regjimit të Hoxhës.

Fatos Lubonja e shikon veten në këtë kamp në valën e pasojave dhe masave që do të merreshin ndaj atyre që rebeloheshin kundër regjimit.

Image

Konstatimi se një fushë kërkimi ose një teori shkencore nuk mund të shpjegojë në tërësi një ngjarje të vetme apo një grup ngjarjesh, është përgjithësisht i pranuar. –Shpjegimi i fenomeneve sociale duket të jetë shumë kompleks, i vështirë dhe në pikëpamje intelektuale i pakënaqshëm. Megjithatë, një tablo e qartë e shpjegimit të ngjarjeve dhe fenomenve sociale mund të jetë e suksesshme jo duke qenë e thjeshtëzuar dhe e njëtrajtshme, por duke qenë gjithëpërfshirëse. Studimet mbi të kaluarën komuniste të Shqipërisë janë bërë nga këndvështrime e metoda të ndryshme shkencore: nga historianë, sociologë, filozofë e politologë. Pavarësisht kësaj, të gjitha këto shkenca, metoda shkencore nuk arrijnë të përcjellin të plotë emocionin dhe dramën njerëzore të asaj kohe. Duket sikur kjo është një detyrë dhe privilegj që i është rezervuar letërësisë dokumentare.

Në këtë drejtim, Ridënimi i Lubonjës përtej vlerës letrare dhe artistike përbën një kontribut të pazëvëndësueshëm në zbardhjen e shumë aspekteve të asaj që ka kaluar shoqëria shqiptare nën regjimin komunist.

Duke menduar mbi këtë dimension të veprës së Lubonjës, mu kujtua një thënje e mrekullueshme e Faik Konicës, i cili me 1897, shkruante: ”E vërteta nuk ka nevojë për stil gjarpërues e të yndyrshëm të shkrimeve akademike (Albania 2, 1897)”.

Ridënimi është një nga librat më të rëndësishëm dokumentarë të letërsisë së kujtesës mbi epokën e komunizmit, e kam lexuar këto ditë, 20 vjet pas botimit të parë, dhe kam mbetur i tronditur nga përshkrimi i vuajtjeve që autori ka kaluar në kamp-burgje, nga sinqeriteti dhe vendosmëria intelektuale me të cilën ai përshkruan situatat tragjike. Kjo vepër është një dëshmi e qartë e punës së madhe intelektuale që është bërë në burgjet politike të Shqipërisë komuniste.

Lëtërsia e krijuar në këto kushte, gjatë gjysmës së dytë të shkullit XX ka qenë po aq tragjike sa edhe fati i popullit shqiptar.

Në publik Fatos Lubonja njihet si një figurë racionale dhe e ftohët, që nuk lëshohet në emocione, por tek Ridënimi, ai ka përshkruar me tone shumë të forta emocionale dramën dhe tragjedinë e jetës së tij dhe miqëve të tij.

Ridënimi është libër memuaristik ku autori rrëfen një proces ndaj tij i cili e çoi drejt një ridënimi, ai përçon tablonë më të errët të ish-regjimit, egërsinë e tij, atë anë çnjerëzore, viktimë e gjallë e së cilës, Lubonja ka qenë për 17 vite burg. Fadil Kokomani e Vangjel Lezho i drejtohen me një letër kundër Enver Hoxhës, Komitetit Qëndror për hapjen e Shqipërisë me botën. Ky moment i tyre tragjik, bashkë me ta edhe Xhelal Koprencka, rindërtohet me përpikmëri nga Lubonja, në këtë vepër. Të tre këta u dënuan me vdekje, pasi u akuzuan për krijimin e një grupi armiqësor në kushte burgu, në të cilin, sipas akuzës, bënte pjesë edhe Lubonja.

Në këto kujtime nuk shfaqet vetëm jeta e tij, por jeta e një shoqërie të tërë, e një shteti totalitar, e një pushteti të egër, dhe e mijëra jetëve brenda dhe jashtë burgut.

Ridënimi është një vëpër që të mbetet gjatë në mendje. Ky libër është një mësim më shumë mbi natyrën njerëzore. Mbi atë se sa e ligë mund të jetë kjo natyrë dhe sa shumë mund të përhapet lugësia. Duket shumë me vend ajo thënja se: kur ligësia vjen në pushtet mbledh rreth vetës të gjitha ligësitë e shoqërisë.

Ajo që Fatos Lubonja dhe bashkëvuajtësit e tij kanë kaluar na mëson shumë për jetën dhe përpjekjet që duhet bërë në luftë me vështirësitë që na sjellë ajo. Ky është një rrëfim i jashtëzakonshëm që nuk duhet lënë pa u lexuar. Drama kolektive që ka kaluar populli shqiptar nën atë regjim mund të kuptohet më së miri nëpërmjet ndriçimit dhe shpjegimit të dramave individuale si kjo e Lubonjës.

Te shumë autor të kësaj lloji letërsie vërehën fare lehtë rrëfimet e fryera për gjendjen, që s'i përkasin fare realitetit. Te Lubonja kjo nuk ndodh. Ai e bën të besueshëm rrëfimin e tij nëpërmjet procesverbaleve të atij procesi dhe emrat e vërtetë të bashkëvuajtësve që ka vendosur në libër.

Edhe Kolumne 5 libra për një verë

Është e vështirë të besosh që me gjithë vuajtjet që i kanë shkaktuar njerëzit e atij sistemi, Lubonja në këtë libër nuk shpreh mllefe, nuk fyen, nuk përkulet, por edhe nuk përdor fraza të fryera. Te Ridënimi edhe pse autorin e pret një dënim i dytë, nuk ka urrejtje. Ai përshkruan në mënyrë të detajuar të gjithë mekanizmin e tmerrit, por tenton gjithashtu, të gjejë justifikim për gjithë këtë sjellje (ç)njerëzore, duke tentuar të gjejë dritë-hijet e natyrës njerëzore.

Kjo vepër është e mbushur me emocione të forta të vuajtjes, dhimbjes, por edhe dashurisë. Kjo e fundit për të na kujtuar se si në një trup të vetëm mund të bashkjetojnë të gjitha këto ndjenja. Lubonja e ka përshkruar këtë më së miri në një pjesë të librit, ku shkruan:


“Biseda me Vangjelin atë ditë më kishte bërë të dyshoja se ky njeri kishte rënë në burg jo aq për bindjet e tij politike sesa për mallin e familjës. Dicka e ngjashme i kishte ndodhur edhe Nuri Sallakut me gruan e tij ceke, Vllastën. (…) Kur e takova për herë të parë më 1975, ai kishte bërë mbi dhjetë vjet. Sa e pyeta në ishte martuar më tregoj për Vllastën që ishte në Pragë. “S’ka zot të na ndaj.” më tha. Pastaj më tregoj se, kur e kishin thirrur në Komitetin e Partisë dhe i kishin kërkuar të bëntë divorc, u qe përgjigjur duke treguar për një zog i cili, kur i vdes partneri, ngjitet në lartësi, mbyll krahët dhe lëshohet gjersa përplaset me dheun, ku bëhet copë e thërrime. E ritakova përsëri në fillim të viteve 80 në kampin e Ballshit. I kishin shtuar edhe dhjetë vjet të tjera, por Vllasën nuk e hiqte nga goja”.

Kjo lloj letërsie, të cilin shkrimtari Visar Zhiti e ka përkufizuar si ‘’burgologji’’, meriton një admirim të plotë. Ky nocion tashmë është shndërruar në term të pashmangshëm sa herë flitet për letërsinë dokumentare të periudhës së komunizimit.

Letërsia që krijuan të burgosurit përveç dëshmive paraqet edhe shumë veçori artistike të portretizimit të personazheve reale. Kur e mendon se ajo është shkruar nga njerëz që kanë jetuar në kushte çnjerëzore, edhe këtë situatë ata kanë ditur ta kthejnë shpesh herë në avantazh, arrin të kuptosh saktësisht pasionin me të cilin ata e kanë bërë këtë.

Arshi Pipa, një nga autorët më të mëdhenje të letërsisë dokumentare në librin e tij “Skica e një koncepti mbi jetën”, për këtë fenomen ka shkruar: ”Kanë prangosur trupin tim, por nuk kanë mundur të prangosin mendimin tim. Dhe gjë vërtetë e mrekullueshme kur trupin tim e kanë bërë pothuajse një kufomë, atëherë mendimi ka fituar lirinë”

Ridënimi i Lubonjës na tregon se regjimi komunist nuk luftoi vetëm kundërshtarët komunizmit, por edhe intelektualët, madje çdo gjë intelektuale, luftoi çdo njeri që tregonte origjinalitet, çdo lloj lirie.

Ridënimi i Lubonjës na tregon për dëshirën që ka njeriu për të jetuar, qoftë edhe në kushtet e burgut dhe kampeve. Ndërkohë që vdekja i rrinte mbi kokë, ai shkruan:

“Kalova përsëri në korridorin plot me dyer të errëta qelish, të cilat çuditërisht në atë çast, për herë të parë, nuk mund dukën të ndyra, siç më dukeshin zakonisht, por disi të ngrohta. Prapa secilës prej tyre kishte të paktën një njeri dhe befas ndjeva zili për ata që do të mbeteshin gjallë.Kjo ndenjë m’u forcua kur kalova mbi urë dhe pashë qiellin. I pata zili të gjallët që do të vazhdonin të kalonin mbi të dhe ta shihnin këtë qiell, kur unë s’do isha më. Hyra në birucë dhe ndjeva një keqardhje të tillë për veten sa që në ato caste përjetova diçka të papërjetuar deri atëherë, një gjakim të pamatë dhe të pakusht për jetën. Ndjevë në atë çast se isha gati të më ngujonin në atë qeli tërë jetën, po vetëm të mbetesha gjallë. Sikur t’i jepej mundësia një njeriu të jashtëm të afrohej në birën e sportelit dhe të shihte aty brenda një qënie siç isha unë, në gjysmë errësirë, i vetmuar, me tre mure të bardhë rreth e rrotull, me katër batanije në njërën qoshe të qelisë, me një frëngji të vogël që ishtë aq lart sa nuk mund të ngjiteshe dot për të parë se ç’ndodhte jashtë, edhe me një derë që hapej vetëm tre herë në ditë për të kryer nevojën dhe për të derdhur paguren e shurrës, gjëja e parë që do të thoshte ishte se kjo është një gjendje e padurueshme sa më mirë të vrisje veten. E kisha thënë dhe unë vetë. Kursa tani po provoja diçka tjetër. Gjakimi për të mbetur gjallë ishte aq i madh, aq i fortë, sa ai vend më dukej shumë i mirë, shumë njerëzor, gati-gati i dashur. Vetëm të mbesja gjallë, por dhe tërë jetën do ta kaloja me qejf aty, edhe pa shpresën se do të dilja një ditë prej andej. Mjaft që sytë të mbeteshin hapur, paçka se do të shihnin vetëm ato mure memecë dhe atë dritë të qërrët; mjaft që duart të lëmonin diçka, paçka se ato dërrasa të ndyra; mjaft të ndjeja kënaqësinë e ruajtjes së ngrohtësisë së trupit me ato batanije të konsumuara ushtarësh…dhe veshët të dëgjonin ca zhurma dhe ca zëra gardianësh”.

Ndërkohë, duke përshkruar përjetimin e Fadil Kokomanit, bashkëvaujtësit të tij, ndërsa priste të ekzekutohej, Lubonja shkruan:”Në qoft se vërtet Fadili ka pësuar traum psikike, goditja e parë duhet t’i jetë shkaktuar nga pritja e dënimit me vdekje, lidhur këmbësh e duarsh. Zakonisht kjo torturë zgjaste rreth 30 ditë dhe që aq rraskapitëse sa disa prej atyre që e kishin kapërcyer tregonin se kur u kishin komunkuar faljen kjo nuk u kishte bërë më përshtypje”.

Në një pasazh tjetër ai na shpjegon në menyrë briliante se si arriti komunizimi të instalonte pushtetin e frikës dhe terrorit “Në vitet e para pasi erdhën në pushtet komunistët, Shqipëria kishte parë plot gjyqe ku të pandehurit kishin qëndruar burra. Ishte një kohë kur pushtetarët e rinj ende nuk kishin arritur të vendosnin autoritetin, kur bashkëqytetarëve të tyre ende nuk u besohej se ata njerëz, me të cilët deri dje kishin jetuar në paqe e që i kishin parë si njerëz të zakonshëm, madje shpesh edhe pa vlerë, të mund të ktheheshin në sundimtarë të jetës së tyre. Prandaj dhe u qëndronin krenarë dhe me dinjitet. Edhe hetuesia kish përdorur më shumë asokohe drurin dhe torturat. Mirëpo vit pas viti, vrasjet e shumta dhe gjyqet me vdekje u akumuluan në kujtesën e njerëzve, duke kallur në shpirtin e tyre frikën nga këto qenie. Fryma e terrorit dhe e frikës kishte filluar të punonte vetë derisa kish arritur t’i bënte njerëzit të bindeshin se Enver Hoxha dhe ata që e mbanin në pushtet ishin zot të jetës dhe të vdekjes së tyre”.

Liria, e vërteta, mendimi ndryshe ishin armiqtë më të mëdhenj të atij regjimi. Në këto rrethana ata që kanë folur hapur të vërtetën dhe kanë mbrojtur lirinë janë heronjë të këtyre vlerave, Lubonja meriton një epitet të tillë.

Dhe duke shpjeguar reagimin e njeriut përballë kësaj situate ai shkruan: “Kur të del përpara një bishë që e di se të shqyen dhe s’ke asgjë për t’u mbrojtur, nuk të mbetet tjetër veçëse dinakëria dhe shpejtësia për të ikur”.

Edhe Lubonja: Dorëheqja e Ramës dhe qeveria teknike do të garantonin zgjedhje më të lira në Shqipëri Arbëri Lubonja: Dorëheqja e Ramës dhe qeveria teknike do të garantonin zgjedhje më të lira në Shqipëri

Të analizosh këtë vëpër do të thotë të kuptosh çfarë ka qenë shoqëri shqiptare atëherë, si është sot dhe si po përballlet me atë të kaluar të hidhur. Kjo vepër pashmangshëm të shtyen të ngresh një akuzë mbi autorët e atyre krimeve që janë të shumtë, disa si udhëheqës institucionësh e disa si punonjës në institucione të drejtësisë siç është rasti i sekretarit të gjyqit të Lubonjës, të cilin siç dëshmon në libër e gjeti duke punuar në gjykata edhe pas rënies së komunizmit, kur shkoj të kërkonte në dosjen e dënimit të tij.

(Autor i këtij recensioni është Përparim Gruda, ligjerues në Fakultetin Juridik të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” )